MENU
klinika

Markesi

“Ai shikim i rastësishëm qe burimi i një kataklizmi dashurie”

06.03.2020 - 14:58

       Nga romani “Dashuri në kohërat e kolerës”, kemi shkëputur një frazë të Markezit për të rigjallëruar një nga historitë më të bukura të dashurisë ndodhur ndonjëherë, e cila mbijetoi për shtatëdhjetë vjet, me gjithë pengesat e shumta./Konica.al

Të paktë janë shkrimtarët që e kanë frekuentuar aq shpesh të jashtëzakonshmen, sa Gabriel Garsia Markesi. E jashtëzakonshme për një jetë kaq romantike, saqë humbasim në efektet e saj. Ka jetuar kudo, në Meksikë, në Francë, në Barcelonë, në Londër, në Havana, për të mos përmendur fshatin e tij të lindjes, Aracataca, Barranquilla ose Bogota, qytetin që ai e urrente. Njohu mjerimin më të poshtër, duke gërmuar deri në koshat e plehrave, njëkohësisht shkëlqimet më të mëdha, ulur në tryezat mbretërore dhe presidenciale në të gjithë botën. U dorëhoq nga shumë gazeta si protestë kundër linjës së tyre editoriale, drejtoi revista me kronika të ndryshme apo botime për gratë shtëpiake, përpara se të blinte Cambio, “Newsweek” ameriko-latine. Ka shitur miliona kopje të çdonjërit prej librave që ka botuar, ka financuar grupe komuniste, ka blerë tetë shtëpi dhe ia ka dalë mbanë të ruajë edhe vlerësimin e kritikëve, edhe vlerësimin e audiencës së madhe. Çfarë këmbëngulje në të jashtëzakonshmen! I sigurt për rezultatet e veta, për stilin e tij, standardi më i lartë i letërsisë së Amerikës Latine që lulëzon në vitet ’70-të, ai është një shkrimtar i jashtëzakonshëm, i cili do të mbetet përherë besnik i vetvetes, madje deri në pikun e gabimeve të tij./Konica.al

Në përvjetorin e lindjes së shkrimtarit të madh kolumbian, më 6 mars 1927, autor i “Njëqind vjet vetmi” dhe “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”, fitues i çmimit “Nobel” në 1982, propozojmë frazën e bukur marrë nga romani “Dashuria në kohën e kolerës” (1985):

Ai shikim i rastësishëm ishte burimi i një kataklizmi dashurie që nuk kishte mbaruar ende gjysmë shekulli më vonë”.

Gabriel Garsia Markes, themeluesi i realizmit magjik, një ndër shkrimtarët më të famshëm në gjuhën spanjolle, me talentin e tij të jashtëzakonshëm bëri që vëmendja e mbarë botës të drejtohej nga letërsia e Amerikës Latine, duke ndikuar tek shkrimtarë si Izabel Aljende dhe Paulo Koehlo. Në romanet e tij, realiteti dhe fantazia, historia dhe legjenda ndërthuren derisa shkrihen në një. Një udhëtim në kohë dhe hapësirë falë përdorimit të shpeshtë të ngjarjeve të së shkuarës dhe parashikimeve, të cilat e zhvendosin lexuesin në një vorbull kohore shumë sugjestive. Romani “Njëqind vjet vetmi”, u votua në 2007 si vepra e dytë më e rëndësishme në gjuhën spanjolle e shkruar ndonjëherë, paraprirë vetëm nga “Don Kishoti i Mançes” i Servantesit. Një tjetër kryevepër absolute është “Dashuri në kohërat e kolerës”, nga e cila është shkëputur edhe fraza e cituar pak më lart.

“Dashuri në kohërat e kolerës”, një dashuri romantike dhe e pafund, e aftë të tregohet e duruar, me besim të palëkundur, për “pesëdhjetë e tre vjet, shtatë muaj dhe njëmbëdhjetë ditë, përfshirë netët”. Në të vërtetë, Florentino Aziza, poet dhe pronar i Compagnia Fluviale del Caribe, duhet të presë një kohë të gjatë para se ta shohë më në fund ëndrrën e tij të realizuar me Fermina Dasa, vajza më e bukur në Kolumbi. Kronika e një pritjeje të gjatë dhe të sigurt, e një dëshire që nuk venitet, por përforcohet ndër vite, duke kapërcyer të gjitha pengesat. Një histori dashurie dhe shprese, me të cilën, një herë të vetme, Markes braktis shqetësimin e tij të zakonshëm dhe angazhimin që kishte ndaj denoncimit shoqëror, për të treguar një epope tërheqëse të pasionit dhe optimizmit. Një roman i thjeshtë dhe i shkëlqyer, nga i cili buron shija e fortë për një rrëfim të plotë dhe përrallor, përshkrime shumëngjyrëshe të Karaibeve me diell dhe banorëve të saj. Rastësi apo fat? Kjo është dilema që e ka tronditur gjithnjë qenien njerëzore përballë koincidencave të jetës. E ngremë këtë pyetje kur prekim një tragjedi ose kur na ndodh diçka e jashtëzakonshme. Mirëpo, është një kohë kur kjo pyetje vjen e shpeshtuar dhe e stuhishme: kur biem në dashuri. Shprehja e Markesit na rikthen në këtë pyetje, duke gjurmuar një nga tregimet më të bukura të dashurisë ndonjëherë, në rastësinë e një shikimi. Po dashuria është edhe të dish të presësh. Megjithatë, pavarësisht rastësisë së atij shikimi të parë, historia e dashurisë së Ferminës dhe Florentinos duket e shkruar në yje. Florentinos do t’i duhet të presë pesëdhjetë e tre vjet, shtatë muaj dhe njëmbëdhjetë ditë, përfshirë netët, për të kryqëzuar sërish sytë e të dashurës së tij. Është pikërisht pritja, që i jep dashurisë forcë dhe energji, duke e bërë atë të pathyeshme përballë çdo pengese./Konica.al

Për më shumë, vizitoni: www.konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Njëqind vjet vetmi" flet spanjisht

Netflix zgjedh realizmin magjik

Cilat ishin ato shqiptare

Gratë që drejtuan botën


"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe