Nëse e keni parë dokumentarin e bujshëm të HBO “Leaving Neverland”, me siguri e kuptoni se për çfarë do të flasim në këtë artikull! Nëse jo, na lejoni t’ju themi që është një prej dokumentareve më të bujshme pasi ka pohime dhe dëshmi se Michael Jackson abuzoi seksualisht me fëmijë.
Por mes të gjitha dëshmive që u sollën si prova, mungoi ajo e yllit të filmit “Home Alone”, Macaulay Culkin, i cili kur ka qenë i vogël ka qenë protagonist i një prej klipeve muzikore të Jackson. Pas videos ai dhe Jackson u bënë miq të përjetshëm. Përgjatë viteve, pasi akuzat për sjelljen e Jackson shpërthyen në media, Culkin ka mohuar vazhdimisht se ka pasur ndonjëherë ndonjë kontakt seksual me Jackson.
Në një intervistë të tij për “Esquire” Culkin diskuton gjerësisht miqësinë e tij me Jackson, duke hyrë në detaje në lidhje me marrëdhënien e tyre dhe atë çfarë ndodhi dhe çfarë nuk ndodhi.
“Ai kurrë nuk më bëri asgjë mua. Kurrë nuk e pashë atë të bënte ndonjë gjë. Dhe veçanërisht në këtë kohë që jemi, nuk kam arsye të mbaj asgjë. Tani është një kohë e mirë për të folur. Nëse do të kisha diçka për të folur, unë do ta bëja atë plotësisht. Por jo, nuk kam parë kurrë asgjë; ai kurrë nuk bëri asgjë”.
Culkin dhe Jackson ishin shumë miq, pavarësisht diferencës së tyre 22-vjeçare në moshë. Herën e fundit kur ata u ndeshën me njëri-tjetrin ishte në Gjykatën e Lartë në 2005, ku Culkin dëshmoi në çështjen kundër Michael Jackson, ku Jackson u akuzua për dehje dhe ngacmim të një 13-vjeçari që kishte kancer. Jackson u lirua më vonë.
“Më mirë të mos flasim”, tha Jackson, sipas Culkin. “Unë nuk dua të ndikoj në dëshminë tënde”. Të dy u përqafuan para se të ktheheshin në gjyq. Ishte hera e fundit që Culkin e shihte këngëtarin para se të vdiste në vitin 2009.