Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan ka kërcënuar të nisë një operacion në rajonin e Sirisë, Idlib deri në fund të muajit nëse Damasku nuk arrin të tërhiqet larg nga pozicionet ushtarake turke.
“Një operacion në Idlib është i menjëhershëm,” u tha Erdogan ligjvënësve të partisë së tij në Parlament të mërkurën. “Ne po numërojmë, po bëjmë paralajmërimet tona përfundimtare”.
Rusia, aleati kryesor i qeverisë siriane në luftën gati nëntë-vjeçare, u përgjigj duke thënë se çdo ofendim turk kundër forcave siriane në Idlib do të ishte “skenari më i keq”.
Nëse po flasim për një operacion kundër autoriteteve legjitime të Republikës Siriane dhe forcave të armatosura të republikës Siriane, ky sigurisht që do të ishte skenari më i keq,” tha sekretari i shtypit i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke shtuar se Rusia dhe Turqia, ishin duke qëndruar në kontakt për të parandaluar që tensionet të përshkallëzohen më tej.
Ankaraja, e cila mbështet disa grupe rebele në veri-perëndim të Sirisë, është zemëruar që nga sulmet e fundit të qeverisë siriane në provincën Idlib, pasi vranë 13 personel ushtarak turk brenda dy javësh.
Erdogan tha se bisedimet me Rusinë mbi kështjellën e fundit të rebelëve të mbetur në Siri nuk kishin arritur të përfundonin në marrëveshje dhe paralajmëroi se një operacion ushtarak ishte thjesht “çështje kohe”.
Ai tha se Turqia ishte e vendosur ta bënte Idlibin një zonë të sigurt, “pa marrë parasysh koston”, madje ndërsa bisedimet vazhdojnë me Rusinë, e cila mbështet forcat e Presidentit sirian Bashar al-Asad. “Ne nuk do ta lëmë Idlibin në regjimin sirian, i cili nuk e kupton vendosmërinë e vendit tonë dhe atyre që e inkurajojnë atë,” tha Erdogan.
Rreth 900,000 njerëz janë larguar nga shtëpitë dhe strehëzat e tyre në më pak se tre muaj, përfshirë rreth 500,000 fëmijë, pasi trupat e qeverisë siriane rinovuan ofensivën për rajonin.
Njoftimi i Erdogan vjen një ditë pas paralajmërimeve të ashpra nga zyrtarët e Kombeve të Bashkuara që paralajmëruan një katastrofë humanitare në veriperëndim të Sirisë. Gati 300 civilë janë vrarë në sulmet këtë vit në rajon, me 93 përqind të vdekjeve të shkaktuara nga forcat siriane dhe ruse, sipas shefit të KB për të drejtat e njeriut.
Presidenti Al-Asad u zotua këtë javë të vazhdojë ofensivën, duke thënë se lufta nuk kishte mbaruar por kishte një “fitore të plotë”.
Në shtator 2018, Turqia, Rusia dhe Irani, lojtarët kryesorë ndërkombëtarë në konflikt, ranë dakord ta shndërrojnë provincën Idlib në një zonë de-përshkallëzimi, ku aktet e agresionit ishin të ndaluara.
Sidoqoftë, të gjitha palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për shkeljen e kushteve të marrëveshjes, pasi armëpushimet e shumta gjatë verës së kaluar nuk arritën të mbanin.
Ministri rus i Punëve të Jashtme Sergey Lavrov, tha në një konferencë shtypi të mërkurën se forcat e qeverisë siriane po mbështesin marrëveshjet e mëparshme mbi rajonin, por gjithashtu reagojnë ndaj provokimeve.
Përkthyer dhe përshtatur nga Aljazeera/ konica.al