Londra dhe Brukseli kanë rifiilluar bisedimet pas Brexit, me të dy palët që mendojnë shumë ndryshe për çështjet kryesore, por nën presion për të bërë përparim përpara një takimi BE-MB muajin e ardhshëm.
Bisedimet janë ngadalësuar për shkak të pandemisë së koronavirusit, por qeveria e Boris Johnson ka qenë e qartë për refuzimin e saj për të kërkuar një zgjatje të periudhës së tranzicionit që përfundon në fund të vitit. Një vendim për këtë do të merret deri më 30 qershor.
Mbretëria e Bashkuar shpreson të bëjë hapa drejt një marrëveshje të tregtisë së lirë, si dhe të bëjë marrëveshje për çështje të ndryshme, përfshirë transportin ajror, energjinë dhe zbatimin e ligjit. Negociatorët britanikë të udhëhequr nga David Frost parashikojnë vetëm një marrëveshje për peshkimin, duke lënë detajet për më vonë, ndërsa BE thotë se kjo duhet të jetë pjesë e një marrëveshje tregtare.
Pas raundit të fundit të bisedimeve në prill, kryenegociatori Michel Barnier akuzoi palën britanike që nuk merrej me çështje thelbësore, duke thënë se nuk ishte arritur përparim në disa fusha kryesore.
Ekziston gjithashtu shqetësimi në qarqet e BE-së që Mbretëria e Bashkuar nuk po arrin të ndërmarrë hapa të duhur për të zbatuar marrëveshjet detyruese të marrëveshjes së divorcit në lidhje me Irlandën Veriore.
Këto parashikojnë një kontroll doganor në Detin Irlandez, të dakorduar nga të dyja palët.
Qeveria britanike thotë se do të respektojë detyrimet e saj ligjore, por thekson se nën marrëveshjen e divorcit, Irlanda Veriore mbetet pjesë e territorit doganor të MB.
Bisedimet e fundit janë vetëm raundi i tretë i diskutimeve që filluan në mars, por u ndaluan shpejt për shkak të COVID-19. Që nga ajo kohë ato janë zhvilluar përmes konferencës me video.
Raundi tjetër i bisedimeve është caktuar për 1 qershor. Mbretëria e Bashkuar u largua nga Bashkimi Evropian më 31 janar, pas vonesave të përsëritura.
Javën e kaluar Mbretëria e Bashkuar filloi negociatat me Shtetet e Bashkuara për një marrëveshje tregtare pas Brexitit, me të dyja palët që premtojnë se do të punojnë “me një ritëm të përshpejtuar” për të arritur një marrëveshje.
Përkthyer dhe përshtatur nga Euronews.com/ konica.al