Ekonomia kineze ka shënuar një tkurrje në tremujorin e parë të vitit, për herë të parë në 40 vitet e fundit, teksa Pandemia e coronavirusit i dha fund një epoke të rritjes së vazhdueshme ekonomike që daton që në fund të viteve 70-të.
Prodhimi i Brendshëm Bruto shënoi një rënie prej 6.8% krahasuar me të njëtjën periudhë të një viti më parë.
Tkurrja historike e ekonomisë kineze, një prej motorëve të rritjes ekonomike globale në dy dekadat e fundit, vjen si pasojë e pandemisë të përhapur nga qyteti i Wuhanit dhe më pas në të gjithë globin.
Të dhënat zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave vijnë në të njëjtën javë kur FMN-ja paralajmëroi për një krizë ekonomike globale, më të madhen që nga koha e “Depresionit të Madh” të viteve 30-të, e cila do të jetë shumë herë më e rënde se ajo e vitit 2008-të.
Investimet në tremujorin e parë ranë me 16 përqind krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa investimet në infrastrukturë ranë 20 përqind. Shitjet e mallrave të konsumit ranë me 16 përqind gjatë muajit mars.
Aksionet në bursat aziatike ishin rritur pavarësisht të dhënave negative ekonomike, me investitorët që u inkurajuan nga të dhënat që disa vende ishin duke rihapur tregjet financiare.
Ekonomia e Kinës, e dyta më e madhja në botë, ishte nën presion edhe para se të goditej nga coronavirus. Vitin e kaluar, ekonomia u rrit me 6.1 përqind, niveli i saj më i ulët në pothuajse tre dekada.
Të dhënat e publikuara tregojnë se rritja për vitin e plotë kalendarik pritet të jetë në një nivel shumë më të ulët, duke hedhur poshtë edhe premtimin e qeverisë kineze të vitit 2010 se do të dyfishonte ekonominë deri në fund të këtij viti.
Rënia, e cila ishte më negative se parashikimet e analistëve, do të vendosë nën presion udhëheqjen e vendit për të siguruar një stimul të mëtejshëm dhe për të shmangur një rënie tjetër në tremujorin e dytë që do të zhyste Kinën në një recesion të mirëfilltë.