MENU
klinika

Dialogu Kosovë-Serbi

Trump: Grenell ka bërë një punë fantastike

24.02.2020 - 11:36

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka thënë se i dërguari i tij për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, ka bërë një punë fantastike dhe se do të vazhdojë të jetë i dërguar për dialogun. Megjithatë presidenti Trump tha se do të emërojë një ambasador të ri në Gjermani.

I pyetur nga Zëri i Amerikës, presidenti e konfirmoi se Ambasadori Grenell do të vazhdojë të shërbejë si i dërguar i posaçëm për bisedimet Kosovë Serbi.

“Do të emëroj një ambasador të ri në Gjermani. Ambasadori [Grenell] do të vazhdojë [si i dërguar për Kosovën dhe Serbinë] pasi po bën një punë shumë të mirë. Ai i njeh mirë zyrtarët. Ka bërë punë fantastike. Do ta vazhdojë. Të gjithë thonin se ishte një marrëveshje e paarritshme, por ai e realizoi. Ishte dicka shumë pozitive për këto të dyja vende”, tha presidenti duke iu referuar marrëveshjeve të fundit për rihapjen e transportit ajror dhe hekurudhor Kosovë-Serbi.

Presidenti i bëri komentet në Shtëpinë e Bardhë para se të nisej për vizitën e tij në Indi. Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, janë ndërprerë në nëntor të vitit 2018, pasi autoritetet e Kosovës vendosën taksën ndaj mallrave serbe për shkak të, siç thanë, fushatës kundër shtetësisë së Kosovës, nga ana e Beogradit zyrtar. Në tetor të vitit 2019, Shtetet e Bashkuara e emëruan ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell si të dërguar të posaçëm presidencial për bisedimet Kosovë-Serbi.

Me ndërmjetësimin e tij, deri më tani Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar dy marrëveshje, atë të hapjes së linjës ajrore Prishtinë-Beograd dhe marrëveshjen për linjën hekurudhore. Javën e kaluar, presidenti Trump e emëroi ambasadorin Grenell si ushtrues detyre të Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN