Rreziku i kaosit në marrëdhëniet BE-Britani e Madhe pas Brexit po rritet. Edhe raundi i tretë i negociatave për rregullimin e marrëdhënieve pas fazës së ndërmjetme përfundoi pa rezultat.
Ishte një takim virtual maratonë: 500 ekspertë të tregtisë dhe juristë në të dyja anët zhvilluan një video-konferencë katër ditë rresht për 11 fusha ku duhet të rregullohen marrëdhëniet pas Brexit, që nga qarkullimi i mallrave, tek peshkimi e deri tek bashkëpunimi i policisë. Në fund kryenegociatori i BE, Michel Barnier u shpreh i zhgënjyer: “Ishte një raund i qëndrimeve të ndryshme, pa progres”, tha ai.
Diplomati francez u ankua, se „Britania e Madhe nuk ka hyrë vërtet në negociatat në ‚nivel të fushës së lojës‘”. Ky nocion përcakton kërkesën e BE, që Britania e Madhe si kompensim për qasjen në tregun e brendshëm duhet të respektojë rregullat si mbrojtjen e konsumatorit, kufizimet ekologjike apo kushtet e punës. Brukseli nuk do të ketë dikë që prodhon dumpin në pragun e tij, një vend që i minon standartet e BE dhe i ul ato.
Beteja kryesore konkurrenca e drejtë
Në këtë pikë nuk ka asnjë përparim -pala britanike argumenton, se si shtet i pavarur nuk lejon t’i vendosë rregulla BE-ja. BE përgjigjet, se vetëm me këtë çmim britanikët do të kenë qasje në tregun e BE, pa dogana dhe kuota. Palët kanë mbetur në vendnumëro e asnjëra nuk heq dorë nga qëndrimet e veta. Sipas Barnier, britanikët nuk tregojnë aspak „ambicie” të qartësojnë çështjen e kuadrit ligjor. Kjo vlen edhe për tema të veçanta, si larjen e parave, rolet e parlamenteve apo shoqërinë civile. Bashkëpunimi i policive dështon se britanikët refuzojnë konventën e të drejtave të njeriut, duan të ulin standardet në mbrojtjen e të dhënave dhe reciprociteti kështu nuk garantohet. Europianët besojnë, se britanikët, si në divorce duan të marrin pjesën më të mirë. Nuk mund të kërkosh privilegje si tregu i brendshëm pa përmbushur kushtet që kërkon ai, ky është qëndrimi i njohur në Bruksel.
Kurse negociatori britanik David Frost dhe ekspertët e tij i mbajnë deri tani të papublikuara draftet e përgatitura për bisedimet me Brukselin. Në Bruksel supozohet, se me këtë synohet të shmangen debatet e grindjet në Britaninë e Madhe. BE kërkon transparencë të plotë demokratike.
Sërish afrohet Brexiti kaotik
Koha nuk pret. Sipas Michel Barnier nuk ka më kohë të mjaftueshme, që të negociohen të paktën linjat kryesore të marrëveshjes. Në fillim të qershorit pritet të zhvillohet raundi i katërt i bisedimeve, më pas ka një takim në nivel qeveritar për të parë, nëse ka vërtet sukses për negociata të ardhshme. Nëse nuk konstatohet progres, duhet që deri në fund të qershorit të dërgohet kërkesa për zgjatje të fazës së ndërmjetme me një ose dy vjet.
Megjithë krizën ekonomike para së cilës ndodhet Britania e Madhe për shkak të krizës së Coronës, Londra e e refuzon opcionin e zgjatjes së negociatave. Megjithëse ndërkohë edhe përkrahës të Brexitit tani rekomandojnë zgjatjen e negociatave, qeveria nuk reagon. Mendohet se Londra, kërkon që të nxisë BE që të bëjë kërkesën për zgjatje të negociatave. Boris Johnson mund t’ia hedhë kështu fajin Brukselit. Por diplomatët e Brukselit e përjashtojnë këtë -pse t‘ia japësh këtë kënaqësi britanikëve, thonë ata.
„Britania e Madhe duhet të bëhet më realiste, nëse do një marrëveshje”, tha Barnier. „Ne nuk do të mbyllim një marrëveshje patjetër me çdo çmim.” Të dyja palët duhet të përgatisin sipërmarrjet e konsumatorët për kontrolle kufitare dhe mallrash nga janari 2021.
Gjithçka e humbur?
Një shenjë positive vihet tek peshkimi. Aty ka shenja, se nuk po qëndrohet më në pozicionet maksimale, thotë Michel Barnier, por po flitet për zona dhe lloje, e këtu mund të ecet përpara. Pozitive shihet në Bruksel edhe vetëdijësimi i qeverisë britanike, se do të ketë kontrolle në kufirin mes tokës britanike e Irlandës Veriore. Këtë Johnson e kishte mohuar kategorikisht në fillim të vitit. Michel Barnier kujton, se protokolli i Irlandës së Veriut si pjesë e marrëveshjes së daljes nga BE dhe marrëveshjes ndërkombëtare duhet të zbatohet plotësisht më 1 janar 2021.
„Unë jam i qetë, i vendosur, por jo optimist”, thotë Michel Barnier pas raundit të tretë dhe e quan Brexit një „shkollë të durimit”. Një vështrim në deklaratën e negociatorit britanik, David Frost pas raundit të tretë nuk sjell shpresa. „Më vjen keq që në temat e hapura kemi pasur kaq pak progres.” Sipas Forster, „BE duhet vërtet të ndryshojë qëndrim deri në raundin e ri më 1 qershor”. Ai e quan qëndrimin e BE „ideologjik”.
Tejkalimi i grindjeve deri në takimin e krerëve të qeverive të BE me britanikët në fund të qershorit nuk pritet. Boris Johnson i është përkushtuar tani krizës së Coronës dhe ia ka lënë Brexit negociatorëvë të tij. Brenda katër javësh ai duhet të marrë një vendim, dhe bastet janë të hapura, nëse ai do ndryshojë mendim.
Barbara Wesel, Deutsche Welle