Jo rrallëherë shkrimtari hungarez Sandor Marai është krahasuar me Stefan Cvajgun. Qasja mes këtyre dy intelektualëve të Evropës Qendrore është, në të vërtetë, e habitshme. Botimi i “Ditarit” të Sandor Marait hedh dritë mbi fatin e këtyre dy shpirtërave të mëdhenj, të përndjekur nga vendi i tyre dhe vdekur në internim. I lindur në një vend ku përzihen gjuhët dhe kulturat hungareze, gjermane, çeke dhe sllovake, Marai nuk e pati aspak të lehtë që të zgjidhte gjuhën në të cilën do të shkruante më vonë. Sandor Marai, romancier dhe gazetar i famshëm hungarez, me sjellje borgjeze, i mbijetoi sundimit nazist, me gjithë kundërshtimin që kishte ndaj fashizmit. Më 1942 botoi “Prushi”, shumica e lirit një monolog virtuoz, që tregon historinë e një miqësie të copëtuar nga xhelozia, për të rifilluar 41 vjet më vonë./Konica.al
Shkrimtari hungarez Sandor Marai dhe austriaku Stefan Cvajg, nuk i përkisnin të njëjtit brez: Cvajgu lindi në 1881, kurse Marai, nëntëmbëdhjetë vjet më vonë, në 1900. Dhe mbi të gjitha, Marai vdiq në moshë të madhe, kreu vetëvrasje, në internim, në San Diego të Kalifornisë, në vitin 1989, në moshën 89-vjeçare. Në vitin e vetëvrasjes së tij në Brazil, në 1942, Cvajgu ishte vetëm 60-vjeç. Përveç faktit që dhanë shpirt në internim, të zbuar nga atdheu i tyre, këta dy shkrimtarë i lidh fakti që u lanë pas dore, për t’u rizbuluar kohë pas vdekjes së tyre; sikurse edhe vepra i është nënshtruar një rivlerësimi të kohëve të fundit dhe të merituar. Që të dy shkrimtarët pajtohen me epokën nostalgjike, kur Evropa kishte një tërheqje të caktuar, një bukuri të caktuar. Dëshmitar i zhdukjes së botës të shekullit XIX, vëzhgues i fatit të një Evrope të shkatërruar nga fashizmi, më pas nga stalinizmi, shkrimtari hungarez Sandor Marai (1900-1989) është një nga zërat e mëdhenj të Evropës Qendrore, krahas Stefan Cvajgut apo Tomas Manit, që ai e admironte.
Jeta e Sandor Marait ishte shëtitëse: evropian dhe gati-vagabond në rini, për t’ia mbathur nga Terrori i Bardhë i 1919-ës, për njëzet vjet amerikan dhe italian pas kalimit të Hungarisë në sferën sovjetike dhe zgjedhja e mërgimit nga Marai. Përtej rrethanave politike, udhëtimi është një mënyrë mbijetese për Sandor Marait, “një tërheqje sensuale e botës”, shkruan në “Ditarin” e tij, “mbase i vetmi pasion i vërtetë i jetës sime”. Gjithnjë e më shumë i vetmuar dhe në vështirësi materiale, por pjellor në nivelin letrar, mërgimi do ta çojë Marain nga Nju Jorku në Salerno, në Itali, pastaj në Kaliforni, ku do të vetëvritet në moshën 89-vjeçare, disa muaj para rënies së Murit të Berlinit.
Marai mediton nga libri në libër: “Çlirimi”, “Kujtime nga Hungaria”, “Ditari”, mbi totalitarizmin dhe qenien njerëzore, në një shkrim të qartë, i cili, me kalimin e viteve, kondensohet, për t’u bërë gjithnjë e më personal, fragmentar, poetik. Ai mbetet një nga zërat e shkëlqyer gjermanishtfolës. Një lexues i zellshëm dhe kozmopolit, Marai kishte një bibliotekë prej 5 000 vëllimesh në gjuhë të ndryshme, që u shkatërrua kryesisht gjatë bombardimeve të ndërtesës ku jetonte me të shoqen. Ai përpinte letërsinë evropiane të të gjitha kohërave: Shekspirin, Tolstoin, Montenjin, Rilken, Andre Zhidin, Heminguejin, Ortegën dhe Gasset me të cilën ndjehej i afërt. Në të njëjtën kohë, ai është mbrojtës i vëmendshëm i letërsisë hungareze, për të cilën shpreh keqardhje se është, gjithashtu, anashkaluar padrejtësisht jashtë vendit. Një nga librat e fundit të botuar në Hungari: “Qëndrimi i fundit në Budapest”, është homazh për një nga shkrimtarët e preferuar të Marait, Gyula Krudy dhe heroin e saj, Sindbadin. “Bëhet fjalë, – shkruante Marai, – për shpërndarjen e heshtjes shurdhuese, në të cilën humbi puna e këtij shkrimtari të madh dhe riparimi i kësaj padrejtësie përtej varrit”. Për Sandor Marain, të qenit borgjez nuk i referohej një pozicioni në sistemin e prodhimit, por nënkuptonte besnikëri ndaj vlerave të caktuara. Kur i përkasim kulturës së një pakice, të një kombi të vogël, për të mbetur shkrimtar ekziston tundimi të shkruash në një gjuhë tjetër. Në fund të fundit, polaku Joseph Conrad, duke pranuar këtë vendim të vështirë, u bë një nga shkrimtarët më të mëdhenj të gjuhës angleze. Edhe rumunët Cioran dhe Ionesco, shkrimtarë të mëdhenj francezë. Por a nuk është misioni i shkrimtarit të një kombi të vogël, të mbajë gjallë gjuhën dhe kulturën e tij?
Sandor Marai është shkrimtari i parë në botë, që shkroi recensionet e para përshëndetëse për veprën e një djaloshi të panjohur e të pasuksesshëm që shkruan në gjermanisht, të cilin e ka mik e që quhet, Franc Kafka. /Konica.al