MENU
klinika

"VE Day"

Evropa e izoluar në 75-vjetorin e çlirimit

08.05.2020 - 11:18

        Liderët në gjithë Evropën janë duke shënuar 75-vjetorin e Ditës e Çlirimit të Evropës, teksa pjesa më e madhe e kontinentit përballet me izolim për shkak të koronavirusit.

Mbretëria e Bashkuar do të mbajë heshtje për dy minuta, për të ndjekur më pas një adresim të Mbretëreshës Elizabeta II. Ceremoni të mbyllura do të mbahen edhe nga liderë të Francës dhe Gjermanisë, ndonëse grumbullimet publike janë të ndaluara.

Më 8 maj të vitit 1945, forcat britanike dhe aleatët kanë miratuar zyrtarisht dorëzimin e pakusht të forcave naziste të Gjermanisë, pas gati gjashtë vjetëve të luftës.

Për të shënuar këtë ditë, presidenti francez Emmanuel Macron do të dërgojë një kurorë lulesh te varri i një ushtari të panjohur në Paris.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel do të udhëheqë një ceremoni në Memorialin e Luftës në qendër të Gjermanisë. Në Berlin, punëtorëve u është dhënë ditë e pashembullt pushimi, ndonëse kështu nuk ka ndodhur në pjesën tjetër të vendeve.

Festime të ngjashme për Ditën e Çlirimit do të mbahen më 9 maj në disa ish-shtete sovjetike, përfshirë, Rusinë, Ukrainën dhe Bjellorusinë.

***
Sot bëhen 75 vjet nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, e cila startoi si revansh i forcave fashiste dhe arriti përfundoi si triumf i forcave përparimtare. U zhvillua në 2077 ditë (1 shtator 1939-8 maj 1945 SR), si një përleshje e përgjithshme midis 61 shteteve, që përbënin 80 % të popullsisë të globit.

Veprimet luftarake u kryen në territoret e 40 shteteve në Euroje, Azi dhe Afrikë. Më 8 maj 1945 njerëzimi mbylli siparin e tragjedisë më të përgjakshme në historinë e tij: 32 milionë jetë njerëzore të humbura në fushëbetejat, nga të cilët 27 milionë ishin ruse; mëse 20 milionë u vrarë nga goditjet e avionëve, artilerisë dhe ato bërthamore; çdo ditë shuheshin më se 24 mijë njerëz.

500 miliardë franga ari zvicerane çmohet dëmi ekonomik, i qindfishuar i vlerësuar tashmë – 1.126.000 ton mbetje nga djegiet e trupave.

Shpërthimi i saj asesi s’mund të jetë ngjarje e rastit, por rrjedhojë e një vargu rrethanash të ndërlikuara politike, ekonomike, strategjike ndërkontinentale. Disa nga shkaqet mund të jenë: padrejtësitë e traktateve të nënshkruara pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore; paaftësia e Lidhjes së Kombeve të Bashkuara për të menaxhuar shtetet; kontradiktat midis shteteve të ndryshme; luftërat me karakter çlirimtar; kriza e thellë e përgjithshme ekonomike e sidomos, papunësia e madhe në vitet 1931-’35 etj., etj.

Historiografia botërore ka fiksuar si datë fillimi 1 shtatorin 1939, kur Gjermania me ëndrrën për të “Siguruar hapësirën e nevojshme jetike”, nën thirrjen histerike “Të jemi të pamëshirshëm nëse duam të ardhmen”, sulmoi Poloninë. Por lufta kishte filluar më 1931, kur Japonia pushtoi Mançurinë. Mandej, më 1939: u pushtua fillimisht Etiopia më 1935, Spanja më 1936, Austria e Çekosllovakia më 1938, dhe Shqipëria më 1939.

Viti 1940 vendosi në teatrin e luftimeve disa shtete të Azisë Juglindore, Greqinë, Francën, Holandën dhe Belgjikën. Vendet Skandinave e Danimarka u pushtuan në vitet 1940-‘41. Duke u gdhirë 22 qershori 1941, edhe pse ekzistonte një pakt sovjeto-nazist për mossulmim, u sulmua edhe ish-Bashkimi Sovjetik, çka do të thotë se bota hyri në një katastrofë globale të paparë në të shkuarën historike të saj.

Dita e 8 majit 1945, është shënuar si rënia e Rajhut III. Gjermania naziste kapitullon pak ditë pas vetëvrasjes së Hitlerit dhe marrjes së Berlinit nga Ushtria e Kuqe.