OKB bën thirrje për evakuim urgjent të kampit të refugjatëve në Moria te Lesvos i quajtur ndryshe edhe “Ferri i Europës” mes frikës së pandemisë.
Britanikja “Guardian” në një artikull të saj publikon dëshmitë rrënqethëse të një mjeku të Organizatës së OKB për refugjatët i cili duke përshkruar kushtet ku mjekon në kampin që jetojnë mbi 20000 persona, 7 herë më tepër se kapaciteti , paralajmëron se shumica e emigranteve kanë zgjebe dhe se në këtë mënyrë ka filluar dikur edhe gripi vdekjeprurës spanjoll.
Thirrjet tronditëse të mjekut në fjalë, vijnë vetëm disa orë pasi qeveria greke me një akt legjislativ ka miratuar një vendim për të rekuizuar për një periudhe trevjeçare sipërfaqe tokësore në pronësi të bashkive dhe individeve, në ishujt Lesvos, Kos, Samos, Hios dhe Lero,me qëllim ndërtimin e qendrave të mbyllura për të kontrolluar fluksin e emigranteve gjithnjë në rritje dhe tepër shqetësues.
Sipas këtij vendimi, refugjatët dhe emigrantët e rinj që kanë ardhur prej janarit të këtij viti, si dhe ata që do të hyjnë tashmë në tokën greke, do të qëndrojnë në këto struktura të mbyllura, në mënyrë që të lehtësojnë procesin e identifikimit dhe azilit. Të gjithë ata që do të refuzohen në kërkesën e tyre për azil, apo do të kenë sjellje në kundërshtim me ligjet, do të riatdhesohen menjëherë.
Emigrantet që do të çohen në të do të kenë një leje disa orëshe gjatë ditës për të dalë nga kampi, por në mbrëmje do të duhet të jenë të gjithë brenda dhe struktura do të jetë e mbyllur. Sipas ministrit të Emigracionit dhe azilit Notis Mitarakis, ndërtimi i këtyre strukturave do të fillojë në muajin mars dhe këto qendra do të jenë të gatshme në verë .
Por vendimi i qeverisë ka shkaktuar reagime dhe kundërshtime të mëdha politike si me opozitën ashtu edhe me organet lokale që kërkojnë boshatisjen e ishujve nga emigrantet.
Madje guvernatori i Egjeut të Veriut ka ndërprerë çdo bashkëpunim me qeverinë deri sa ajo të anulojë vendimin për këto qendra.