Pandemia e Covid-19 që po shkatërron jetë dhe jetesën në të gjithë botën ka sulmuar gjithashtu viktimën më delikate: tabutë konvencionale në të menduarit e politikës ekonomike po hiqen shpejt.
Propozimet ekonomike që një javë më parë dukeshin radikale, tani duken të ndrojtura. Paketat fiskale më të mëdha se gjithçka që është parë ndër vite, konsiderohen shumë të vogla vetëm disa ditë pasi ato u njoftuan.
Robert Chote, kreu i Watchdog i ngarkuar me monitorimin e disiplinës fiskale në Mbretërinë e Bashkuar, tha këtë javë se qeveria nuk duhet të shqetësohet për deficitet afatshkurtra sepse po përballet me diçka që i ngjan “një situate lufte”.
“Kjo nuk është koha për t’u mërzitur për ndonjë shtesë në borxhin publik,” u tha ai deputetëve.
Ka pasur një “pranim konsensual se kjo tronditje është absolutisht e ndryshme” nga krizat e mëparshme, thotë Beatrice Weder di Mauro, një profesoreshë ekonomie dhe presidente e Qendrës për Kërkime të Politikave Ekonomike. “Gjërat po ecin shumë shpejt dhe mendjet po punojnë po aq shpejt gjithashtu”.
Rezultati është që një seri idesh politikash të cilat dikur ishi të kufizuara në diskutime thjesht teorike, po marrin vëmendjen qendrore. Më e rëndësishmja nga ato qasje jo ortodokse është “rënia e helikopterit”, shtypja e parave dhe shpërndarja e tyre për të gjithë, pa kufizime.
Zonja Weder di Mauro ka bashkëredaktuar dy ebook për ekonominë e krizës së virusit në këto javë. Ajo vëren se mainstreami (rrjedha) kryesor i ekonomisë ka lëvizur shumë shpejt drejt pikëpamjes se politika më e mirë do të siguronte që “askush nuk duhet të humbasë punën e tij ose të ardhurat për shkak të virusit”.
Edhe mbështetësit e kësaj qasje dikur të paimagjinueshme pranojnë se do të jetë e kushtueshme. “Ne duhet të jemi të gatshëm të pranojmë deficitet fiskale në shkallën e vitit 2009”, thotë Adair Turner, ish-kreu i Autoritetit të Shërbimeve Financiare në Mbretërinë e Bashkuar.
Duke pasur parasysh nevojën për deficite të mëdha fiskale, debati për shtypjen e parave shtesë përfshin vërtet dy pyetje të veçanta politikash, thotë ai. E para është se si të financohet stimuli – a duhet të paguajnë bankat qendrore për të përmes financimit të drejtpërdrejtë monetar, duke shtypur në mënyrë efektive paratë, apo duhet që qeveritë të huazojnë në mënyrën e zakonshme? E dyta është se si paratë shpërndahen më pas, qoftë përmes parave të gatshme ose shpenzimeve të tjera qeveritare.
Ashtu siç është, ekonomistët dhe politikëbërësit po përgatiten ndaj përgjigjeve radikale për të dy pyetjet.
Bankat qendrore nuk kanë ofruar ende në mënyrë të qartë pagesën e deficiteve, por ata kanë hapur çezmat e programeve të mëdha për blerjen e bonove që qeveritë së shpejti do të emetojnë. Në eurozonë, ka diskutime të drejtpërdrejta për lëshimin e një “corona bond” të përbashkët ose ngritje të linjave të kreditit nga Mekanizmi Europian i Stabilitetit, fondi i shpëtimit i bashkimit monetar për sovranët, në pritje që Banka Qendrore Europiane të ruajë koston e një huazimi të tillë të ulët.
Disa ekonomistë tani bëjnë hapur thirrje për para të qarta nga helikopteri, në kuptimin që bankat qendrore duhet të financojnë drejtpërdrejt deficitet e qeverisë. “Unë mendoj se është koha e duhur për financimin monetar,” thotë Lord Turner. “Do të ketë një qartësi për t’i siguruar njerëzit se nuk ka kufi për paratë në dispozicion.”
Financat monetare u popullarizuan si një mundësi teorike nga Ben Bernanke, ish kryetari i Rezervës Federale të SHBA-ve. Që pas largimit nga Fed, Z. Bernanke ka argumentuar publikisht se “nën disa rrethana ekstreme” financimi monetar i shpenzimeve të deficitit fiskal “mund të jetë alternativa më e mirë në dispozicion”.
Kjo kishte qenë prej kohësh një pikpamje e papranueshme në mesin e ekonomistëve, të cilët u mërzitën nga stagflacioni (një situatë ekonomike ku inflacioni rritet, por Ekonomia qendron në vend) i viteve 1970 dhe shqetësoheshin për rreziqet e hiperinflacionit që kishte shkatërruar vende në Europën mes dy luftrave dhe së fundmi në botën në zhvillim. Kjo ndryshoi me krizën financiare globale, kur bankat qendrore u angazhuan në krijimin masiv të parave pa efekte inflacioniste. Paralajmërimet në lidhje me hiperinflacionin humbën rrezikun e tyre.
Përsa i përket shpërndarjes direkte të parave, ato tashmë po ndodhin. Në shkurt, qeveria e Hong Kong vendosi të transferojë 10,000 HK (1,270 dollarë) për të gjithë banorët e prekur financiarisht nga shpërthimi i virusit. Buxheti i fundit i Singaporit gjithashtu parashikon pagesa të vogla parash për të gjithë qytetarët e rritur.
Në SH.B.A., do të dërgohen çeqe direkt për të gjithë amerikanët. Ish këshilltarët ekonomikë të presidentëve Barack Obama dhe George Ë Bush e mbështesin idenë. Presidenti Donald Trump dhe sekretari i tij i Thesarit Steven Mnuchin e kanë propozuar atë, dhe senatorët e kanë përfshirë atë në projekt-ligjin e stimulit që po kalon aktualisht në Kongres.
Një arsye pse këto ide jo konvencionale po fitojnë terren është sepse kriza financiare, pabarazia në rritje dhe frika nga automatizimi teknologjik duke shkaktuar papunësi tashmë kishin shkaktuar interes në rritje për qasjet ndaj politikave të reja. “Ka nga pak” Unë e kam dashur gjithmonë këtë “, thotë zonja Weder di Mauro.
Betsey Stevenson, një profesor ekonomie në Universitetin e Miçiganit dhe një ish-këshilltar ekonomik në Shtëpinë e Bardhë në kohën e Obamas, tregon për koalicionin e gjerë të njerëzve që mbështesin të gjithë mjetet e parave të gatshme: “Njerëzit e të majtës. thonë se kjo është qasje e shkëlqyer, njerëzit e të djathtës. . . duan të ndihmojnë klasën e mesme; atyre që pëlqejnë thjeshtësinë administrative të saj; dhe pastaj njerëzit që e kuptojnë se koha është thelbësore. “
Një faktor i dytë që qëndron pas interesit për këto ide është se ato nuk janë plotësisht pa precedentë. Kriza financiare dhe pasojat e saj i detyruan bankat qendrore të ndërmarrin veprime që i afruan ato me financimin monetar.
Paratë e helikopterit janë tashmë këtu në kuptimin që “një bankë qendrore ofron transferime parashë në sektorin privat”, thotë Eric Lonergan, një menaxher i fondeve makro. Ai shton se Banka Qendrore Europiane tani ofron kredi për bankat me një normë interesi më të ulët, në kushte të caktuara, krahasimisht me interesat e rezervave të mbajtuar në depozitë praë BQE. Ky marzh është një transferim fiskal i financuar plotësisht. Z. Lonergan argumenton se kjo mund të zgjerohet dhe të lidhet me kushtet që në fakt do të transferonin subvencionin tek individët.
Lord Turner pohin se nuk ka ndonjë dallim të fortë midis financimit të hapur monetar dhe praktikës ekzistuese të bankave qendrore për blerjen e bonove qeveritare. “Çdo vit Banka e Japonisë blen borxhin e qeverisë japoneze të barabartë me deficitin e qeverisë. Kështu që vëllimi i obligacioneve në pronësi të sektorit privat nuk rritet. Ky është financimi i përhershëm monetar, “argumenton ai.
Qeveritë kanë dërguar gjithashtu më parë çeqe pa kufizime për të gjithë qytetarët. “[Presidenti George W Bush ofroi para direkte,” thotë Znj Stevenson. Dallimi është se në recesionet e 2001 dhe 2008 synimi ishte të stimulohej kërkesa, sot është të “vendosen para në duart e njerëzve që do të humbin punën e tyre” dhe të parandalojnë një “rënie ekonomike kaskadë”.
Përveç precedentit, arsyeja më e rëndësishme ndaj interesit për paratë e helikopterit – si financa monetare ashtu edhe si pagesa direkte me para cash – është shkalla e sfidës ekonomike.
“Nëse dikush do t’ju thoshte në Krishtlindje se këtë vit do të ndodhte një tronditje simetrike e madhe që do të godiste të gjitha vendet e përparuara dhe se kjo do të kushtonte pak a shumë sa 50 përqind e PBB-së për disa muaj ose ndoshta më gjatë
. . . natyra e gjërave që ndodhin në një luftë, të gjithë do të thoshin se je i çmendur, “thotë zonja Weder di Mauro. “Nuk kishte imagjinatë të parashiokonte se nga mund të vinte diçka e tillë.”
Qeveritë tani e gjejnë veten përballë një nevoje për të shpenzuar shumë më tepër dhe për të vepruar shumë më shpejt, sesa janë mësuar më parë. “Qëndrimi duhet të jetë ne jemi në luftë me këtë pandemi, ne do të fitojmë këtë luftë”, dhe deficitet dyshifrore janë një çmim që ia vlen të paguuhet, thotë Znj Stevenson. “Nëse fitojmë luftën, ne mund ti kompenesojmë ato para.”
Zonja Weder di Mauro thotë se “institucionet tona nuk janë ndërtuar për këtë”. Për arsye të mirë, qeveritë kanë krijuar sisteme për të drejtuar shpenzimet tek ata që kanë më shumë nevojë për të shmangur “rrezikun moral”, ku individët ose ndërmarrjet që marrin para publike shpërblehen për sjellje të dobët.
Megjithatë, në krizën aktuale, këto disiplina janë bërë pengesë për të ndjekur politikën e duhur. Një rast për pagesa direkte të parave cash është që ai do të mbërrijë më shumë njerëz më shpejt se sistemi ekzistues i përfitimeve. Zonja Stevenson thotë se sistemi amerikan i sigurimit kundër papunësisë në nivel shtetëror do të luftojë me valën e kërkesave për ta goditur atë.
“Është pothuajse e mundur që ata do të duhet të përpunojnë 1 milion [ankesa] një javë, por ata nuk janë të aftë të përpunojnë një sasi të tillë,” thotë ajo. “Është shumë e vështirë të kuptosh se kush ka nevojë me të vërtetë. Dërgo para në duart e gjithësecilit, mandej mund t’i pastrojmë të gjitha kur ti vijë koha. “
Ekzistojnë disa vende ku flukset e drejtpërdrejta të parave cash konsiderohen më pak të rëndësishme sepse ato kanë sisteme përfitimi më të sofistikuara dhe përfitues. Gjermania dhe vendet e tjera kanë pasur sukses me subvencionimin e Kurzarbeit, përmes të cilit punëdhënësit paguhen të mbajnë punonjësit në listën e pagave të tyre teksa shkurtojnë përkohësisht turnet e tyre. Megjithatë, edhe në një vend si Norvegjia, disa ekonomistë kanë bërë thirrje për pagesa universale në para cash për të shmangur proceset e ndërlikuara të verifikimit të mjeteve.
Sa për paratë e helikopterëve, qeveritë dhe bankat qendrore nuk janë ende gati. Mund të jenë edhe përballë perspektivës së financimit të hapur monetar, liderët më “agresivë” të eurozonës do të preferojnë huazimin e garantuar të përbashkët – përmes një eurobondi, të cilin ata më parë e kanë kundërshtuar, por mund ta konsiderojnë një të keqe më të vogël. Sido që të jetë, tabutë e kaluara po avullojnë me shpejtësi.
“Dallimi fiskal-monetar mund të prishet” nëse kriza është e gjatë, thotë zonja Ëeder di Mauro. “Gjatë kohës së luftës, të gjitha llojet e dallimeve prishen.”
Por, ajo shton: «Instrumentet akoma duhet të rregullohen sipas rëndimit të problemit. Çfarëdo që të nevojitet nuk do të thotë që të shkatërrosh gjithçka që ke pasur dhe ke.”/ Financial Times