Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një mesazh nga shtëpia e tij në Surrel, ku ashtu si çdo shqiptar ka qëndruar për të zbatuar masat ndaj koronavirusit.
Rama thotë se po kalon me djalin e tij të vogël, Zahon kohë që s’ka pasur kurrë mundësi ta ketë dhe se i vjen mirë që shumica e kanë mirëpritur shtetrrethimin. Rama paralajmëron një paketë të re masash, për ata që abuzojnë si me lëvizjen, ashtu dhe me rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe ilaçeve.
“Fatmirësisht unë jam dhe i mësuar të punoj shumë online dhe përveç punës nuk më duket aspak keq të kaloj me Zahon kohë që skam pasur kurrë mundësi ta kem, kështu siç e kemi sot. Ju ndjek dhe juve, jo nga makina por nga shtëpia. Më vjen mirë që shumica juaj e keni mirëpritur këtë shtetrrethim të këtyre 3 ditëve dhe 2 netëve. Nuk rri dot pa thënë që më vjen mirë po ashtu se deri dhe vlonjatët nuk e kanë shkelur më shumë se të tjerët, dmth fare pak rregullin e moslëvizjes me makinë në qytet. Askush nuk e di dhe nuk e thotë dot sa do zgjasë. Nuk do jetë një histori shumë e shkurtër dhe as e lehtë. Më shani mua sa të doni por masat do të zbatohen bashkë me ndëshkimet. Kush do kapet në qarkullim mund ta humbasë patentën përfundimisht dhe të ndalohet të hyjë në kurs për disa vjet. Kush luan me çmimet e ushqimeve dhe barnave mund ta humbasë të drejtën të tregtojë më. Po përpunohet një paketë masash e sanksionesh. T’i gëzohemi manifestimit fantastik të solidaritetit ku po marrin pjesë. Ju përqafoj nga larg dhe mos harroni këshillat”.