MENU
klinika

Çfarë kishin parapërgatitur profesorët amerikanë?

Distancimi social, historia që nis nga viti 1918

09.05.2020 - 14:27

“Një pandemi është si një zjarr në pyll,” pati deklaruar zoti Bush në një fjalim të mbajtur në vitin 2005 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë. “Nëse kapet herët, mund të shuhet me dëme të vogla. Nëse lejohet të përhapet, ai mund të rritet dhe të kthehet në një ferr duke tejkaluar aftësitë tona për ta kontrolluar atë.”

“Strategjitë e synuara për distancimin social mund të jenë të dizajnuara për të zbutur në mënyrë efektive përparimin e një gripi pandemik pa përdorimin e vaksinave ose ilaçeve antivirale,” përfundonte studimi i Dr. Glass.

Dr Mecher mori rezultatet e dala në zyrën e tij në Uashington dhe u mahnit. Nëse qytetet mbyllnin shkollat e tyre publike, të dhënat sugjeronin, se përhapja e një sëmundjeje ngadalësohej dukshëm, duke e bërë këtë veprim ndoshta më të rëndësishmin nga të gjitha mundësitë e tjera të distancimit social.

Dr. Mecher ishte një zë kryesor në zinxhirin e ekspertëve të shëndetit publik që paralajmëruan që herët për rrezikun e koronavirusit, ndërkohë që z. Trump hezitonte për të urdhëruar mbylljet dhe distancimin social.

Gjetja e trajtimeve ose vaksinave për sëmundje të mëdha, përfshirë HIV – bëri që amerikanët e shekullit të 21 të kishin pritshmërinë që për çfarëdolloj sëmundje kishte një ilaç në dispozicion. Bllokimi i njerëzve brenda shtëpisë dukej diçka e prapambetur dhe ekonomikisht katastrofike.

Katërmbëdhjetë vjet më parë, dy mjekë të qeverisë federale, Richard Hatchett dhe Carter Mecher, u bënë bashkë me një kolege të tyre në një birrari në periferi të Washingtonit për ti hedhur një vështrim përfundimtar një propozimi që ata do të paraqisnin: ai u kërkonte amerikanëve të qëndronin në shtëpi e të mos dilnin as në punë e as në shkollë, në rast se vendi goditej nga një pandemi vdekjeprurëse. Kur ata prezantuan planin e tyre jo shumë kohë më vonë, propozimi u prit me skepticizëm dhe një farë talljeje nga zyrtarët e lartë, të cilët si shumë të tjerë në SHBA ishin mësuar ti gjenin zgjidhjet për të përballuar sfidat shëndetësore të kohës tek industria farmaceutike, me një gamë gjithnjë e në rritje të trajtimeve. Ndërkohë ajo që Dr. Hatchett dhe Mecher kishin propozuar: që amerikanët të përdornin një qasje vetë-izolimi, ishte një praktikë e përdorur gjerësisht në Mesjetë.

Nga ideja në strategji

Ideja ishte rikthyer pas një kërkese të Presidentit George W. Bush për tu siguruar që kombi të ishte i parapërgatitur mirë në rast të shpërthimit të një sëmundjeje ngjitëse. Studimi për këtë iu ngarkua Dr. Mecher, asokohe mjek i Departamentit të Sëmundjeve Virale dhe Dr. Hatchett, onkolog që shërbente si këshilltar i Shtëpisë së Bardhë. Ata drejtuan punën studimore bashkë me një një ekipi të Departamentit të Mbrojtjes i caktuar për një detyrë të ngjashme. Puna mori kthesa të papritura, duke përfshirë një studim të thellë në historinë e gripit spanjoll të vitit 1918 si dhe një zbulim të rëndësishëm të nisur nga një projekt shkollor nga vajza e një shkencëtari në Sandia National Laboratories. Koncepti i ‘distancimit social’ tani është i njohur nga të gjithë. Por kur ai nisi rrugën e vet përmes burokracisë federale në 2006 dhe 2007, u vlerësua si jopraktik, i panevojshëm dhe politikisht i pafalshëm. “Kishte dy fjalë “mbyllje” dhe “bllokim” thotë Dr. Howard Markel, që ka qenë pjesë e ekipit të Pentagonit e që aktualisht drejton Qendrën e Universitetit të Miçiganit për Historinë e Mjekësisë. “Ishin vërtetë të frikshme.” Dr. Mecher ishte aty kur Dr. Hatchett u prezantoi ekspertëve qeveritarë të shëndetit publik planin që të dy ata dhe Dr. Lisa M. Koonin nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kishin rishikuar në birrarinë në periferi të Uashingtonit. “Njerëzit nuk e besuan se strategjia do të ishte efektive dhe e realizueshme,” kujton Dr. Mecher. Por brenda administratës së Bush, ata u inkurajuan që të vazhdojnë studimin. Dhe në fund argumentet e tyre rezultuan bindëse. Në shkurt 2007, C.D.C. (Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve – Centers for Disease Control), mbi atë bazë hartoi qasjen e saj burokratike të quajtur Ndërhyrja Jo-Farmaceutike, ndryshe NPI (Non-Pharmaceutical Interventions) – që u kthye në politikë zyrtare të SHBA. Pas një rishikimi pesë-vjeçar nga administrata e Obamës, strategjia u azhurnua në një dokument të botuar në vitin 2017. Dhe pas hezitimeve të gjata të Presidenti Trump para kërcënimit nga Covid-19, strategjia u përdor për të inkurajuar shtetet që të mbyllnin aktivitetet pas rasteve të konfirmuara me infeksion dhe vdekjeve të konfirmuara nga koronavirusi.

Kërkesa nga George W. Bush

Përpjekjet datojnë që nga vera e vitit 2005, kohë kur z.Bush, i shqetësuar me bioterrorizmin pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, kishte lexuar librin “Gripi i Madh”, nga John M. Barry, ku trajtohej shpërthimi i gripit spanjoll të 1918. Shqetësimi i zotit Bush u shtua edhe nga një varg shpërthimesh të vazhdueshme të sëmundjeve infektive që transferohen nga zogjtë dhe kafshët e tjera tek njerëzit, përfshirë edhe një shpërthim të gripit të shpendëve atë vit në Vietnam. Për shkak se nuk kishte vaksinë për këto kërcënime të reja, ato mund të përhapeshin me shpejtësi. “Një pandemi është si një zjarr në pyll,” pati deklaruar zoti Bush në një fjalim të mbajtur në vitin 2005 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë. “Nëse kapet herët, mund të shuhet me dëme të vogla. Nëse lejohet të përhapet, ai mund të rritet dhe të kthehet në një ferr duke tejkaluar aftësitë tona për ta kontrolluar atë.” Për të zhvilluar idenë, administrata e Bushit ngarkoi Dr. Hatchett, i cili kishte shërbyer si këshilltar i politikës së mbrojtjes nga armët biologjike në Shtëpinë e Bardhë, dhe Dr. Mecher, i cili ishte drejtues mjekësor për sëmundjet virale në Xhorxhia, që mbikëqyrte kujdesin shëndetësor në Juglindje. “Dikush nga Shtëpia e Bardhë është në telefon”, i tha Dr. Mecher, atëherë 49 vjeç, sekretarja e tij në vjeshtën e 2005, me zërin që i dridhej dhe plot mosbesim. Si një mjek i kujdesit intensiv, i lindur në Chicago, Dr. Mecher nuk kishte pothuajse asnjë ekspertizë nga politikat pandemike. Por ai u rekrutua sepse ata kishin nevojë për dikë që kuptonte se si funksiononte në të vërtetë një spital, thotë Dr. Rajeev Venkayya, i cili në atë kohë ka qenë asistent special i z.Bush për mbrojtjen nga armët biologjike. Dr. Koonin, i cili mbulonte planifikimin dhe gatishmërinë në C.D.C, gjithashtu luajti një rol kryesor. “Mendimtarë strategjikë, të shkëlqyer “, i quan Dr. Venkayya, që tashmë punon për gjigandin japonez të vaksinave Takeda. Duke pasur parasysh rrezikun në rritje nga llojet e reja të gripit dhe realitetin që ilaçet ekzistuese antivirale si Tamiflu nuk funksiononin kundër të gjitha sëmundjeve ngjitëse, Dr. Hatchett dhe Mecher dhe ekipi i tyre filluan të eksplorojnë mënyra të tjera për të luftuar një pandemi në shkallë të gjerë.

Një projekt shkollor

Menjëherë Dr. Mecher shkoi të konsultohej me Robert J. Glass, një shkencëtar i vjetër në Sandia Laboratories në Neë Mexico i cili ishte i specializuar në ndërtimin e modeleve të përparuara për të shpjeguar sesi funksionojnë sistemet komplekse – dhe çfarë mund të shkaktojnë dështimet katastrofike. Vajza e Dr. Glass, Laura, atëherë 14 vjeçe, kishte bërë një projekt shkolle në të cilin kishte ndërtuar një model të rrjeteve sociale në shkollën e saj të mesme, të cilin kur e kishte parë Dr. Glass, ishte intriguar shumë. Studentët janë aq të lidhur ngushtë së bashku – në rrjete shoqërore ,në autobusë të shkollës dhe në klasë – sa që ata ishin një mjet gati-perfekt për të përhapur sëmundjet ngjitëse. Dr Glass e shfrytëzoi punën e vajzës së tij për të eksploruar me të se çfarë efekti do të kishte prishja e këtyre rrjeteve në kufizimin e sëmundjeve. Rezultati i hulumtimit ishte befasues. Duke mbyllur shkollat në një qytet hipotetik me 10,000 njerëz, vetëm 500 njerëz sëmureshin. Nëse ata mbaheshin të hapura, infektohej gjysma e popullsisë. “O Zot, ne mund të përdorim të njëjtat rezultate që dalin prej atij studimi,” u kujtua Dr. Glass. Ai mori të dhënat paraprake dhe ndërtoi modelet me anë të super kompjuterave në Sandia, që më shpesh ishin përdorur nga inxhinierët e armëve bërthamore. (Projekti i së bijës së tij u fut në Panairin Ndërkombëtar të Shkencës dhe Inxhinierisë Intel në 2006.).

Dr Mecher mori rezultatet e dala në zyrën e tij në Uashington dhe u mahnit. Nëse qytetet mbyllnin shkollat e tyre publike, të dhënat sugjeronin, se përhapja e një sëmundjeje ngadalësohej dukshëm, duke e bërë këtë veprim ndoshta më të rëndësishmin nga të gjitha mundësitë e tjera të distancimit social. “Strategjitë e synuara për distancimin social mund të jenë të dizajnuara për të zbutur në mënyrë efektive përparimin e një gripi pandemik pa përdorimin e vaksinave ose ilaçeve antivirale,” përfundonte studimi që Dr. Glass publikoi në revistën Emerging Infectious Diseases. Laura, e vogël asokohe në shkollë të mesme, fitoi kreditet.

Distancim po, por kur?

Dr. Hatchett dhe Mecher dhe ekipi i tyre së shpejti u gjetën duke matur gjerësinë e sediljeve standarde të autobuzëve të shkollave dhe madhësinë mesatare të klasave shkollore në SHBA, për të llogaritur se sa afër rrinë studentët, e më pas duke rënë dakord se çdo plan do të duhet të paraqesë mbylljen e shkollave. Në të njëjtën kohë, ata po kalonin në një sfidë tjetër themelore: Nëse një qeveri do të mbështetej në instrumentin e “distancimit social” për të parandaluar përhapjen e një gripi vdekjeprurës, sa herët do të duhej të veprohej? Ata fillimisht u bazuan në punën e Dr. Howard Markel, profesor i Historisë së Mjekësisë dhe Drejtor i Qendrës së Historisë së Mjekësisë në Universitetin e Miçiganit. Dr. Markel e kishte kaluar karrierën e tij duke studiuar shpërthime sëmundjesh ngjitëse. Kohët e fundit, ai kishte kryer një studim për Pentagonin, i cili kishte një shqetësim të madh dhe urgjent: ndjeshmërinë e personelit ushtarak amerikan ndaj një kërcënimi shëndetësor viral. Azia u godit në 2005 nga një grip shpendësh që kaloi te njerëzit dhe u përhap edhe në vendet ku SHBA kishin bazat e tyre, përfshirë edhe Filipinet. Kjo e shtyu Dr. Markel të propozojë atë që ai e quajti “sekuestrim mbrojtës”, që nënkuptonte mbajtjen e personelit ushtarak në izolim masiv në anije të veçanta.

Gripi i shpendëve, edhe pse shpesh herë fatal, nuk pati pasoja të rënda në njerëz, ndaj hapat që ai propozonte dolën të panevojshëm. Por puna e shtyu atë të mendonte për nevojën e një plani izolimi në shkallë të gjerë për SHBA. Kështu ai në 2004 botoi librin, “Udhëtimi i Baktereve”, ku shqyrtoheshin gjashtë epidemi të mëdha që nga viti 1900 dhe se si ata kishin udhëtuar në SHBA. Ai vendosi të punojë me Dr. Martin S. Cetron, drejtorin e departamentit të karantinës së C.D.C, për të parë më nga afër mësimet e gripit spanjoll të 1918. Hulumtimin e filluan me St. Louis, i cili kishte reaguar relativisht shpejt për të ndaluar përhapjen e gripit, dhe me Filadelfian, ku qe pritur shumë më gjatë dhe ku vuajtjet kishin qenë më të mëdha. Zyrtarët në Filadelfia nuk donin të lejonin që gripi të prishte jetën e përditshme, kështu që ata në shtator 1918 lejuan një paradë që mblodhi qindra e mijëra spektatorë. Në të kundërt, në St. Louis, komisari i shëndetit i qytetit urdhëroi shpejt mbylljen e shkollave, kishave, teatrove, salloneve, ngjarjeve sportive dhe tubimeve publike. Dr Markel u përpoq të konfirmojnë se sa i rëndësishëm ishte reagimi në kohë që kishte luajtur një rol në zvogëlimin e vdekjeve. Ata mblodhën material nga regjistrimet dhe mijëra dokumente të tjera që detajojnë datën e infeksionit të parë, vdekjen e parë, politikat e para për distancimin social, sa kohë u mbajtën masat për 43 qytete amerikane.

Këtë volum pune Dr. Mecher dhe ekipi i tij e plotësuan me përvojën e 17 qyteteve, duke përdorur klipe gazetash dhe burime të tjera. Të dy ekipet arritën në të njëjtin përfundim: Veprimi i hershëm, agresiv për të kufizuar ndërveprimin shoqëror duke përdorur masa të shumta si mbyllja e shkollave ose mbyllja e tubimeve publike ishte jetike për të kufizuar numrin e vdekjeve. “Është si të trajtosh pacientët me sulm në zemër. Koha ka rëndësi.” shkruan Dr. Mecher.”

Pro dhe kundër, kritika e Dr. Handerson

Pas dekadash përparime nga kompanitë farmaceutike – gjetja e trajtimeve ose vaksinave për sëmundje të mëdha, përfshirë HIV – amerikanët e fillimit të shekullit të 21 kishin pritshmërinë që për çfarëdolloj sëmundje, duhet të kishte një lloj ilaçi në dispozicion. Bllokimi i njerëzve brenda shtëpisë dukej diçka e prapambetur, dhe inkurajimi i njerëzve për të mos shkuar në punë ekonomikisht katastrofike. Ideja për të kufizuar me forcë lëvizjen publike ishte parë gjithashtu prej kohësh si e dikutueshme në aspektin ligjor dhe etik. Kështu që skepticizmi i lartë i zyrtarëve, ekspertëve të shëndetit publik dhe politikëbërësve të Uashingtonit nuk ishte befasues. Një kritik veçanërisht i zëshëm ishte Dr. D.A. Henderson, i cili kishte qenë udhëheqësi i përpjekjeve ndërkombëtare për të zhdukur viruset dhe ishte emëruar nga z. Bush për të ndihmuar mbikëqyrjen e përpjekjeve të mbrojtjes nga armët bilogjike pas sulmeve terroriste të 2001.

Doktor Henderson ishte i bindur se nuk kishte kuptim të detyrosh shkollat të mbyllen ose të ndalosh tubimet publike. Fëmijët e varfër nuk do të kishin mjaftueshëm për të ngrënë, nëse mbylleshin shkollat. Personeli i spitaleve do ta kishte shumë të vështirë të shkonte në punë nëse fëmijët e tyre ishin në shtëpi. Masat e propozuara nga Dr. Mecher dhe Hatchett “do të rezultonin me probleme serioze sociale dhe ekonomike”, shkruante Dr. Henderson në punimin e tij akademik duke iu përgjigjur ideve të tyre.

Përgjigja, këmbëngulte ai, ishte: Le të përhapet pandemia, të trajtohen njerëzit e sëmure dhe të punohet shpejt për të zhvilluar një vaksinë. Në mes dy zjarreve udhëheqësit e C.D.C. vendosën të kryejnë më shumë hulumtime dhe anketime. Administrata më në fund të fundit anoi me përkrahësit e distancimit social dhe mbylljeve. Politika e tyre do të bëhej baza për planifikimin e qeverisë dhe do të përdorej gjerësisht në simulimet për t’u përgatitur për pandemitë.

Pastaj erdhi koronavirusi dhe plani u vu në punë në të gjithë vendin për herë të parë. Dr. Mecher ishte një zë kryesor në zinxhirin e ekspertëve të shëndetit publik që paralajmëruan që herët për rrezikun e koronavirusit, ndërkohë që z. Trump hezitonte për të urdhëruar mbylljet dhe distancimin social. Mbyllja e këtij viti është shumë më e madhe se sa Dr. Mecher dhe të tjerët kishin imagjinuar. Testimi ka qenë i kufizuar por disa shtete lëshuan urdhra për distancim social edhe para se të konfirmonin se koronavirusi ishte përhapur brenda kufijve të tyre. Dr. Markel thotë se “ndjehet shumë mirë kur sheh punën e tij që përdoret për të ndihmuar në shpëtimin e jetëve”. Por, shton ai, “është gjithashtu e tmerrshme”. “Ne e dinim gjithmonë se kjo do të zbatohej në skenarët e rasteve më të këqija. Por kur punojmë me koncepte hipotetike, gjithmonë shpresojmë se nuk do të përdoren kurrë,” thotë Dr. Markel. /New York Times

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN