Izolimi, si pasojë e përhapjes së koronavirusit në Europë, pati pasoja për njerëzit dhe ekonominë. Por, në kontinentin e vjetër, veç faktit se frenoi përhapjen e virusit, izolimi solli një përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së ajrit.
Studimet e fundit, dëshmojnë për përmirësim të dukshëm të cilësisë së ajrit, gjatë muajit të kaluar, duke çuar në 11,000 më pak viktima nga ndotja, në Mbretërinë e Bashkuar dhe gjetkë në Evropë. Lehtësimi i madh i trafikut rrugor dhe emetimet industriale kanë rezultuar gjithashtu, në 1.3 milion më pak ditë mungesë pune, 6.000 më pak fëmijë që vuajnë nga astma, 1.900 vizita më pak në urgjencë dhe 600 lindje të parakohshme më pak, sipas Qendrës për Kërkime të Energjisë dhe Ajrit të Pastër.
Ndërsa pandemia vazhdon të ketë statistika të rënda – më shumë se 220,000 viktima në të gjithë botën, nga fillimi i vitit – autorët e raportit, thonë se izolimi ka ofruar një mjedis më të pastër, më të shëndetshëm. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, nivelet e dioksidit të azotit kanë rënë me 40 për qind, ndërsa grimcat – njohur si PM2.5 – janë 10 për qind në rënie, që do të thotë se njerëzit, pa covid-19, mund të marrin frymë më lehtë.
Këto dy forma ndotjeje, që dobësojnë zemrën dhe aparatin e frymëmarrjes, janë zakonisht përgjegjës për rreth 470,000 viktima në Evropë, çdo vit. Studimi i ri, vlerëson këto të dhëna sipas statistikave për cilësinë e ajrit, kushtet e motit, emetimet, popullsinë dhe përhapjen e sëmundjeve. Specialsitët gjetën numrin më të lartë të vdekjeve të shmangura nga ndotja në Gjermani (2.083), e ndjekur nga Britania e Madhe (1,752), Italia (1,490), Franca (1,230) dhe Spanja (1,083).
Nga sëmundja, pothuajse 40 për qind e uljeve të vdekshmërisë kishin të bënin me sëmundjet e zemrës, 17 për qind nga sëmundjet e mushkërive, siç janë bronkiti dhe emfizema etj. Të tjerët ishin infeksione dhe diabeti. Sipas përllogaritjeve, pikërisht nga pastrimi i ajrit, Evropa shmangu 11,000 viktima që shkakton ndotja e ambientit.