Ditë të vështira për futbollin italian, në veçanti për Serinë A, që është duke u përballur me emergjencën e Koronavirusit dhe me humbjet e mëdha ekonomike. Drejtuesit e Ligës së futbollit po diskutojnë 3 pika kryesore. Së pari, rikthimi i skedinës së famshme Totocalcio.
Një skedinë e re moderne, e gjitha për t’u studiuar në detaje, që jep mundësinë për të ndarë fitimet mes klubeve. Pra, përfitimet ekonomike këtë herë nuk do të shkojnë në arkat e shtetit, por klubeve. Së dyti, klubet duan që t’u jepet liri në reklamat e basteve sportive, në mënyrë që zbusin humbjet në këtë situatë. Kjo pikë duket e panegociueshme me Qeverinë Italiane, e cila edhe më parë është treguar shumë e rreptë në këtë kërkesë.
Dhe së treti, të shtyhen afatet e taksave dhe të diskutohen uljet e pagave të futbollistëve, palëve të dyta dhe të treta. Sa i përket çështjes së shkurtimit të pagave, idea është që të ulen me 30% pagat neto. Kjo pikë do të diskutohet edhe në UEFA, e cila po ndjek më vëmendje zhvillimin e ngjarjeve në të Evropën.
Problemi më i madh mbetet rifillimi i kampionateve, sidomos në Itali, ku në horizont shihet data 9 maj, gjithnjë nëse rreziku nga Covid-19 do të ketë kaluar. Fundja edhe zhvillimi i ndeshjeve pa spektatorë do të ishte një zgjidhje, pasi klubet përfitojnë nga e drejta televizive. Nëse ndeshjet e mbetura nuk zhvillohen për këtë sezon, atëherë shumë klube do të vuanin financiarisht dhe nuk do të ishte aspak çudi që një pjesë edhe të falimentonin.