MENU
klinika

"Receta e mamit"

Macarons me çokollatë… për t’i bërë në shtëpi

21.03.2020 - 08:15

Koha e përgatitjes: 15 minuta

Koha e gatimit: 1 orë

Receta për: 6 persona

Të bukura për t’u parë, elegante në formë, të shijshme për t’u ngrënë. Macarons me çokollatë janë një ëmbëlsirë klasike e shkollës franceze, që vijnë nga traditat e rafinuara të fisnikërisë pariziene: për shembull mbretëresha Maria Antonetta marrosej prej tyre. Sot do t’ju prezantojmë një ëmbëlsirë perfekte, për t’u shijuar me një filxhan kafe ose me një filxhan çaj pasdite.

INGREDIENTËT

  • 6 vezë në temperaturë ambient
  • 60 gr sheqer
  • 50 gr kakao pluhur
  • 400 gr sheqer pluhur
  • 250 gr bajame të grira pluhur
  • Për mbushjen:
  • ½ shkopi vanilje
  • 1 filxhan pana
  • 200 gr çokollatë fondente
  • 75 gr gjalpë

UDHËZIMET

  1. Bluani bajamet derisa të bëhen pluhur.
  2. Rrihni të bardhat e vezëve derisa të bëhen marengë. Mënjanë, përzieni 60 gr sheqer me 50 gr kakao pluhur dhe me një spatul, shtoni të bardhat e vezëve duke i përzier me delikatesë.
  3. Në një enë tjetër, bashkoni miellin e bajameve dhe sheqerin pluhur, më pas shtojani me kujdes përbërjes.
  4. Transferojeni përbërjen në një xhep pastiçerie dhe në një tepsi ku keni shtruar letër furri formoni disqe në madhësinë e dëshiruar duke derdhur kremin e krijuar.
  5. Lërini të thahen në ajër për një orë.
  6. Vendosini në furrë, në mesin e saj, në programim të ventiluar (160 gradë) për 10-15 minuta në mënyrë që nxehtësia t’u shkojë nga poshtë-lart. Lërini të ftohen para se t’i hiqni nga tepsia: Ëmbëlsirat duhet të jenë të buta së brendshmi dhe krokante nga jashtë.
  7. Për mbushjen: Ndani për së gjati shkopin e vaniljes që të nxirrni prej tij faat. Në një tigan shtoni shkopin, bashkë me farat dhe panën duke i ngrohur derisa pana të marrë valë.
  8. Më pas hiqeni vaniljen dhe shtoni çokollatën të cilën e keni copëtuar më parë dhe gjalpin duke i përzier fort derisa të merrni një përbërje homogjene.
  9. Lëreni të ftohet në frigorifer duke e përzier herë pas here.
  10. Nxirreni kremin nga frigoriferi, përziejeni fort me një rrahëse vezësh dhe transferojeni në një xhep kuzhine. Vendoseni nëpër macarons dhe bëjini çift ato.