MENU
klinika

Rihapja do të jetë e pjesshme

Amsterdami, pa këmbë turisti…

28.05.2020 - 16:31

        Në ditë të zakonshme, është kjo pamja e një prej qyteteve më të vizituara në botë, Amsterdamit. Miliona turistë e kanë vizituar çdo ditë qytetin, deri në 15 mars, kur Amsterdami dhe gjithë bota, u mbyllën për vizitorët, si pasojë e pandemisë.

Sheshet kryesore të qytetit janë bosh, ndërsa lagjet e famshme të “dritave të kuqe”, tashmë janë të qeta, me rrugë të pastra, një ndjesi që vendasit thonë, se nuk a e mbajnë mend kur ka qenë hera e fundit që e kanë provuar, ndoshta në vitet ’80.

1.3 milionë vizitorë gjatë vitit 2019, ose 108,000 mijë persona në muaj, janë të dhënat zyrtare të vizitave në shtëpinë e Anna Frankut, nga këta 92 për qind, turistë të huaj. Edhe ky muze, tashmë i ka dyert e mbyllura, ndërsa në një moment të dytë, drejtuesit do të llogarisin humbjet e këtyre muajve izolim.

“Amsterdami përllogaritet të ketë humbur rreth 90 për qind të prenotimeve në hotele, por qyteti nuk duhet të nxitojë, për të rihapur dyert për turistët e huaj”, – thotë kryetarja e bashkisë, Femke Halsema.

Sipas saj, nëse duhet të respektohet distanca sociale, ndërsa qyteti ka 800 mijë banorë, ardhja e turistëve të huaj, do ta bënte të pamundur respektimin e këtyre masave.

“E di që kemi 55 mijë vende hotelesh që presin miq, por duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm për të stimuluar turizmin rajonal, nacional, apo ndërkombëtar. Nëse ne e ekzagjerojmë, rrezikojmë të kemi një valë të dytë të virusit” – tha kryetarja e bashkisë, e gjendur përballë reagimeve të shumta nga sektori i hotelerisë.

Sipas direktivave të BE-së, udhëtimet jo urgjente drejt Hollandës, janë të pezulluara deri në datën 15 qershor, por vendi nisi një fazë rihapje në 11 maj, kur situata u vu nën kontroll.

Prej 1 qershorit, do të rihapen baret dhe restorantet, por do të presin një numër të kufizuar klientësh.