OBSH paralajmëron një kthim të valës së dytë të koronavirusit, ndërsa thuhet se Europa do goditet sërish në dimër. “Vala e dytë e koronavirusit, akoma më e fortë se e para, do të godasë Europën në dimër” paralajmëruan ekspertë të OBSH-së, të cilët shprehin shqetësimin se Covid-19 do të koinçidojë atëherë me shpërthimin e sëmundjeve të tjera infektive.
Në një intervistë për Daily Telegraph, Dr Hans Kluge, drejtor i OBSH-së për Europën, pohoi se është koha për t`u treguar të kujdesur e për t`u përgatitur, jo për të festuar.
Ndonëse rastet në vende si Britania e Madhe, Franca apo Italia janë në rënie të ndjeshme, kjo nuk do të thotë sipas tij se epidemia u zhduk krejtësisht. Sipas ekspertit, epiqendra e saj, është zhvendosur në Lindje, me infektimet që shtohen dita ditës në Rusi, Ukrainë, Bjellorusi e Kazakistan.