Ushtruesi i detyrës së shefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë tha se mediat amerikane po provokojnë panik për koronavirusin, për ta dëmtuar presidentin Donald Trump.
“Arsyeja që ato po i kushtojnë kaq shumë vëmendje, është se mendojnë se kjo do ta rrëzojë presidentin”, tha Mick Mulvaney. Duke folur me një grup konservatorësh të premten, ai tha se njerëzit duhet t’i injorojnë mediat, në mënyrë që t’i qetësojnë tregjet.
Tregjet globale kanë vazhduar të bien pasi koronavirusi COVID-19 ka prekur tashmë mbi 50 vende të botës. Që kur është shfaqur për herë të parë në Kinë, dhjetorin e kaluar, sëmundja ka prekur 82,000 njerëz, ndërsa 2,800 pacientë kanë vdekur.
Të gjitha, përveç 3,664 rasteve dhe 57 vdekjeve, janë raportuar në Kinë. Numri i amerikanëve të infektuar me koronavirus është 60.
“Kemi ndërmarrë hapa të jashtëzakonshëm katër ose pesë javë më parë,” tha Mulvaney, duke iu referuar urdhrit të administratës Trump për të mbyllur kufirin për udhëtarët e huaj që vijnë nga Kina. Kjo masë ishte mbuluar gjerësisht nga mediat në atë kohë.
Ndërkohë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha dje se rreziku për popullin amerikan nga koronaviursi “mbetet shumë i ulët” dhe se hapat që i ka ndërmarrë qeveria, e kanë ndihmuar vendin të mbrohet nga shpërthimi global.
“Ne po zhvillojmë me shpejtësi një vaksinë” për virusin COVID-19, tha Trump, por pa dhënë detaje.
“Prioriteti numër një nga këndvështrimi ynë është shëndeti dhe siguria e popullit amerikan”, tha Trump në një konferencë për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë. Trump tha se ka pasur 15 raste me koronavirus në SHBA, duke mos llogaritur amerikanët e nxjerrë nga një anije e izoluar dhe nga qyteti kinez Vuhan, që është epiqendra e shpërthimit. Shumica e tyre po shërohen, tha Trump, megjithëse shtoi se njëri “është mjaft i sëmurë”.
Pavarësisht se çfarë ndodh me virusin, ai tha: “Ne jemi plotësisht të përgatitur”. Trump gjithashtu tha se ai e ka vënë nënpresidentin Mike Pence në krye të përgjigjes së SHBA-së ndaj koronavirusit.