MENU
klinika

Zgjedhje e detyruar

Idea e NBA për të mbyllur sezonin aktual

31.03.2020 - 16:20

Basketbollistët e NBA të infektuar me koronavirus janë në gjendje të mirë dhe kanë kaluar pa pasoja COVID-19. Dhe tani sezoni mund të rifillojë shumë shpejt, edhe pse atje sapo ka filluar lufta ndaj koronavirusit.

Do të duhet një akord mes klubeve, lojtarëve, kompanive që kanë të drejtat televizive, por me një treg si ai i NBA që ka shikueshmëri në gjithë botën, të ardhurat për të mbuluar çdo shpenzim do të gjenerohen lehtë.

Plani i organizatorëve është që të mbyllin me çdo kusht sezonin aktual me një kampion dhe duket se kanë gjetur një mënyrë për ta bërë realitet, duke u ofruar spektakël amerikanëve të mbyllur në karantinë.

Për ta bërë realitet, ideohet që të gjitha skuadrat bashkë me stafet e tyre të grumbullohen në një vend të vetëm e shumë të kontrolluar, duke zhvilluar atje ndeshjet. Vendi në fjalë është pikërisht qyteti i Las Vegasit, i cili është në mes të shkretëtirës së Nevadas dhe është lehtësisht i kontrollueshëm.

Atje kanë në dispozicion të gjithë hotelet dhe palestrat, pasi qyteti është boshatisur si pasojë e koronavirusit, ndaj ofron kushtet e duhura që të luhet pa shqetësim, edhe pse pa tifozë. Vendimi përfundimtar duhet marrë brenda gjysmës së prillit, por në SHBA mendojnë se mund të gjejnë një akord për ta bërë realitet këtë vendim që do të ishte unik në historinë e sportit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Një lojtar i Utah Jazz del pozitiv

Ndalet basketbolli, pezullohet Euroleague dhe NBA