Të gjithë udhëtarët që hyjnë në Britani do të karantinohen për dy javë për të parandaluar një valë të dytë të infeksioneve me koronavirus. Një masë e tille duket se do të jetë pjesë e planit të Boris Johnson për hapjen e vendit, të cilin do ta njoftojë në fundjavë.
Autoritetet do të kryejnë kontrolle në vend dhe ata që zbulohen se shkelin rregullat do të përballen me gjoba deri në 1.000 paundë ose dëbim. Masat pritet të hyjnë në fuqi në qershor dhe do të ndihmojnë në zvogëlimin e ‘transmetimit të virusit ndërsa kalojmë në fazën tjetër të përgjigjes sonë’, i tha një burim qeveritar gazetës së njohur.
Johnson do të njoftojë një lehtësim shumë të kufizuar të karantinës nga koronavirusi në Britani duke adoptuar kështu një qasje të kujdesshme, për t`u siguruar se nuk do të ketë një tjetër hov të sëmundjes në vend. Ekzistojnë gjithashtu spekulime se qeveria Johnson do të inkurajojë kompanitë të furnizojnë personelin që u kërkohet të kthehen në punë me maska për fytyrën dhe mjete të tjera mbrojtëse.
Një ministër i kabinetit i tha The Daily Telegraph ‘kjo ka të bëjë me sigurinë e njerëzve për t’u rikthyer në punë’, mes frikës në rritje se Britania përballet me recesionin më të madh ekonomik në 300 vjet. Mbretëria e Bashkuar numëron deri tani mbi 31.000 vdekje nga Covid 19 dhe 211.000 infektime.