MENU
klinika

Detajet e fundit

Koronavirusi/ Si paraqitet situata në Shqipëri dhe në botë?

10.03.2020 - 09:51

Në më pak se 24 orë nga identifikimi i 2 rasteve të para me Koronavirus në Shqipëri, babë e bir nga Tirana, është rritur numri i të infektuarve në 6 gjithsej.

Pas atë e bir, tre familjarë të tyre kanë rezultuar pozitivë edhe nuk kanë shfaqur asnjëri simptoma apo probleme shëndetësore. Ata do të qëndrojnë në shtëpi në izolim dhe nën mbikëqyrje mjekësore. Ndërsa rasti i gjashtë është një 31 -vjeçar nga Tirana, që ka pasur histori udhëtimi me Milanon 6 ditë më parë dhe është kthyer pas një qëndrimi të shkurtër vetëm njëditor në vendin fqinj. Sot në të gjtihë Shqipërinë janë pezulluar aktivitetet dhe mësimi në të gjitha institucionet arsimore për dy javë, ndërsa fluturimet me Italinë janë anuluar deri në 3 prill!

E gjithë Italia në karantinë. E gjithë Italia, një vend me rreth 60 milionë njerëz – është vendosur në karantinë, pasi qeveria rriti përpjekjet për të trajtuar shpërthimin e Koronavirusit që ka prekur më shumë se 9,000 njerëz dhe ka shkaktuar 463 viktima në vend. Kryeministri Giuseppe Conte njoftoi të hënën vonë se ai po shton kufizime në udhëtime, që kishin ekzistuar në veri, në të gjithë vendin.

89 të infektuar me Koronavirus në Greqi. Ministri i Shëndetësisë së Greqisë Vasilis Kikilia, ka deklaruar se numri i personave të infektuar me Koronavirus në vend ka shkuar në 89. Rreth 11 persona u diagnostikuan vetëm dje me Koronavirus. Nga pacientët, 27 janë në spital ndërsa njëri prej tyre është në gjendje të rëndë me pneumoni të rëndë në Spitalin Rio, shkruan media greke Zougla.

Edhe Spanja ka mbyllur shkollat dhe universitetet në rajonin e Madridit. Eshtë bërë e ditur se nuk do të punojnë për dy javë. Kjo po cilësohet si masë parandaluese në luftën kundër përhapjes së koronavirusit. Për këtë arsye mbi 1.2 milionë nxënës dhe studentë do të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre, e masa të njëjta kanë ndërmarrë edhe autoritet e rajonit Bask.

Presidenti portugez Marcelo Rebelo de Sousa, 71-vjeç i është drejtuar gazetarëve në tarracën e katit të parë të shtëpisë së tij, duke porositur se do të qëndrojë në vetëizolim për dy javët e ardhshme, edhe pse testet e bëra kanë rezultuar se ai është negativ, që do të thotë se nuk është prekur nga coronavirusi. Numri i të infektuar me koronavirus është rritur për dy, kështu Sllovenia tani numëron 25 persona të prekur.

Marketet nëpër Britani të Madhe kanë kufizuar qytetarët sa i përket blerjes së numrit të artikujve ushqimorë, kjo për faktin se ka mjaftueshëm dhe me këtë veprim nuk ka nevojë të krijohet panikë. Rritet numri i të prekurve me Koronavirus në Maqedoninë e Veriut. Numri i përgjithshëm i të prekurve nga Koronavirusi në Maqedoninë e Veriut ka shkuar në 7. “Pacientët pozitivë, nga e premtja, 6 marsi, kanë qenë në izolim shtëpiak, që nga sonte ata do të trajtohen në spital pranë Klinikën e Sëmundjeve Infektive dhe Febrile në Shkup”, thotë Ministria e Shëndetësisë.

Infektimi i një drejtoreshe të Klinikës për sëmundje të lëkurës, ka bërë që 193 persona të tjerë të vendosen në izolim shtëpiak, 103 prej të cilëve pjesëmarrës në një konferencë të mjekëve dermatologë ku ishte prezente drejtoresha.

Territoret palestineze konfirmojnë 26 raste të reja. Autoritetet palestineze konfirmuan një rast të ri me Koronavirus në Bregun Perëndimor. “Ministria e Shëndetësisë ka raportuar një rast të ri në Betlehem, i cili rrit numrin e personave të infektuar me Koronavirus në 26, tha zëdhënësi i qeverisë Ibrahim Melhem në një deklaratë. Javën e kaluar, Ministria Palestineze e Shëndetësisë njoftoi një gjendje të jashtëzakonshme në qytetet e Bethlehem dhe Jericho të Bregut Perëndimor për rastet e dyshuara të Koronavirusit. Ministria tha që një hotel në Betlehem ishte karantinuar për shkak të një numri në rritje të rasteve të dyshuara.

Turistja gjermane diagnostikohet me Koronavirus në Qipron veriore. Një grua gjermane me pushime në Qipron veriore është diagnostikuar me Koronavirus, njoftoi agjensia shtetërore e Turqisë Anadolu e lajmeve. Qeveria qipriote greke e njohur ndërkombëtarisht në jug të ishullit konfirmoi gjithashtu dy rastet e para me Koronavirusit të hënën.

Presidentit Trump i kërkohet të testohet për Koronavirus. Presidenti amerikan Donald Trump nuk është testuar për Koronavirusin edhe pse të paktën dy ligjvënës me të cilët ai kohët e fundit ka qenë në kontakt, janë në izolim pasi morën pjesë në një konferencë ku një delegat u konfirmua pozitiv me virusin. “Presidenti nuk ka bërë testimin e COVID-19 sepse ai as nuk ka pasur një kontakt të zgjatur të ngushtë me ndonjë pacient të njohur të konfirmuar me COVID-19, dhe as nuk ka ndonjë simptomë. Presidenti Trump ka shëndet të shkëlqyeshëm dhe mjeku i tij do të vazhdojë ta monitorojë nga afër”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Stephanie Grisham në një deklaratë. E pesë anëtarë të Kongresit amerikane prej sot janë futur në vetëizolim, e në mesin e tyre janë dy Republikanë që kanë qenë në kontakt me presidentin Donald Trump.

Numri i të vdekurve nga shembja e një hoteli karantinë në Kinë rritet në 20. Sikur të mos mjaftonte tragjedia e virusit në Kinë që ka shkaktuar mbi 3 mijë të vdekur dhe mbi 80 mijë të infektuar, vendi po vuan tragjedi të tjera. Numri i vdekjeve nga shembja e një hoteli të përdorur si karantinë në Kinën lindore ka shkuar në 20, tha Ministria e Menaxhimit të Emergjencave në një konferencë për shtyp të martën. Dhjetë njerëz ende janë të bllokuar nën rrënoja. Ndërtesa në qytetin bregdetar të Quanzhou ishte duke u përdorur për të strehuar njerëz që kishin qenë kohët e fundit në rajone të prekura nga COVID-19, sipas gazetës lokale Quanzhou Evening News. Ai u shemb të shtunën në mbrëmje.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


CNBC/ "Themeli i luftës është ekonomia"

“Me apo pa koronavirus, Kina do tejkalojë SHBA”