Teatri Kombëtar do të nisë shfaqjet dhe publiku mund t’i ndjekë ato online – për shkak të situatës së krijuar nga përhapja e koronavirusit. Regjisori Armand Bora, gjatë një komunikimi me mediet, ka treguar detajet e shfaqjes së parë, oraret dhe aktorët që do të interpretojnë.
“The show must go on’ është shfaqjea e parë. Ky është vetëm fillimi, këto shfaqje do vazhdojnë. Kemi pasur vështirësi të punojmë në këto kushte, por qarkulluam libra dhe materiale edhe fizikisht, kur ishte e mundur në oraret e lejuara.
Janë 2 orë transmetim çdo javë, fillojmë nga e enjtja deri të dielën, për të rikthyer shfaqjet e TK pranë publikut. Do të prezantohemi dy mbrëmje me autorë shqiptarë, ditën e tretë do të kemi prozatorë dhe poetë të vendeve të caktuara.”
E nisim me kulturën italiane për shumë arsye, nisur nga vështirësia që ata po kalojnë në përballje me COVID-19. Publiku do t’i njohë ndryshe aktorët e skenës, do t’i njohë edhe përmes intervistave. Mbrëmjen e të enjtes, orën 17:00, prozë dhe poezi të shkrimtarit Ismail Kadare, që do t’i sjellë për publikun Elia Zaharia, Genti Decka dhe Indrit Cobani, të premten vijojmë me Dritëro Agollin dhe më pas, vjen mbrëmja italiane”- ka theksuar regjisori.
Të gjithë artdashësit, mund t’i shijojnë nga shtëpia këto mbrëmje poetike, në profilin zyrtar të Teatrit Kombëtar në Facebook.