Koronavirusi ka mbërthyer gjithë shtetin e Italisë, që është një nga epiqendrat më të mëdha të kësaj sëmundje në Europë. Ekipet italiane që luajnë në Champions dhe Europa League janë shndërruar në një rrezik për përhapjen e Covid-19.
Kundërshtarët nuk pranojnë kurrsesi të luajnë në stadiumet e tyre. Një nga klubet që e ka marrë këtë masë është edhe Getafe. Ata kanë përballë Interin në fazën e 1/8 të Europa League dhe i frikësohen një infektimi të mundshëm në rast se vendoset që të luhet në “San Siro”.
Presidenti i Getafes, Anhel Torres, është shprehur se skuadra e tij është gati të dalë nga gara në rast se UEFA vendos që ndeshja e parë me Interin të luhet në Milano, ku është një nga epiqendrat më të mëdha të Covid-19.
“Skuadra jonë kurrsesi nuk do të shkojë në Milano edhe nëse merret vendimi që ne ta humbim këtë ndeshje në tavolinë. I kemi kërkuar UEFA-s që të gjejë një zgjidhje alternative. Nëse merret vendimi që ne të udhëtojmë për atje, ne nuk do e bëjmë këtë, pasi Italia është në alarm të madh për shkak të koronavirusit”, – u shpreh presidenti i Getafes.
Ndeshja Inter-Getafe ishte programuar për t’u luajtur të enjten në orën 21:00 dhe me siguri nuk do të luhet, pasi ekipi spanjoll nuk ka udhëtuar. Mbetet për t’u parë vendimi I UEFA-s, do të shtyjë ndeshjen, do të luhet në një fushë neutral jashtë Italisë apo do t’u japë fitoren në tavolinë zikaltërve.