MENU
klinika

"Testim COVID të mjekëve në mënyrë periodike...."

1 Maj/ Sindikata e Punonjësve Shëndetësor: Ulni orarin e punës

01.05.2020 - 17:06
1 Maji që shënon dhe ditën ndërkombëtare të Punonjësve, ka sjellë reagimin e Sindikatës së Punonjësve Shëndetësor në lidhje me disa kërkesa për mjekët dhe të gjithë personelin shëndetësor, të cilët po përballen me një periudhë tepër të vështirë në vijën e parë të luftës me pandeminë.  Pjesë e kërkesave të tyre është sigurimi i mbrojtjes së mjekëve nga ky virus vrastar dhe përmirësim e kushteve të punës, që nga ulja e orarit në mënyrë që të kenë një ekspozim sa më të ulët me këtë virus por dhe testimin e tyre për COVID në mënyrë periodike.Gjithashtu kjo Sindikatë kërkon marrjen e masave mbrojtëse edhe për spitalet e tjera terciare dhe jo vetëm ato COVID apo urgjencës, në mënyrë që të japin shërbimi profesional dhe bashkëkohorë.

Deklarata e Plotë e Sindikatës së Punonjësve Shëndetësor

Për ditën e 1 Majit Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor përshëndet gjithë anëtarët e saj duke i kujtuar që është një ditë solidarizimi jo vetëm me njëri-tjetrin, por me të gjithë armatën e punonjësve të këtij sektori, të cilët sot në këtë periudhë të vështirë që po kalon rruzulli për shkak të COVID-19, janë në frontin më të vështirë duke rrezikuar jetët e tyre për t’i shërbyer të gjithë atyre që gjenden në nevojë. Njëkohësisht kjo sindikatë sjell në vëmendje të anëtarëve të saj kujdesin maksimal që duhet të kenë ata në mbrojtje të jetëve dhe të familjeve të tyre, duke përdorur masa mbrojtëse dhe duke mbajtur distancë veçanërisht në vende ku dyshimi për ekspozim të mundshëm ndaj SARS CoV 2 është i madh.

Kjo sindikatë kërkon nga strukturat drejtuese, përmirësimin e kushteve të punës së personelit shëndetësor që janë në frontin e parë të luftës ndaj COVID-19, uljen e orëve ditore të punës me qëllim uljen e ekspozimit me këtë virus dhe dhënien e mundësisë së testimit në mënyrë periodike.

Punonjësit të cilët rezultojnë me shfaqje akute të sëmundjes të marrin trajtim të veçantë sikurse ndodh në rastet e aksidenteve në punë.

Të merren masa që i gjithë sistemi shëndetësor në nivele të ndryshme të tij dhe jo vetëm në spitalet terciare, të pajiset me mjete dhe masa mbrojtëse për të bërë të mundur dhënien e shërbimit profesional në mënyrën e kërkuar bashkëkohore. Të rishikohet trajtimi financiar i këtij sektori si një nga sektorët që duhet të vlerësohet për volumin e punës, dhe rrezikshmërinë që ai po paraqet sot dhe në të ardhmen.

Kryesia e Sindikatës së Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor