MENU
klinika

"S'duhet të humbasim një mal me njerëz"

Rama: Kemi hyrë në fazën e shpërthimit të COVID 19

23.03.2020 - 14:48

Përmes një videomesazhi, kryeministri Rama tha se kjo javë do të jetë tejet e vështirë, pasi kemi hyrë në fazën e shpërthimit të epidemisë së COVID 19. Shefi i qeverisë paralajmëroi se do të humbasim njerëz, por nuk duhet të lejojmë kurrën e kurrës të humbim një mall me njerëz.

Rama: Kjo javë do të jetë tejet e vështirë sepse tani hyjmë në fazën e shpërthimit më intensiv të atyre bombave në trupin e njerëzve të prekur. Fatkeqësisht humbi jetën edhe një 43 vjeçar i cili nuk vuante nga ndonjë sëmundje kronike, ngushëllime familjes së tij dhe të ndjerëve të tjerë që kishin probleme serioze paraprakisht por që armiku u shkurtoi jetën. Kjo mortje që ka sulmuar botën synon më të moshuarit dhe më të dobëtit mes nesh por as të rinjtë nuk janë 100% të paprekshëm prej saj, përkundrazi. Ndaj ju lutem të gjithëve mos luani me zjarrin. Nuk ndalim dot vdekjen të na marrë njerëz por duhet me çdo kusht të ndalim kërdinë që mund të bëjë për shkak të pakujdesisë, kokëfortësisë dje papërgjegjshmërisë sonë. Do të humbasim njerëz, nuk e di sesa, por nuk duhet në asnjë mënyrë të humbasim një mal me njerëz, kurrën e kurrës. Këtë e kemi vetë në dorë, duke bërë durim.

Shefi i qeverisë përsëriti edhe njëherë këshillat kryesore për qytetarët që vazhdojnë të dynden gjatë fashës së lejuar të lëvizjes para dyqaneve dhe sporteleve të ndryshme, qofshin këto banka, Ujësjellës apo OSHEE.

Rama: Kur dilni për pazar apo shkoni në bankë mos rrini grumbull por në distancë të paktën 1 metër pas kurrizit të njëri-tjetrit, në radhë vijë e drejtë. Pse është kaq e vështirë xhanëm kjo dreqi e mori? Pse? Ca qahen për oraret, po çfarë lidhje kanë oraret me mosqëndrimin në radhë siç duhet? Çfarë lidhje kanë oraret me ecjen në rrugë dyshe apo treshe kur është e rrezikshme dhe e ndaluar. Janë shërbime që i bëhen armikut, në grumbullimet kaotike apo ecjet pranë e pranë gjen shesh për përsheshin e hidhur që kërkon të gatuajë për ne dhe të bëjë me ne. Shikoni çfarë po ndodh në botë, po mendojnë të shtojnë sipërfaqet e varrezave.Ne u futëm shpejt në llogoren e masave shtrënguese dhe është qesharake dhe tragjike që ta humbasim avantazhin që kemi krijuar për “mustaqet e Çelos”. Kush ka menduar se kjo luftë do të kalojë pa humbje jete e ka menduar gabim dhe kush se ka marrë vesh akoma që virusi do të prekë shumicën prej nesh si kudo në botë. Por gjithçka bëjmë ne me disiplinimin ngadalësojmë shumë përhapjen e armikut dhe ulim humbjet e jetëve. Forca dhe durim, duhet të dalim nga kjo luftë me kokën lart dhe jo duke numëruar qindra të vdekur.Bëni kujdes të lani duart, mos prekni fytyrën pa larë duart, mbani në distancë të moshuarit.

Këshilla pati edhe për qytetarët që vazhdojnë të jenë në punë.

Rama: Ata që shkojnë në punë të mos prekin njeri me dorë, të mos prekin njëri-tjetrin, të mbajnë distancë, të mos prekin fytyrën me duar të palara. Janë gjëra të thjeshta. Kjo luftë fillon kur hapim sytë në mëngjes dhe mbaron kur mbyllim sytë në darkë për të nisur nesër sërish.

Rama tha se po luftojmë si duhet dhe shprehu besimin se të pabindurit do të pakësohen dita-ditës.

Rama: Duke parë buletinin e luftës ku numri i jetëve të humbura u shtua dhe do të shtohet. Por në asnjë mënyrë nuk duhet të marrë përpjetë dhe të na nxijë fare jetën me vdekje që rriten për shkakun tonë. Dhe Zoti thotë ndihmo veten të të ndihmoj. As Zoti vet nuk na ndihmon dot po nuk ndihmuan veten dhe njëri-tjetrin. Me besa-besë, ta zbrapsim këtë mortje nga shtëpia jonë Shqipëria dhe të shmangim medeomos katastrofën. Disa humbje si kemi ne në dorë por shmangien e katastrofës e kemi në dorë ne dhe vetëm ne.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Harta zgjerohet me Vlorën che Shkodrën

COVID-19/ Bilanci rritet me 104 të infektuar

"Shtrëngoni dhëmbët dhe duroni"

Rama: Javë e vështirë, po humbasim njerëz