Policia e Durrësit ka proceduar penalisht 9 tregtarë, të cilët kanë abuzuar me çmimet, duke përfituar nga situata e krijuar nga koronavirusi.
Uniformat blu theksojnë se janë vënë në hetim 3 tregtarë që tregtonin mallra agroushqimore me shumicë dhe 6 tregtarë të tregtonin artikuj me pakicë.
Njoftimi i policisë:
Durrës
Vijon operacioni kundër informalitetit.
Plan masash për parandalimin dhe goditjen e rasteve të abuzimit me çmimet e produkteve ushqimore, duke përfituar nga situata.
Nga kontrollet e shtuara janë evidentuar dhe proceduar penalisht 9 shtetas, nga këta: 3 tregtarë që tregtonin mallra agroushqimore me shumicë dhe 6 tregtarë të tregtonin artikuj me pakicë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Durrës, në vijim të operacionit kundër informalitetit dhe në zbatim të aktit normativ Nr. 3, të datës 15.03.2020, pika 12, kanë hartuar një tjetër plan të detajuar masash, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve abuzive me çmimet e produkteve ushqimore, duke përfituar nga situata.
Në zbatim të detyrave të këtij plani të posaçëm, janë ushtruar dhjetëra kontrolle në njësitë tregtare të shumicës e pakicës në Durrës, ku si rezultat u evidentuan dhe u proceduan penalisht shtetasit:
I. S., 45 vjeç, F. G., 35 vjeç, E. H.,42 vjeç, banues në Durrës, tregtarë në tregun agroushqimor në lagjen 14, Nishtulla, Durrës.
B. K., 33 vjeç, E. B., 48 vjeç, F. I., 54 vjeç, A. Ç., 37 vjeç, L. B., 61 vjeç dhe A. D., 25 vjeç, banues në Durrës, tregtarë të tregtimit të artikujve agroushqimor me pakicë.
Gjatë kontrollit të ushtruar rezultoi se këta tregtarë tregtonin artikuj agroushqimor me mungesë të kuponit dhe faturave tatimore të sanksionuara me ligj.
Edhe më parë, nga DVP Durrës janë evidentuar dhe proceduar një numër i madh subjektesh tregtare që abuzonin me çmimet.
Kontrollet do vijojnë pandërprerë në të gjithë qarkun edhe në ditët në vijim dhe në këtë kuadër Drejtoria Vendore e Policisë Durrës fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 apo në Komisariatin Dixhital çdo rast të abuzimit me çmimet dhe çdo rast tjetër paligjshmërie, në cilëndo fushë që ajo do shfaqet.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.