MENU
klinika

Shkatërrimi i stadiumit

Rama: Këto lloj katërkëmbëshash të mbyllen pas hekurave!

22.02.2020 - 21:38

Zërave të atyre që kanë dënuar huliganizmin e tifozëve në stadiumin “Air Albania” i është shtuar edhe ai i kryeministrit Edi Rama.

Ky i fundit, në një postim në rrjetet sociale i është bashkuar atyre që kanë dënuar jo vetëm thyerjen e stolave, por edhe kalimin e dyerve të impiantit nga tifozët e Tiranës.

“Uroj që një orë e më parë, këta lloj katërkëmbëshash të mbyllen pas hekurave që zgjaten deri në tavan dhe të ndalohen përgjithnjë të hyjnë në stadiumet tona, bash ashtu siç e parashikojnë NENET E REJA të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë KUNDËR DHUNËS NË SPORT”, shkruante Rama në Facebook duke postuar fotot e pamjeve të turpshme nga impianti i ri.

Kryeministri që në fillim ka insistuar se duheshin ashpërsuar masat ndaj atyre që shkaktonin akte dhune në sport apo në rastin konkret, shkatërronin pronën publike në aktivitete sportive.

Tani pritet të mësohet se cili është reagimi i policisë së shtetit, pasi pamjet e atyre që shkatërruan stadiumin janë lehtësisht të rikuperueshme nga kamerat e sigurisë së impiantit kryeqytetas.