Shtyrja e startit të Formula 1 ka shkaktuar rrëmujë në zyrat e FIA-s. Shpërthimi i Covid-19 ka sjellë anulime ose shtyrje të 9 prej Çmimeve të Mëdha deri tani dhe gjasat janë që edicioni i ri të mos fillojë kurrë. Megjithatë, FIA ka të tjera plane, ku zhvillimi i disa garave në të njëjtën pistë shihet si një prej alternativave më konkrete.
Ide që ka marrë pëlqimin e pilotit të Ferrarit, Sebastian Vettel. Gjermani u shpreh optimist që sezoni të zhvillohet edhe me 10 gara. Por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për shokun e tij të skuadër, Charles Leclerc. 22-vjeçari po bën mirë në sezonin virtual të Formula 1 dhe këtë kërkon ta bëj edhe në një pistë të vërtetë.
Megjithatë, i riu nga Montecarlo nuk është i mendimit që garat të zhvillohen në një pistë të vetme, pasi kështu favorizohen pilotët e vjetër, ndërsa me nota ironie i kërkoi FIA-s që të ndryshonte rregullat dhe që gara të mos bëhej në kahun e duhur.
Leclerc propozon që zhvillimi i saj në kah të kundërt do të sillte më tepër adrenalinë. Gjithsesi, fjala e fundit i takon FIA-s që tashmë i duhet të sqarojë një herë e mirë mbarëvajtjen e sezonit të ri.