Ditën e diel u shtynë 4 ndeshje të Serie A për shkak të përhapjes së koronavirusit në Itali. Federata italiane e Futbollit ka vendosur të shohë për një zgjidhje urgjente, pasi kalendari i skuadrave është shumë i ngjeshur dhe ndeshjet e prapambetura do të jetë e vështirë të rikuperohen.
Federata ka vendosur që java e ardhshme, ajo e 26-të, të luhet me dyer të mbyllura, pa praninë e asnjë tifozi. Ky vendim nuk përjashton as supersfidën Juventus-Inter, që është një nga ndeshjet kopertinë të futbollit përtej Adriatikut.
Vendimi është marrë tashmë nga Federata dhe pritet të marrë miratim nga qeveria e shtetit fqinj. Gjithashtu, është lajmëruar se të gjithë personat që janë pajisur me bileta, do të duhet të paraqiten për të marrë mbrapsht paratë e shpenzuara. Ndërkohë, pritet vendimi i UEFA-s për ndeshjet Napoli-Barcelona (nesër) dhe Inter-Ludogorets (të enjten).