Një agjent shitje u arrestua nga Policia e Fierit pasi ka hedhur në treg produkte të faksifikuara të cilave u vinte emrin e kompanisë ku ai punonte.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “OPSION IX”, specialistët për hetimin e krimit ekonomik e financiar në Policinë e Fierit, arrestuan 38-vjeçarin me inicialet R.G dhe arritën të zbulojnë se në bashkëpunim me persona të tjerë, ai ka prodhuar dhe falsifikuar produkte të ndryshme ushqimore dhe i ka hedhur në treg me emrin e kompanisë ku punonte.
Ai do të hetohet nga Prokuroria e Fierit për veprat penale: “Prodhimi i kundraligjshëm i artikujve dhe mallrave industrial dhe ushqimorë”, “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Fshehja e të ardhurave”, “Manipulimi i tregut” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve”.