Shqipëria do të shpallë një amnisti të përgjithshme për legalizimin e kapitaleve. Kjo u paralajmërua nga kryeministri Edi Rama në Kongresin Zgjedhor 2020. Kryeministri tha se aministia e përgjithshme do të jetë për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, me një afat të kufizuar që të gjitha paratë, të gjitha asetet t’i deklarojnë.
“Dua ta mbyll me ekonominë, për t’ju thënë që rindërtimi nuk do të jetë vetëm një program strehimi, as edhe vetëm një program infrastrukture. Do të jetë një program rritjeje ekonomike. Ashtu sikundër, duke marrë parasysh se sa shumë njerëz janë shqetësuar dhe janë shqetësuar të gjithë pothuajse nga OFL, se nuk e kuptojnë ku mbaron OFL dhe faktikisht e dimë shumë mirë që informaliteti i parasë dhe informaliteti i pasurive në Shqipëri është gjigand, kemi adresuar vetëm një aspekt të tij, informalitetin e shtëpive të ndërtuara pa leje, por nuk kemi adresuar informalitetin e parasë.
Shqipëria do duhet shumë shpejt t’iu thotë të gjithëve: “Tregoni xhepat!” Patjetër! Por ka një ndryshim shumë të madh midis aseteve kriminale, parasë kriminale dhe aseteve dhe parave të vëna me punë. Në punë të zezë kanë punuar të gjithë shqiptarët kur shkuan në fillim në emigracion, se nuk i priti njeri me krahë hapur t’iu thonte “hajdeni në punë të bardhë!” Skllevër kanë qenë. Në punë të zezë kanë punuar. Produktet e asaj pune nuk janë kriminale. Prandaj ne do të lancojmë një amnisti të përgjithshme për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit me një afat të kufizuar që të gjitha paratë, të gjitha asetet t’i deklarojnë.
Paratë t’i fusin nëpër banka. Asetet t’i deklarojnë. Jo një, apo dy organizata, por bota mbarë të ngrihet të thotë “kjo nuk bëhet”, kjo do bëhet, sepse ne këtu jemi në radhë të parë për të punuar për ata që na kanë sjellë këtu dhe për fëmijet e tyre dhe emigrantët shqiptarë nuk mundet më të rrinë të mbajnë para nëpër banka andej me 1001 vështirësi, as nuk mundet më të torturohen të cojnë këtu 5 mijë euro se iu fillon pastrimi i parave, jo “ku i gjete”, jo “ku s’i gjete”, as nuk mund të tmerrohen për të blerë një shtëpi këtu se fillon historia “nga i more”, “nga s’i more”. Të gjithë ata që nuk i kanë paratë me drogë, nuk i kanë paratë me terrorizëm, nuk i kanë paratë me prostitucion, nuk i kanë paratë me të gjitha ato krime që parashikohen te ligji special, ose të gjithë ata që janë politikanë, gjykatës, prokurorë dhe subjekte të deklarimit të pasurive, këta do përjashtohen të gjithë. Nuk mund të amnistohet pasuria e tyre.
Këta do japin llogari, nga unë i pari, herët ose vonë, patjetër do japim llogari një më një, për cdo gjë që kemi, ku e kemi, si e kemi. Pastaj secili t’i dalë për zot. Aty s’ka më pastaj, socialist-demokrat, solidaritet. Aty ka vetëm, ose me punën, me ndershmërinë e me Shqipërinë, ose te vendi. Kurse të tjerët, në një afat kohor, duhet të kenë mundësinë t’i sjellin paratë të gjitha në Shqipëri, komplet, t’i investojnë këtu dhe t’i fusin këtu në bankë me një interes minimal, për të cilin ne do të tregojmë qartësisht se për çfarë do i përdorim dhe sigurisht do i cojmë për arsim, do i cojmë për shëndetësi, do i cojmë në shërbim të publikut. Besoj që kjo do të na japë mundëisnë që ta shtyjmë ekonominë edhe më shumë, por jo vetëm kjo, por edhe të tjerë elementë dhe të gjithë ta dinë që kur mbaron afati.
Por, ama, në momentin që kalon afati pastaj, kush i ka gjërat të padeklaruara, se do fusim edhe elementin tjetër, që, të gjitha pasuritë jashtë, si në cdo vend normal, do deklarohen këtu, i ke atje, ti mbash atje, por shteti shqiptar, e para, duhet t’i dijë, e dyta, me ligj dhe në Konventën Europiane ka të drejtën të të vijë të të ndjekë deri në fund të botës nëse ke një shtëpi, apo pasuri që nuk e ke deklaruar këtu” tha kryeministri Edi Rama.