MENU
klinika

Arsyet

Pompeo dhe Grenell refuzojnë të takojnë Kurtin

15.02.2020 - 14:50

Me deklaratat e tij të fundit për dy marrëveshjet e arritura me Serbinë, me insistimin e tij për tarifa ose reciprocitet, Kryeministri Kurti është futur në një kurs të konfrontimit direkt me SHBA. Burime të Gazetës Express nga konferenca e mbajtur në Munich tregojnë për mënyrën se si dyert e Kurtit u mbyllën nga aleati kryesor i Kosovës. Pompeo dhe Grenell refuzuan ta takojnë. Për më tepër, burimet thanë se asnjë zyrtar i lartë amerikan nuk do të takohet me Kurtin pa e hequr tarifën për mallrat serbe.

Ai heshti deri në mbrëmje, por në Konferencën e Sigurisë në Munich,Kurti kundërshtoi marrëveshjet Kosovë-Serbi përmes një postimi në Facebook dhe me gjuhë të kujdesshme, deri diku.

“Sot në Munich janë nënshkruar dy marrëveshje nga zyrtarë të autorizuar nga ish-ministri Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë sonë. Së këndejmi, këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Për më tepër, as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare”,- u shpreh Kurti. Kjo nuk u ka pëlqyer aspak amerikanëve.

Si rrjedhojë, këtë pakënaqësi ata ia kanë bërë të qartë Kryeministrit Kosovar dje. Kurti ka kërkuar dje që të takohet me sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pompou, dhe ambasadorin Richard Grenell, por përgjigjja e tyre ka qenë e prerë “Jo”.

Sipas këtyre burimeve, me deklaratat e tij të fundit për dy marrëveshjet e arritura me Serbinë, me insistimin e tij për tarifa ose reciprocitet, Kryeministri Kurti është futur në një kurs të konfrontimit direkt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Askush nuk mund ta minojë procesin e dialogut”, thanë burimet e Gazetës Express.

Madje, sipas tyre, ambasadori Grenell dhe asnjë zyrtar i lartë amerikan nuk do ta takojë Kurtin pa e hequr tarifën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë. “Askush nga zyrtarët e lartë amerikanë nuk do ta takojnë Kurtin derisa ai ta heqë taksën. Kurti do të takohet me zyrtarë të rangut me të ultë”,- ka thënë burim i gazetës.

Ndërkohë që Albin Kurti e kundërshtoi marrëveshjen e arritur me Serbinë, partnerja e tij në Qeveri, LDK-ja, e përshëndeti atë. Madje, sot në Munich, zëvendësi i Kurtit, Avdullah Hoti, e takoi Ambasadorin Grenell, ndërkohë që i njëjti ka refuzuar dje që të takohet me Shefin e Hotit, Albin Kurtin. “Sot takova Ambasadorin Grenell dhe zyrtarë te tjerë të ShBA-ve. Diskutuam për proceset e rëndësishme me të cilat duhet të merremi menjëherë si Qeveri e re”, tha Hoti përmes një postimi në Facebook.

“E sigurova se ne do te jemi partner i besueshëm në këtë proces të normalizimit të marrëdhënieve me fqinjin tonë Serbine, me qëllimin final njohjen reciproke. E sigurova se Qeveria e re nuk do të ikë nga përgjegjësitë e saj ne këtë proces, dhe se jemi plotësisht të përkushtuar për të bërë progres”.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka marrë një dinamikë të jashtëzakonshme pasi që Presidenti Trump emëroi të dërguar të tij në këtë proces, ambasadorin Grenell. Deri më tash, janë arritur tri marrëveshje e duket se edhe të tjera janë në proces e sipër.