MENU
klinika

"Kosova '98-99"

Fotografi që bëjnë historinë, për të mos e harruar atë

19.02.2020 - 18:47

      Fotografinë artistike e dallon forma ose koncepti, pra një artist gjithmonë ka ngacmim estetik ose konceptual. Arti fotografik është tejet i rëndësishëm. Të jesh fotoreporter është natyrisht më e vështirë, sepse një fotoreporter ngarkohet t’i përcjellë ngjarjet përmes fotografive, rrjedhimisht të marrë pjesë edhe vetë në to.

Emri i Ridvan Slivovës është tashmë i njohur për publikun shqiptar. Fotoreporteri Slivova e ushtron këtë profesion për mëse 30 vjet. Pjesëmarrës në shumë ekspozita e bashkëpunëtor i shumë gazetave dhe revistave. Përgjatë kësaj periudhe me aparatin e tij, ai arriti të përjetësoi shumë ngjarje të rëndësishme, në të cilat qe prezent.

Specifikisht, në luftën e fundit në Kosovë gjatë viteve 98-99, ai arriti të nxjerrë disa fotografi të cilat sot i ekspozoi në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë. Këtë, Slivova vendosi ta bëjë pikërisht në përvjetorin e 12-të të Pavarësisë së Kosovës.

“Një popull që nuk e mban mend historinë e tij, është i dënuar t’i përsëritet historia” – ka thënë Suzana Çapriqi, kryesuese e Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtar, duke e konsideruar të rëndësishme ekspozitën.

Angazhimi i artistit Ridvan Slivova për të kontribuar ishte i madh, dhe mendoj se është inkurajues edhe për artistët tjerë. Të gjithë e kemi për detyrë ta ruajmë të kaluarën dhe ta përcjellim te gjeneratat e ardhshme”, – ka theksuar ajo.

Para se ekspozita të jetë e qasshme për publikun, fjalën e mori vetë autori, Slivova, i cili tha se është shumë i lumtur për interesimin dhe mundësinë e ofruar për ta jetësuar këtë ekspozitë.

“Ndihem mirë që m’u dha mundësia ta shfaq punën time”, – tha ai, fillimisht.

“Në ato vite, isha edhe vetë mes popullatës dhe për mua ishte e vështirë. Këtu shihet largimi i popullatës nga fshati, më vonë edhe gëzimi me ardhjen e KFOR-it dhe kthimi i tyre do të thosha në gërmadha, në shtëpitë e shkatërruara”, – u shpreh Slivova, duke përfunduar.

“E fundit që do të dëshiroja të jetë histori e përfunduar është ajo për të pagjeturit”, – tha ai.

Ekspozita vijon në hollin e Bibliotekës Kombëtare, duke ngjallur menjëherë shumë interes.

Për më shumë lajme, vizitoni: www.konica.al

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit