Specialistët e shëndetit publik, kanë theksuar se popujt autoktonë në rajonin e Amazonës dhe Brazilit, janë në rrezik të zhduken nga koronavirusi. Sëmundjet e frymëmarrjes – siç janë ato që zhvillohen nga viruset e gripit – janë bërë shkaku kryesor i vdekjes për popujt indigjenë./Konica.al
Brazili ka raportuar mbi 6.000 raste me Covid-19 dhe 240 vdekje.
Infeksionet fillimisht u përqendruan në zonën industriale Sao Paulo. Sidoqoftë, virusi tani është përhapur në të gjithë vendin, përfshirë në territoret indigjenë në luginën e Amazonës. Rasti i parë u regjistrua në shtetin e Amazonës.
“Ekziston një rrezik i jashtëzakonshëm, që virusi të përhapet në masë dhe të zhdukë popujt indigjenë,” – tha Sofia Mendona, studiuese pranë Universitetit Federale në Sao Paulo.
Duke iu përgjigjur pandemisë, disa indigjenë planifikuan të ndaheshin në grupe të vogla dhe të kërkonin mbrojtje në pyll. Kjo është mënyra sesi iu shmangën shfarosjes, gjatë epidemisë së fundit.
“Ata do të mbledhin materialet e nevojshme për gjueti dhe peshkim, dhe do të vendosen në kampe”, – tha Mendona.
Shumë popuj indigjenë, nuk kanë mjete për të zvogëluar rrezikun e transmetimit, siç është larja e duarve me ujë dhe sapun, apo përdorimi i dezinfektuesve.
Po ashtu, kryesisht, ata jetojnë afër të njëri-tjetrit, me enët dhe gota të përbashkëta, faktorë këto që ndikojnë në përhapjen e sëmundjeve infektive, më shpejt. Në të tilla kushte, ata këshillohen kundër këtyre zakoneve, si dhe të izolohen.
Sipas agjencisë federale “Funai”, ekzistojnë 107 grupe indigjene, të njohura në Amazonën braziliane, që nuk kanë asnjë kontakt me botën. Sidoqoftë, prerësit e paligjshëm të pemëve, gjahtarët apo misionarët veprojnë në territoret e tyre. Organizatat indigjene dhe OJQ-të, theksojnë se ka pasur rritje të ndjeshme të sulmeve, vitet e fundit.
Qeveria vazhdon të shkurtojë buxhetin, duke e bërë të vështirë për agjencinë “Funai”, mbrojtjen e popujve autoktonë. Tanimë, ata gjenden përballë frikës, se beteja kundër koronavirusit do t’i zvogëlojë më tej burimet për mbrojtjen e pyjeve dhe popujve indigjenë.
Megjithëse disa popuj indigjenë janë dakord, se duhet të shmangin udhëtimin në qytet për të zvogëluar rrezikun e infeksionit, shumë udhëheqës thonë se, anëtarët e fisit të tyre kërcënohen nga uria nëse nuk kanë qasje në tregje.
Ndryshe, popujt autoktonë përbëjnë 0.5% të popullsisë braziliane. Në vitet 1960, shpërthimi i fruthit midis anëtarëve të fisit Yanomami, në afërsi të kufirit me Venezuelën, shkaktoi vdekjen e shumë prej tyre.