Dyshimet se në portin e Vlorës janë futur mbetje të rrezikshme kanë vënë në alarm jo vetëm shqiptarët. Në të gjithë territorin e portit është bërë matja për gjurmë të mundshme radioaktive. Fatmirësisht sipas prokurorisë, paisja Mini Rad, nuk konstatoi radioaktivitet.
Megjithatë mostrat e marra nga 40 metër kub lesh xhami dhe nga fuçitë për të cilat dyshohet se mbartin mbetje të rrezikshme po analizohen në Institutin e Fizikës Bërthamore. Vetëm pas kësaj do të mund të merret raporti përfundimtar si dhe do të vendoset fati për 6 të arrestuarit. Përfaqësuesit e anijes së bllokuar në një reagim të tyre kanë sqaruar se nuk ka pse të ketë alarm. Sipas tyre bëhet fjalë për mbetje që vijnë nga remonti apo aktiviteti i anijes.
”Saktësojmë se bëhet fjalë për dërrasa të vjetra, material të mbushjes së karrige të rinovuara dhe lesh xhami që quhet rokul e certifikuar. Në të gjitha anijet është material i izolimit termik i cili kur bëhet i vjetër rinovohet. Po ashtu përdorët në brendësi të paneleve që ndajnë kabinat apo hapësira të tjera. Të gjitha këto ne i kemi dokumentuar. Ato fuçi të mbylluara me vaj që i referoheni me siglën Eni, janë vaj që përdoret për mottorët e anijes.”
Madje duke aluduar se gjithçka bëhet për konkurrencë dhe duke treguar fotot e materialeve dhe dokumentacionit për blerjen e tij, thuhet se mbetjet janë kërkuar të dorëzohen dhe në Kroaci por nuk u shkarkuan për mungesë logjistike.
”Detyra e një anije kur vjen në port, është të thërrasë agjencitë e autorizuara. Dhe ne zgjedhim një prej tyre. Agjencia Delfin 1 bashkëpunon jo vetëm me ne, por dhe me shumë të tjera dhe është e certifikuar nga autoritetet shqiptare. Pra ne thërrasim këtë agjenci, e cila merr materialin dhe në fund na dorëzon një faturë, ku thuhet sasia dhe tipologjia. Ne e lidhim atë me një regjistër zyrtar në bord, ku ka mundësi të futet dhe duhet të futet ccdo kapiteneri në botë. Këtë e kemi detyrë. Dhe çdo dorëzim i mbetjeve janë të regjistruara aty. Pra nuk ka asgjë klandestine, asgjë anormale, asnjë trafik.”
Për rrezikun nga mbetjet në vlorë është organizuar dhe një protestë. Pjesëmarrësit kanë kërkuar marrjen e masave si dhe ndalimin e këtyre mbetjeve.