Turqisë po i mbaron durimi me forcat e regjimit të Asadit, ndërsa afati i fundit për regjimin po afron, tha Presidenti Rexhep Tajip Erdogan të mërkurën.
Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Partia) në pushtet, Erdogan theksoi vendosmërinë e Turqisë, për të gjetur një zgjidhje për krizën në Idlib.
“Turqia është përpjekur të lehtësojë të gjitha përpjekjet për të parandaluar një krizë humanitare në Idlib të Sirisë, ndërsa Rusia nuk pranon të shohë situatën e rëndë,” tha presidenti, duke shtuar se Turqia kërkon që forcat e regjimit të përfundojnë sulmet e tyre sa më shpejt të jetë e mundur dhe të tërhiqen.
Erdogan vuri në dukje se Turqia tashmë pret rreth 3.7 milion refugjatë sirianë dhe nuk mund të presë një milion tjetër.
Komentet e Erdoganit erdhën pasi delegacionet turke dhe ruse mbajtën një takim për të gjetur një zgjidhje për krizën e Idlib në të njëjtën ditë.
Presidenti turk ka kritikuar Rusinë për ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme për regjimin e Asad, i cili po përkeqëson më tej situatën humanitare në Idlib.
Ai vazhdoi duke thënë se një nga problemet kryesore tani është që Turqia nuk është në gjendje të përdorë hapësirën ajrore mbi Idlib, e cila kontrollohet nga Rusia.
“Shpresojmë, se do të gjejmë një zgjidhje së shpejti,” tha ai.
Zyrtarët turq dhe rus zhvilluan dy raunde bisedimesh pa arritur një zgjidhje konkrete, pasi zyrtarët turq thanë se ishin të pakënaqur me një propozim rus për Idlibin e Sirisë në veriperëndim. Bisedimet u nxitën nga një përshkallëzim i fundit në Idlib në të cilin forcat e Asadit vranë 13 ushtarë turq.
Marrëveshja e Soçit e vitit 2018 e nënshkruar me Rusinë ndaloi aktet e agresionit në Idlib.
Regjimi Sirian dhe aleatët e tij, megjithatë, kanë thyer vazhdimisht kushtet e armëpushimit të vitit 2018 dhe të ri që filloi 12 janar, duke filluar sulme të shpeshta brenda zonës së sigurt në provincën veriperëndimore. Prej atëherë, më shumë se 1,800 civilë janë vrarë në sulmet e regjimit dhe forcave ruse.
Zona e de-përshkallëzimit aktualisht është shtëpia e 4 milion civilëve, përfshirë qindra mijëra njerëz që janë shpërngulur.
Përkthyer dhe përshtatur nga Daily Sabah/ konica.al