MENU
klinika

Nga Joschka Fischer/ Project Syndicate

Virusi që ndryshoi botën

30.04.2020 - 14:49

Pandemia e COVID-19 ka ekspozuar dobësitë e institucioneve, ku mbështetet shumica e njerëzve të botës. Kjo përfshin si qeveritë kombëtare ashtu edhe rendin ndërkombëtar. Asnjëra nuk ka gjasa të mbijetojë në formën e tyre të tanishme, dhe as nuk duhet të mbijetojnë.

Shumë kohë para se komentuesit të shpallnin ardhjen e “Antropocenit”, një epokë gjeologjike ku njerëzimi dominon mbi natyrën, ishte një truizëm në ekonomitë e përparuara të industrializuara që bota ishte nën kontrollin tonë. Më pas erdhi një organizëm mikroskopik dhe me të një tronditje globale. Pavarësisht të gjitha njohurive tona shkencore dhe aftësive teknologjike, COVID-19 ka pushtetin, të paktën për momentin.

Si për ironi, vendet më të përparuara dhe më të fuqishme në botë ishin ndër më pak të përgatiturat për pandeminë. Duke shpenzuar qindra miliarda dollarë për kërkime dhe zhvillim, ato kanë teknologjitë dhe ushtritë më të përgatitura në botë, por ato nuk e morën seriozisht rrezikun që kërcënimi tjetër i madh mund të vinte nga natyra.

Tani e dimë se ky ishte një gabim i përmasave historike. Ajo që ishte në dukje e padukshme; nëna e të gjitha mjellmave të zeza është këtu.

Në fillim, kriza e COVID-19 dukej se po forconte institucionet. Shteti-komb tradicional ka marrë përsipër detyrën e menjëhershme të frenimit të virusit dhe pasojave të tij ekonomike, dhe institucionet multilaterale të pas luftës kanë luajtur vetëm një rol mbështetës. Edhe në Europë, shtetet-kombe dhe jo Bashkimi Europian, po udhëheqin luftën kundër pandemisë.

E megjithatë, kjo tregon një konceptim të gabuar. Sistemi ndërkombëtar përfshin shtete me madhësi shumë të ndryshme, me shkallë të ndryshme pushteti, por të gjitha “përqafojnë” mitin e vjetër të sovranitetit kombëtar. Ky sistem, siç e njohim ne, doli nga hiri i luftërave fetare të Europës në shekullin e XVII, duke e konsoliduar veten nëpërmjet kolonializmit dhe më pas dekolonializimit (edhe vetë ky një reagim i lindur nga shtete të reja kombe).

Në gjysmën e parë të shekullit XX, trauma e dy luftërave botërore dhe ardhja e epokës bërthamore demonstruan nevojën për një reformë rrënjësore të sistemit ndërkombëtar. Risia kryesore ishte krijimi i Kombeve të Bashkuara si kundërpeshë ndaj pretendimeve të shteteve-kombe. Transnacionalizmi u bë tipari i ri dominues: të gjitha shtetet-kombe pritej të frenonin egoizmin e tyre dhe të ruanin paqen dhe bashkëpunimin, përmes një kuadri institucionesh globale.

Në realitet, natyrisht, pushteti nuk iu dha kurrë Kombeve të Bashkuara. Ai qëndronte ende në duart e e superfuqive të botës, pra, anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Si rezultat, sistemi ndërkombëtar u mbështet për dekada në një kompromis të nënkuptuar midis nacionalizmit dhe transnacionalizmit, me Amerikën duke ruajtur dhe duke operuar brenda kuadrit multilateral. Por, që kur presidenti Donald Trump erdhi në pushtet, Shtetet e Bashkuara nuk janë ndjerë më të detyruara për asgjë.

Periudha pas Luftës së Dytë Botërore është gjithashtu koha kur bota hyri me të vërtetë në Antropocen. Gjatë dekadave pasuese, popullsia e botës u rrit në mënyrë dramatike, nga rreth 2.5 miliardë në rreth tetë miliardë që është sot.

Megjithatë, Antropoceni ka qenë gjithashtu një periudhë zhdukjesh masive. Dhe ndërkohë që gjithnjë e më shumë pjesë të botës janë industrializuar, konsumi i burimeve natyrore është rritur. Një rezultat i kësaj është që ngrohja globale antropogjene ka arritur në një fazë të rrezikshme.

Në të njëjtën kohë, teknologjitë e reja të informacionit dhe komunikimit, ndryshimet në shpërndarjen e punës dhe rritja e zinxhirëve të vlerës globale kanë çuar të gjitha në rritje të ndërvarësive. Por tani që një virus ka ndalur të gjithë botën, ne po mësojmë se një ekonomi e globalizuar është si një makinë garash me performancë të lartë: shumë efikase dhe shumë delikate.

Shteti-komb tradicional, qoftë edhe një aq i fuqishëm sa SHBA-ja apo Kina, nuk do të jetë në gjendje të menaxhojë një botë të ndërlidhur me më shumë se tetë miliardë banorë. Antropoceni në mënyrë të pashmangshme do të theksojë rritjen e interesave të përbashkëta të njerëzimit, jo vetëm çështjen e vazhdimit të mbijetesës së tij. Pandemia e COVID-19, e cila në fund do të kërkojë koordinim ndërkombëtar, po tregon se interesat kombëtar përfundimisht do të duhet të pakësohen. Krizat që vijnë nga ndryshimet klimatike do të jenë shumë më të mëdha dhe pasojat e tyre të pakthyeshme.

Ndërsa shtetet-kombe do të mbeten të domosdoshme për të siguruar qeverisje të mirë dhe për të kontribuar në përpjekjet globale, parimi i nacionalizmit thjesht do të përkeqësojë krizat e vazhdueshme në të ardhmen. Pandemia duhet të pasohet nga një epokë e re bashkëpunimi ndërkombëtar dhe nga një forcim i institucioneve multilaterale. Kjo vlen sidomos për Europën.

Tani më shumë se kurrë ne kemi nevojë për dy superfuqitë e shekullit XXI, Amerikën dhe Kinën, që të japin një shembull, duke lënë pas krahëve rivalitetin e tyre dhe duke bashkuar të gjithë njerëzimin në një përgjigje kolektive ndaj krizës aktuale dhe ndaj atyre që na presin në të ardhmen.

Siç na ka mësuar COVID-19, sistemi i vjetër ndërkombëtar nuk mund të garantojë më sigurinë e njerëzimit. Nuk mund t’ia lejojmë vetes ta mësojmë dy herë këtë mësim.

Joschka Fischer ishte Ministër i Jashtëm gjerman dhe zëvendëskancelar nga 1998-2005. Fischer hyri në politikë pasi mori pjesë në protestat e viteve 1960 dhe 1970, dhe luajti një rol kryesor në themelimin e Partisë së Gjelbër të Gjermanisë, të cilën ai e drejtoi për gati dy dekada.

Përkthyer dhe përshtatur nga Project Syndicate/ Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Joschka Fischer/ Project Syndicate

Siguria evropiane dhe pengesat e Gjermanisë

Joschka Fischer/ Project Syndicate

Strategjia që ka nevojë Evropa

Joschka Fischer/ Project Syndicate

Cila fuqi do e fitojë shekullin e njëzet e një?

Joschka Fischer/ Project Syndicate

Perëndimi ka nisur numërimin mbrapsht…