MENU
klinika

Masa e sigurisë

Gjykata liron kreun e Dhomës së Tregtisë në Lezhë

28.02.2020 - 09:01

Gjykata e Lezhës ndryshoi masën e sigurisë të dhënë në mungesë ndaj kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Pashk Palokaj, i cili u prangos tre ditë më parë nga Policia e Lezhës.

Në seancën gjyqësore për verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurisë e cila u zhvillua në spital për shak të problemeve shëndetësore të të akuzuarit, pavarësisht kërkesës së prokurorisë që të qëndrojë në burg,Gjykata vendosi të lëjë në “arrest shtëpie” biznesmenin Palokaj, me argumentin se nuk i janë përgjigjur rëndësisë së faktit dhe rrethanave të tjera në masën e marrë në mungesë ndaj tij.

Po ashtu Gjykata e Lezhës ndryshoi masën nga “arrest në shtëpie” në detyrim paraqitje edhe për Manuela Lalën, drejtuesen e punimeve ku humbi jetën punëtori 8 muaj më parë. Biznesmeni Pashk Palokaj, njëherazi kreu i Dhomës së Tregtisë Lezhë dhe një punonjëse e kompanisë që ai administron janë vënë nën akuzë nga prokuroria e Lezhës për shkelje të rregullave të sigurisë në punë dhe për punësim të paligjshëm.

Hetimet ndaj tij dhe drejtueses së punimeve nisën pas vdekjes së një punëtori në qershor të vitit 2019 në pallatin që po ndërtonte në lagjen “Besëlidhja” të qytetit të Lezhës. Vendimi i gjykatës për të liruar Palokajn u përshëndet edhe nga Dhoma e Tregtisë në Lezhë.

Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Dhoma që drejtohet nga Palokaj shprehet se ky ishte “një hap i parë”, ndërsa priste që Paloka të shpallej i pafajshëm. “Ky institucion siç ia përcakton dhe ligji do jetë në krah të çdo biznesi që operon në Qarkun Lezhë, pavarësisht në është i madh apo i vogël”, thuhet në reagim.