Pas shumë tentativave për të zhvillimin e Lojërave Olimpike “Tokyo 2020” këtë vit, organizatorët janë dorëzuar. Olimpiada e kësaj vere do të zhvillohet vitin ardhshëm, ashtu si “Euro 2020”. Vendimi përfundimtar është njoftuar ditën e sotme nga qeveria japoneze, nëpërmjet ministrit të sporteve, Sheiko Jashimoto.
Deri tani Japonia kishte rezistuar dhe gjatë njoftimeve të njëpasnjëshme thuhej se Lojërat Olimpike do të zhvillohen normalisht, por tashmë gjithçka ka ndryshuar. Përshkallëzimi i situatës në Europë për shkak të përhpjes së frikshme të Covid-19 ka bërë që një sërë vendesh të mos lejonin atletët e tyre të udhëtonin për të garuar në Japoni.
Australia, Kanadaja, Polonia, Irani, Zvicra dhe Portugalia njoftuan se nuk do t’i dërgonin atletët e tyre nëse Lojërat do të zhvilloheshin këtë verë, pasi mbrojtja shëndetësore nuk ishte e garantuar përballë përhapjes së pandemisë Covid-19.
E gjithë kjo ka sjellë anulimin e eventit për verën e ardhshme, që pritet të jetë shumë intensive, pasi të gjithë kompeticionet e këtij viti janë programuar për 2021. Mbetet për t’u përcaktuar detajet e tjera, nëse do të zhvillohet nga 24 korrik-9 gusht, siç ishin planifikuar këtë vit.