MENU
klinika

Nga Shpëtim Nazarko

Eh, sa e vështirë është të luash Napoleonin!

29.02.2020 - 16:30

(Apo duke parë Kongresin e sotëm të socialistëve)

Po e dëgjoja Kryeministrin sot në kongresin e PS-së që fliste për boshllëkun e krijuar nga mungesa e opozitës, shtypit dhe ndoshta edhe elitës që e harroi, ose ndoshta nuk e ka të drejtën të flasë për të… Kryeministri foli për ‘Boshin’ që e ka zënë vendin. Zëvëndësoi fjalën ‘Vetmi’, që përmendja në shkrimin e fundit me fjalën ‘Bosh’.

Më kujtoi këtu e njëzetë vjet më parë, një histori që kishte lidhje dhe me të, kur ishte kryebashkiak. Kryeministri i kohës, nuk po e priste prej dy ditësh në plazhin e Durrësit, ku po bënte pushimet… Kritikës sime pse nuk e bënte një gjë të tillë, ju përgjigj me një murmurimë që do të thoshte: “E pse ta bëj …”

-Dëgjo, i thashë,- Napoleoni kishte dy ministra: një që vinte nga raca e të varfërve, e quhej Fushe. E një tjetër që quhej Tajlerand, e vinte nga radhët e aristokracisë. Fusheja e urrente pafund Tajlerandin. Kur ky i fundit shkonte te Napoleoni, që gjendej edhe në krevat e firmoste prej aty, në korridor e prisnin rojet e Napoleonit dhe spiunët e Fushesë. Kur Tajlerandi dilte nga Perandori, ai zinte hundët dhe thoshte me zë të lartë.

“Prapë nuk qenka larë fshatari i m…tit.”

Fjalët e tij, natyrisht i përcilleshin Perandorit, prej Fushesë. Po në vend të ndëshkimit, vinte buzëqeshja e Napoleonit, që e dinte shumë mirë dhe e thoshte qartë, se ditën që do ta shiste Tajlerandi, ai kishte vdekur edhe vetë realisht…

“Është termometri im i trupit…”, thoshte thjeshtë.

Të kërkosh Napoleonin në një Shqipëri që vjen nga tradita e Hoxhës duhet të jesh i lojtur mendsh. Në thelb, gjithsesi është e vështirë të lozësh Napoleonin edhe kur je në pozitat e tij në pushtet. Thjesht duhet të jesh Napoleon!

E dëgjova Kryeministrin që foli për Boshin. Ajo që duket se jo vetëm ai nuk kupton, është e thjeshtë. Opozita e vendit, ashtu si nuk mund të krijohet, ashtu edhe nuk mund ta zhdukësh. E njëjta gjë thuhet edhe për shtypin. E ca më shumë për Elitën Kombëtare. Ato vetëm ndihmohen të lulëzojnë deri në infinit. Ndryshe, vetëm e ke vrarë vendin tënd.

Nuk është ndonjë zbulim i madh, megjithatë të kuptosh se asnjë shoqëri, apo ndonjë vend që kur është krijuar, nuk ecën dot përpara nëpërmjet organizimeve, ku shumica, apo masat udhëheqin. Edhe Greqia e lashtë që merret zakonisht si shembull i demokracive që lindën deri sot e kësaj dite, nuk japin shëmbuj të tillë. Mund të të japin vetëm shembujt e një diktatori të ndritur.

Po çfarë është diktatori i ndritur?

Ai nuk i krijon as elitat, as shtypin dhe as opozitën. Kjo do të ishte një vetëvrasje e thjeshtë. Po ai e kishte të qartë detyrën e tij. Ai ndihmonte që këto elementë të shoqërisë, të ishin pjesa themelore e vendit, apo po aq e fuqishme, sa vetë qeveria. Rrugë tjetër nuk ka!

shpetim nazarko

Shqipëria e Hoxhës ra se i zhduku këto mekanizma. Ajo vdiq pikërisht ditën e fitores përfundimtare ndaj këtyre pjesëve të shoqërisë.

E thënë në formë të drejtpërdrejtë dhe më shqip. Shqipëria vdiq kur regjimi nuk kishte rezistencë nga asnjë drejtim dhe kur indiferenca e përgjithshme kaploi vendin…

Hoxha mendonte se këto mund ti zëvëndësonte me rolin e klasës punëtore, me emancipimin e gruas dhe me inteligjencën popullore. Shqipëria e sotme që është ende në gjunjë, është pikërisht produkt i kësaj politike, që nuk të shpie asgjëkund. Apo rikrijon në formë komike, e jo tragjike, atë që përjetuam pesëdhjetë-vjetëshin e Hoxhës.

Po çfarë faji kanë socialistët? A nuk e kanë fajin vetë demokratët që u shuan si qiriri, në filozofitë e tipit enverist, a ca më të shëmtuara se të tijat, në kohërat që kishin qeverisjen? Natyrisht që për këtë ranë.

Brenda filozofisë partiake, apo frymës së një kongresi po partiak, këto shakara edhe mund të japin bukë. Po jo për atë që quajmë Shqipëri.

Edhe sikur të instalojmë mbretëri, a çfarëdo sistemi, ai mund të ecë përpara vetëm në një formë. Të ndihmojë pa fund, duke futur elitat jo partiake në lojë, pastaj shtypin dhe të shohë me shqetësim nëse opozita nuk ekziston, apo i ka punët keq. Këtë do ta bënte cdo mbret i arsyeshëm. Dhe Europa e sotme, nuk është produkt i partive, por i evolimit të mbretërive. Tentativa për të krijuar shtete, duke shpënë masat në udhëheqje, shpien shkurt në kinezëritë e njohura të shekullit që lamë pas.

Në periudhën që rrojmë në Shqipëri, natyrisht roli i individit është vendimtar. Po ky rol nuk është aspak i lidhur me udhëheqjen e masave, po me forcimin e elitës kombëtare, të shtypit dhe zëmërgjerësisë ndaj kundërshtarëve, që nuk janë e nuk mund të shihen si në luftën jakobinë me zhirondinë. Kjo, folur me gjuhën e Plakut Dritëro, sepse populli nuk është kovaci. Populli është Naimi.

Shqipëria e sotme, ka nevojë për individë që zgjidhin përfundimisht punën e pronave, të arsimit profesional e të projekteve të mëdha kombëtare që kuptojnë potencialet e vendit dhe shtyllat e strategjisë kombëtare për nesër. Shtylla që siç e kam përmendur qindra herë përmblidhen në dy fjalitë e thjeshta. Modernizimin e resurseve që lanë të parët dhe pozicionin gjeografik ndaj të tjerëve.

Pa këto, nuk shkohet asgjëkundi, ose maksimumi përshkruan të njëjtën trajektore, si paraardhësit e tu, e që shpunë vendin në këtë derexhe.

Kongresi i socialistëve, më dha një përshtypje jo të mirë. Ndërsa Kryeministri e kishte kuptuar fare mirë punën e ‘Boshit’ apo të ‘Vetmisë’ çka është për tu përshëndetur, receta e tij ishte e njohur dhe e stërnjohur. Ajo dihet ku të shpie. E thënë me cinizëm, njerëzia nuk mund ta kalojë jetën nën udhëheqjen e Partisë. Ky do të ishte mjerim mendor, intelektual, a vërini çfarëdo emër që të doni.

Shqipëria ka nevojë shumë më tepër, se fjalime kongresi. Po të isha unë, ndoshta do ta bëja të mbyllur kongresin dhe për përdorim të brendshëm për anëtarët e partisë. Vetë shoqëria, e Shqipëria janë shumë më të mëdha, se kongresi i një partie sido që ta ketë emrin ajo.

Vetë mendoj, se sido që të përçohen mesazhet e sotme dhe vërtet PS ta kuptojë drejt e qartë mesazhin e liderit të saj dhe ta zbatojë me përpikmëri, nuk do të shkojë më tutje se sa të zgjerojë ‘Boshin’, apo ndryshe ‘Vetminë’.

Eh sa e vështirë është të luash Napoleonin!

18 raste të reja, 277 të infektuar në Shqipëri

Të dhënat e fundit: 16 viktima, humb jetën 76-vjecari nga Durrësi

"Bloomberg"/ Raporti i inteligjencës amerikane

Ç’ka fshehur Kina në këtë pandemi?

Pikat e forta die të dobëta të tij

COVID-19 nuk vritet, por kalbet vetë!

"Çdo gabim apo mos vëmendje paguhet vërtet rëndë”

Mjekja shqiptare në spitalin italian rrëfen për “Uniformën e Vetëvrasjes”

Gjithçka që ende nuk dimë për koronavirusin

A do ketë valë të dytë dhe a bëhemi imunë pasi infektohemi?