MENU
klinika

COVID-19/ Intervistë me epidemiologun

Përgjigje nga Londra: Kur del vaksina, ç’po ndodh në Shqipëri…

17.03.2020 - 18:47

Nga Entela Resuli

Jeta ka ndaluar. Një virus i shfaqur në muajin dhjetor të vitit të kaluar ka kapur në befasi si vendet me ekonomi të zhvilluar, ashtu edhe ato më të dobtat, siç jemi ne.

Duket e pakuptueshme situata ku gjendemi, gati-gati surreale, por ja që po ndodh. Po mundohemi të mbrohemi nga një armik i padukshëm… Ekspertët që flasin në situata të tilla janë të shumtë, por aq sa është e rëndësishme të mbrohemi nga virusi, po aq e rëndësishme është të mbrohemi nga informacionet e rremë të cilat më shumë të shkaktojnë panik se sa të informojmë.

DITA kontaktoi me një nga epidemiologët më të mirë shqiptarë që jeton dhe punon në Londër.

Laidon Shapo është mjek dhe specialist i shëndetit publik.  Ai ka shkuar në Londër me një master në shëndet publik (1998-99) dhe ka afro 22 vjet që punon në sektorë të ndryshëm në shëndetësi (NHS, kërkime shkencore, këshilltar për problemet shëndetësore). Tre vitet e fundit drejton programin e integrimit të shëndetit dhe çështjet sociale pranë Bashkisë se Southwark në Londër. Përpara se të vendosej në këtë vend ka punuar në Shqipëri në vitet 1993-‘94 pranë Ministrisë  së Shëndetësisë me një projekt të PNUD-it, dhe më pas në Institutin e Shëndetit Publik (1994-1998).

– Doktor, jemi në një situatë të panjohur më parë. Çfarë e solli gjithë këtë përhapje të koronavirusit?

Gjithmonë me daljen/zbulimin e një virusi të ri bota përballet me një situatë të re. Në dhjetor 2019, një virus i ri (i panjohur më parë), që mori emërtimin COVID-19, u shfaq në pacientët e parë me pneumoni të lidhura direkt me një grup rastesh prezantuar me probleme akute respiratore në Wuhan të Kinës.

Brenda një kohe relativisht të shkurtër (fundi i Shkurtit 2020), një numër i madh vendesh përfshi ato europiane u gjendën në të njëjtin pozicion me transmetim të këtij infeksioni. Pse u përhap kaq shpejt? Padyshim që megjithë masat e marra në Wuhan fillimisht dhe vendet e prekura më pas, ky virus arriti të depërtojë si pasojë e lëvizjes së lirë të njerëzve të paktën për një periudhë disa javore ku pacientët e prekur s’paraqisnin shenja të sëmundjes çka e vështirësonte zbulimin e rasteve.

-Edhe në Shqipëri, ashtu si në disa vende të botës, virusi i quajtur Covid-19 ka mbërritur dhe po infekton shumë njerëz. Dihet pak për këtë virus, ose informacionet janë kontradiktore, mund të na thoni, çfarë është?

Po është e vërtetë – Shqipëria tashmë është pjesëtare e hartës së vendeve ku ky virus i ri është përhapur.

Covid-19 është një shtam virusal, që për herë të parë siç thamë më lart u diagnostikua në Wuhan, që është provincë e Hubei-t në Kinë. Aty është dhe zanafilla e kësaj epidemie (që nga Dhjetori i 2019) Ekspertët e shëndetit kanë disa muaj tashmë që monitorojnë nga afër situatën, dmth kush preket më shumë dhe pse, periudhën e inkubacionit, mënyrën e përhapjes së virusit dhe shenjat e para, kush kërkon hospitalizim dhe progresin e sëmundjes në popullatë. Nuk duhet të harrojmë se në momentin e prezantimit pak dihej rreth këtij virusi – por ai tregoi që është një virus i egër që mund të shkaktojë raste të rënda dhe pneumoni bilaterale në një grup më të vogël njerëzish.

-Pse u shfaq tani, nga  se vjen dhe si mund të mbrohemi?

Pse u shfaq në fillin të dhjetorit 2019 në Wuhan – debatet shkencore në këtë pikë vazhdojnë. Gjithsesi ajo që tashmë dihet është se koronaviruset gjenden rëndom në kafshë të ndryshme dhe në momente të caktuara (pse-ja nuk dihet ende) ato evoluojnë në forma që mund të infektojnë njerëzit. Dy koronaviruse të tjerë na kanë vizituar që nga fillimi i këtij shekulli dhe ato kanë shkaktuar shpërthime epidemike në njerëz përfshi këtu SARS në 2002 dhe MERS në 2012.

Shkencëtarët mendojnë se virusi i ri Covid-19 u mutua dhe preku njerëzit në Dhjetor 2019. U duk fillimisht sikur virusi infektoi personat që kishin konsumuar prodhime deti (marketin e Ëuhan-it), por një studim i publikuar në 24 Janar 2020, raportoi se pacienti i parë (ose rasti zero) që u sëmur me këtë virus s’kish patur asnjë kontakt me këtë market. Tashmë masat preventive njihen pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH/WHO) i ka bërë publike dhe i ka shpërndarë ngado.

Ato janë:

  1. Larja e shpeshtë dhe e kujdesshme e duarve me ujë dhe sapun për të paktën 20 sekonda. Nëse jeni diku që kjo s’është e mundur atëherë duhet përdorur alkool gel (hand sanitizer) me të paktën 60% alkool.
  2. Mos-prekja e syve, hundës dhe gojës me duar të palara.
  3. Mbajtja distancë (1.5-2m) me kontaktet që mund / ose janë të infektuara.
  4. Qëndrimi në shtëpi (izolimi vetjak) për të paktën një javë nëse keni shenja qoftë dhe të lehta të Covid-19 ose dhe të gripit stinor.
  5. Përdorimi i pecetave higjienike një përdorimshe për të kapur teshtimat, kollën dhe hedhjen e tyre në kosh – shoqëruar me larje të plotë të duarve (pika 1)
  6. Përdorimi i pastruesve në shtëpi apo letrave dezinfektuesve në punë për të pastruar sipërfaqen (vendin) ku punoni dhe objektet që prekni më shpesh.
  7. Për grupet vulnerable, gjithmonë rekomandohet vaksina kundër gripit stinor, megjithëse nuk ka të dhëna nëse ajo ofron sadopak mbrojtje kundër Covid-19.

-Në fillim u tha se është një grip si gjithë të tjerët, tani thuhet se është pak me keq se gripi, çfarë është realisht dhe deri ku shkon rreziku?

Disa nga simptomat si dhimbje muskujsh, dhimbje fyti, temperaturë – duken të ngjashme mes gripit sezonal dhe Covid-19 – gjithsesi ky virus i ri nuk është i njëjtë me gripin sezonal.

COVID-19, që është sëmundja shkaktuar prej koronavirusit, është fatal në afro 3.5% të rasteve të konfirmuara. Ndërkohë që kjo shifër s’është e njëjtë me nivelin e vdekshmërisë (numër rastesh të identifikuara/ numër vdekjesh), duke marrë parasysh që një numër i konsiderueshëm rastesh mund të jenë të infektuara por nuk e dinë, Covid-19 është mjaft më i lartë se gripi stinor, që normalisht ka një vdekshmëri tek 0.1% (të pacientëve të prekur). Një sërë specialistësh mendojnë që ka akoma të paditura në lidhje me nivelin e vdekshmërisë se Covid-19 dhe kjo dhe në lidhje me cilësinë e kujdesit shëndetësor të ofruar.

-Është vërejtur se prek kryesisht të moshuarit, por nga ana tjetër nuk mungon as mosha e mesme, pse?

Ky është një virus i ri, i panjohur që prek çdo moshë dhe ku imuniteti mungon.

-Si ka mundësi që bota ka bërë shpikje të mëdha dhe nuk gjen dot një vaksinë për një grip?

Ka një numër agjencish farmaceutike që po përpiqen për zhvillimin e një vaksine kundër Covid-19.  Disa kanë arritur të gjejnë formulën e duhur por që vaksina të dalë në treg e të përdoret nga popullata ajo duhet të kalojë një seri testesh në kushte laboratorike (me kavie eksperimentale fillimisht dhe teste ne njerëz/vullnetare).

Një vaksinë e tillë realisht mund të vihet në përdorim pas një viti. Duket si larg në kohë, por disa modele matematikore të sëmundjes projektojnë që ky virus do jetë vërdallë për më shumë se një vit apo dy.

-Doktor, ju e njihni popullatën shqiptare, sëmundjet nga të cilat ajo preket, çfarë pritshmërish keni për këtë virus, si e mendon përhapjen në vendin tonë?

Popullata shqiptare është deri diku e re me përqendrim në grup moshat 15-54 (afro 60%). Pritshmëria ka të bëjë me kurbën epidemike dhe si ecën ajo që nga raportimi i rasteve të para atje.

Masat e forta kanë treguar që veprojnë në uljen e kësaj kurbe dhe pikut epidemik në veçanti por nuk janë të mjafta. Ato duhet të respektohen me fanatizëm dhe vazhdojnë valë- valë. Sidomos kujdes do bërë me popullatat vulnerable (moshat 65+ dhe ata me probleme pre-ekzistuese shëndetësore).

-Si përhapet ky virus, pasi në fillim i tha se përhapet me spërkla, pastaj se virusi qëndron në ajër, më vonë nga këpucët, më pas nga rrobat… ka kaq shumë konfuzion… Mund të na thoni diçka në këtë drejtim?

COVID-19 shpërndahet përmes spërklave të kollës (rrugët respiratore) pra që njerëzit të infektohen duhet të jenë në kontakt të afërt (1.5 -2 m) me dikë që është i infektuar (ose në fazë kontagioziteti) dhe që teshtin ose kollitet i pa mbrojtur.

Por kjo nuk është e vetmja rrugë e transmetimit të infeksionit: prekja e sipërfaqeve ose objekteve të kontaminuara dhe çuarja e duarve në gojë, hundë, sy (fytyrë). Simptomat e Covid-19 fillojnë nga 2 në 14 ditë pas ekspozimit me virusin në fjalë dhe paraqiten me temperaturë, kollë, rrjedhje hundësh dhe vështirësi në frymëmarrje.

Gjithashtu virusi mendohet që qëndron edhe në ajër për disa orë.

-Sa qëndron virusi në trupin tonë dhe a ka mundësi rikthimi pasi je shëruar njëherë?

Të dhënat flasin se virusi mund të qëndrojë në trupin tonë për disa javë, por faza që ata që preken tua japin virusin të tjerëve nuk është më shumë se 7 ditë.

Gjithsesi këshillat më të fundit në Britaninë e Madhe janë që nëse dikush shfaq simptoma (temperaturë mbi 37.8 ose kollë të vazhdueshme) duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe vete-izolohen për dy javë.

-Përse në disa vende është bërë vatër e frikshme dhe në disa të tjera më pak?

Kjo varet nga një mori faktorësh. Kina tregoi një model të infeksionit dhe masave drastike karantinuese të marra (duke izoluar një qytet 11 milionësh) që dhanë efekt pas dy muajsh, ndërkohë që Italia prezanton një model tjetër të të njëjtit virus dhe infektimit të popullatës me të.

Në varësi se kur janë marrë masat e para preventive, grup moshat e prekura dhe mosha mesatare e popullatës ky virus mund të prezantojë fytyrën e tij më të egër. Është e rëndësishme që masat e marra në vende të ndryshme të ndjekin këshillat e OBSH-se dhe të kenë efekte unison në përballjen me këtë pandemi. Të frikshme vatrën e bën numri i rasteve, ashpërsia e tyre, sa kërkojnë hospitalizim dhe numri i fataliteteve.

-A ndikon klima në përhapjen e tij? Sa qëndron teoria se me rritjen e temperaturave do të zhduket virusi?

Ka disa teori (dhe eksperimente laboratorike) të tilla që me ngritjen e temperaturave ky virus mund të humbi disi potencën infektive por këto nuk janë të verifikuara shkencërisht.

-Si i vlerësoni masat që ka marr Shqipëria?

Masat që janë marrë në Shqipëri janë të drejta dhe konform këshillave të OBSH-së dhe specialisteve vendas. Është e rëndësishme të komunikohet drejt dhe rregullisht me publikun që ai të sensibilizohet plotësisht për masat e marra dhe kohëzgjatjen e tyre.

Shqipëria ka shumë nevojë të vlerësoje kurbën epidemike të saj (e ndryshme nga Italia dhe vendet fqinje e më gjerë); numrin e rasteve, përhapjen gjeografike, shtresat/grup moshat e prekura dhe hospitalizimet. Shqipëria është një vend me burime të limituara për testime masive dhe përballje me rastet e vështira hospitalore. Gjithsesi eksperiencat e deritanishme flasin që masat drakoniane duhen alternuar pasi me uljen e tyre virusi mund të rigjallërohet.

-Përse Britania e Madhe po vepron disi më ndryshe nga vendet e tjera?

Çdo vend i prekur ka ndjekur një strategji që i shkon përshtat bazuar në këshillat e OBSH-së, fillimin e epidemisë dhe rasteve të para, rritjes epidemike ditore/javore, numrit të të prekurve, fataliteteve dhe fuqisë parandaluese dhe spitalore në përballje më rastet e avancuara apo më prekje të pulomeneve. Në këtë kontekst dhe Britania e Madhe ka ndjekur një strategji specifike fillimisht me fazën e kontrollit të situatës (containment phase), kjo si pasojë e numrit jo të madh të rasteve dhe masave të marra në aeroporte, transport, shkolla, grumbullime njerëzish dhe gjurmim të rasteve përmes testeve laboratorike.

Për shembull deri më sot janë testuar mbi 40 000 njerëz dhe janë kapur 1543 raste me Covid-19. Në javën e fundit dhe sot në konferencën për shtyp PM Boris Johnson dhe këshilltaret e tij hodhën idenë për masa më drastike si pasojë e rritjes së rasteve me qëllim uljen e pikut epidemik që pritet në javët në vijim me një përqendrim më të madh të kujdesit shëndetësor tek shtresat më vulnerable të popullatës (ato mbi 65 vjeç, me probleme shëndetësore etj) me qellim shtyrjen e pikut te rasteve drejt muajve më të ngrohtë sidomos për t’i dhënë mundësi sistemit shëndetësor Britanik të përballet me rastet që kërkojnë hospitalizim.

– Doktor, a duhet të kemi frikë dhe pse?

Dihet tashmë që shpërthimi dhe përhapja pandemike e koronavirusit (Covid-19) lë gjurmë në psiqikën e njerëzve.  Kjo është një periudhë stresante ku nivelet e frikës  dhe ankthit rriten me kalimin e kohës dhe të dhënave (raste/fatalitete) në proporcion të drejtë me emocionet dhe merakun për familjaret, fëmijët dhe shtresat në nevojë apo me probleme shëndetësore. Përballja me këto strese (që i shtohen jetës së përditshme) mes të qëndruarit pranë njeri-tjetrit virtualisht dhe si një trup i vetëm do bëjë që në të ardhmen e afërt i gjithë komuniteti të ndihet më i fortë.

Ky nuk është as virusi i parë e as i fundit që njerëzimi përballet dhe fiton – dalja e vaksinës do ndihmojë ndjeshëm në këtë drejtim.

Grupet me vulnerable që mund të preken më shume nga stresi janë:

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Testet te njeriu në muajin prill

Koronavirusi, një vaksinë nga Shtetet e Bashkuara

Çfarë thonë shkëncëtarët?

Zbulohet burimi i përhapjes së koronavirusit!