MENU
klinika

“E rëndësishme që paketat të zbatohen”

Meta: Notë për qeverinë? Nuk është momenti

16.04.2020 - 21:12

Presidenti i Republikës Ilir Meta tha se të gjitha përpjekjet që bëhen për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve apo bizneseve në situatën e krijuar nga pandemia janë pozitive por është e rëndësishme të jenë sa më efektive.

“Të zbatohen, të shkojnë aty ku duhen dhe ky është një proces i vazhdueshëm, reflektues pasi lidhet shumë me ecurinë e sfidës së parë, menaxhimin e pandemisë. Me rëndësi të zbatohen dhe të shkojnë në mënyrën më transparente aty ku ka më shumë nevojë. Sa më shumë të vazhdojë apo të vështirësohet situata e menaxhimit të kësaj pandemie, aq edhe më vështirë do jetë përballimi i kostos për ekonominë kombëtare.

Për paketën e parë duhen përpjekje më energjike për zbatimin e saj. Për paketën e dytë kërkohet më shumë transparencë, përkushtim për realizimin e saj”, deklaroi Presidenti.

Ai tha se kemi të bëjmë me një proces dhe duhet të bëhen përpjekje më energjike për zbatimi i paketës së parë. “Kemi një përpjekje të dytë, për të cilën kërkohet më shumë transparencë dhe përgjegjshmëri në mënyrë që të gjitha shtresat që përfshihen ta ndjejnë dhe ta prekin këtë ndihmë”, deklaroi më tej Presidenti.

Sa i përket ultimatumit të kreut të PD për kryeministrin Edi Rama për të publikuar një plan brenda 24 orëve, Meta tha se nxit qeverinë të bëjë publike sa më shpejt të gjitha angazhimet e saj ligjore në këtë drejtim, paketën mbështetëse të akteve nënligjore.

Po a ka një notë për qeverinë për menaxhimin e situatës? Kreu i Shtetit deklaroi se nuk është momenti për të vendosur nota. “Ajo që dua të vlerësoj është se të gjithë tregojnë përgjegjshmëri maksimale. Qeveria ka më shumë përgjegjësi”, tha ai.