MENU
klinika

Ti përdorim apo jo maskat?

BBC/ Një tjetër mister në kohën e COVID-19

01.04.2020 - 09:49

Nëse do të dilni jashtë këto ditë pa maskë në fytyrë në vende si Kinë, Hong Kong, Seul, do të shiheni me përçmim. Që nga shpërthimi i koronavirusit të ri, në disa vende gjatë gjithë kohës qytetarët mbajnë maska në fytyrë, për të mos u rrezikuar.

Gjithashtu, në vende të tjera si Republika Ceke dhe Sllovakia, vendosja e maskës është e detyrueshme. Por në shumë pjesë të tjera të botës, si Britania e Madhe dhe SHBA-ja është krejtësisht e pranueshme të shëtisni pa maska.

Pse disa vende i këshillojnë maskat, ndërsa vende të tjera i largojnë?
Kjo nuk ka të bëjë vetëm me direktivat qeveritare dhe këshillat mjekësore, ka të bëjë edhe me kulturën dhe historinë e popujve.

Por ndërsa kjo pandemi përkeqësohet, misteri i efikasitetit të maskave a do të zgjidhet?

Që nga fillimi i shpërthimit të koronavirusit, këshillat zyrtare nga Organizata Botërore e Shëndetit kanë qenë të qarta. Vetëm dy grupe njerëzish duhet të mbajnë maska. Ata që janë të sëmurë dhe shfaqin simptoma dhe ata që kujdesen për njerëzit për të cilët dyshohet se kanë koronavirus. Askush tjetër nuk ka nevojë të mbajë një maskë dhe ka disa arsye për këtë.

Një arsye është se një maskë nuk shihet si mbrojtje e besueshme, duke marrë parasysh që hulumtimet aktuale tregojnë se virusi, është përhapur nga kontakti me sipërfaqet e kontaminuara. Kështu që mund të ju mbrojë, por vetëm në situata të caktuara siç janë, kur jeni në një vend të ngushtë me të tjerët, ku dikush i infektuar mund të teshtijë ose kollitet pranë fytyrës tuaj. Kjo është arsyeja pse ekspertët thonë se larja e shpeshtë e duarve me sapun dhe ujë është shumë më efektive.

Gjithashtu, një tjetër faktor është edhe mënyra e duhur e heqjes së një maske, pasi kërkon vëmendje të veçantë për të shmangur ndotjen e duarve.

Megjithatë,në disa pjesë të Azisë të gjithë mbajnë maska si një standard për të qenë më të sigurt. Në këtë kontinent ekziston një supozim i gjerë se, çdokush mund të jetë mbartës i virusit dhe të gjithë duhet të mbrohen nga të gjithë. Disa nga këto qeveri po u bëjnë thirrje të gjithëve që të mbajnë një maskë dhe në disa pjesë të Kinës, mund të arrestoheni dhe të ndëshkoheni për nëse nuk keni një të tillë. Për shumë nga këto vende, maska ka qenë një normë kulturore edhe para shpërthimit të koronavirusit.

Në Azinë lindore, shumë njerëz janë mësuar të mbajnë maska kur janë të sëmurë ose kur është sezoni i gripit, sepse konsiderohet e pasjellshme të teshtini ose kolliteni përpara të tjerëve. Përhapja e virusit Sars ne vitin 2003, qe preku disa vende të rajonit, gjithashtu vuri në dukje rëndësinë e mbajtjes së maskave, veçanërisht në Hong Kong, ku vdiqën shumë njerëz. Pra, një ndryshim kryesor midis këtyre shoqërive dhe atyre perëndimore, është se ata kanë përjetuar ngjarje të tilla edhe më parë dhe kujtimet e përjetimet nuk harrohen lehtë.

Maska si një normë sociale

Disa argumentojnë se mbajtja e maskës është një normë sociale, për të gjithë në mënyrë që të kenë një higjienë personale të mirë.

“Mbajtja e maskës çdo ditë para se të dilni është si një ritual, si të vishni një uniformë dhe në sjelljen rituale ju mendoni se duhet të vishni patjetër uniformën, që në këtë rast është maska, e cila është një sjellje aq higjienike sa këshillat e tjera si, të mos prekni fytyrën tuaj ose të praktikoni distancimin shoqëror,” tha Donald Low, një sociolog në universitetin e Shkencave dhe Teknologjisë në Hong Kong.

Pastaj, ekziston ideja që çdo masë llogaritet si efektive në këto momente kur bota po lufton me koronavirusin.
“Ne nuk mund të themi nëse maskat në fytyrë janë joefektive, por supozojmë se ato kanë një efekt sepse është mbrojtja që ne u japim punonjësve të kujdesit shëndetësor,” tha Benjamin Cowling, një epidemiolog me universitetin e Hong Kongut.

Por ka edhe efekte anësore, natyrisht. Ekspertët thonë se disa vende të tilla si Japonia, Indonezia dhe Tajlanda po përballen me mungesa maskash në këtë moment dhe në Korenë e Jugut është dashur të racionojnë maskat. Ekziston frika se njerëzit mund të përfundojnë duke ripërdorur maska, që është jo higjienike të përdorin maska të shitura në tregun e zi, ose të veshin maska shtëpiake, të cilat mund të jenë të padobishme.

Njerëzit që nuk mbajnë maska në këto vende janë te diskriminuar, deri në atë pikë që ata nuk janë pranuar në dyqane për të kryer blerje. Në të kundërt në vendet perëndimore ku nuk këshillohen maskat, shumë njerëz janë diskriminuar gjithashtu pse i përdorin ato. Në një formë apo në një tjetër, maska e fytyrës mund të jetë produkti më i kërkuar, që tregon si kujdesin shëndetësor, por edhe normat kulturore, por ndërsa shkalla e kësaj pandemie rritet, gjithashtu rritet numri i mistereve dhe i hulumtimeve, kështu që kur të mbarojë e gjithë kjo kohë, ekspertët mësojnë se do të kemi edhe një përgjigje nëse duhet të mbajmë një maskë./BBC/

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Për të gjitha ju nëna në pritje

Kujdesuni dhe mos u frikësoni nga koronavirusi!