MENU
klinika

Letërkëmbim

Si i shkruante Poradeci shkrimtares së mohuar

10.02.2020 - 19:46

   Disidentja shqiptare, Musine Kokalari, në mesin e shkrimtarëve, ishte e vlerësuar dhe mirëpritur me letërsinë e saj. Këtë përvjetor të 103-vjetorit të lindjes, sjellim në vëmendje pjesë mesazhesh mes saj dhe Poradecit.

Një pjesë nga letërkëmbimi mes dy shkrimtarëve të mëdhenj të letërsisë shqipe:

‘Zonjushës Musine Kokalari
Via Garfagnano 8 int 12
Romë

Tiranë, më 24 Korrik 1940

Fort e ndritur dhe e dashur zonjushë,

Përgjigja Juaj më gëzoj shumë, ardhi shpejt siç e dëshironja dhe e kisha mendimin. Sapo e mora vajta në Durrës ta pyes Nafijen, ajo sgjodhi anglishten dhe më tha t’Ju shkruaj dhe të falat e saj. Mirë kini vënë istori në vend të latinishtes, për degën e pedagogjisë, edhe lëndët e tjera mirë janë vënë. Kështu Ju lutem të m’i dërgoni librat dhe dispensat, vetëm që nuk e di në Ju mjaftojnë të hollat, mua më thanë 20 fr, unë i bëra 25. Mos harroni të më shënoni mungesën.

Kur Ju shkrojta letrën e parë disa veta në kopshtin e Kursal-it, nuk Ju pranonin, i kundërshtova siç mendoja vetë, i-u bëri përshtypje kur muar vesh se ato mendime po botohen. Dje ishim në një mbledhje letrare edhe me ministrin e arësimit, Ernest Koliqi. Ra fjala për Juve, Koliqi foli mire, e dëgjuan dhe disa nga ata “mospranonjësit”. Një koleg i tha për recenzimin tim, Koliqit i ardhi mirë.

Pranoni të falat dhe mirënjohjet e mija nga zemra.

Juaji Lasgush

 

Romë, 30 korrik 1940.

I ndershmi Zoti Lasgush,

Pas letrës së fundit që mora këto ditë dhe në bazë të degës së zgjedhur Nafijes i bleva librat dhe dispensat e duhura.

Të shtunën në mëngjes libra shitësi postoi paketën. Duke marë parasysh se Tirana është e vogël dhe njihen njerëzit jam e qetë se pakua do të vijë edhe duke pasur adresën e shtëpisë gabim. Në vënd të 34 vuri 54. Ishte vonë kur e mora vesh. Sidoqoftë më lajmëroni marjen, mbasi dua të dal nga meraku.

Ju falem nderit shumë për mendimet e mira dhe për përkrahjen që tregoni për mua. Në çdo gjë sundon pjesa e mirë dhe e keqe. Një gjë e tillë ndodh edhe në mendime. Si thoni dhe vetë janë disa që më pranojnë dhe disa jo. Gjith se kush ka arësyet e veta sipas mënyrës që shikon shkrimet.
Kjo gjë më gëzon shumë sepse mendimet e kundërta hapin udhën e kritikës që ka një vlerë të madhe. Në Shqipëri siç e dini dhe vetë rallë mund të gjejmë një kritikë, e cila të jetë analitike edhe pa paramendim. Zakonisht për të mos prishur qejfin e njerit e tjetrit, çdo gjë që botohet kritikohet jo në bazë të veprës, po të personit që shkruan duke i shtuar një barë lavdime.

Letërsisë s’onë që sot po bje poshtë ose po humbet dal-nga-dal i mungon kritika letrare, nga shkaku se nuk ka patur as rymë as kundërshtim mendimesh.

Njerëzit që nuk më pranojnë i çmoj po aq sa ata që më pranojnë. Të dy palët më bëjnë një të mirë, se me përpjekjet e tyre do të kuptoj kur shkruaj mirë dhe çfarë më mungon, duke pasur parasysh që çdo vepër ka pjesën negative që i jep vlerë asaj positives.
Më lejoni të mbaroj me kaq.
Nafijes shumë të fala.
Me respekt Musine Kokalari

(Shkëputur nga profili i Marie Lasgush Poradecit)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Agolli mbi varrin e 'Zogut të fundit të liqerit'

‘Kur gjeniu nderon gjeniun’

Gjergj Fishta me fjalët e fundit

“Jo për tjetër, por sepse po lë…”