Një fund i dhimbshëm, ishte ai i një gruaje shqiptare, që humbi jetën në SHBA, pas problemeve shëndetësore që pati pas infektimit me koronavirus.
72-vjeçarja shqiptare, ishte emigrante në Nju Jork. Historinë e saj, e ka rrëfyer në CNN, e bija.
Nagjija Gjidija dhe bashkëshorti, u larguan nga Ballkani në vitet 1970 dhe emigruan në Shtetet e Bashkuara, ku vajza e tyre, Liria, thotë se edhe “mishëruan ëndrrën amerikane”.
Çifti Gjidija pati 4 fëmijë, ndërsa nëntorin e vitit të kaluar shënuan edhe 55-vjetorin e martesës. Më 1 prill 2020, fatkeqësisht Nagjija humbi jetën nga një arrest kardiak, pasi ishte diagnostikuar me koronavirus.
“Ne ishim drita e jetës së saj, siç ishte ajo, drita e jetëve tona. Por, ajo nuk donte askënd tjetër, më shumë se tim atë” – ka treguar Liria. “Nuk kalonin kurrë, asnjë ditë larg njëri-tjetrit”.