Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka bërë një paralajmërim të fortë ditën e sotme, ku tha se do të ketë gjoba të larta për ata që ndotin lumenjtë e vendit.
Lleshaj, së bashku me Kryetarin e Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu, ishte për një inspektim mjedisor në lumin Drin, ku tha se “lumenjtë e vendit tonë pak a shumë janë zgjatime të banjove të qyteteve, banjove të familjeve shqiptare dhe banjo të industrive shqiptare”.
Sipas Lleshaj kjo është e papranueshme, ndërsa shtoi se do të ketë edhe një përpjekje të policisë dhe të IKMT-së, për të ndryshuar rrënjësisht situatën në këtë drejtim.
“Me këtë rast gjej mundësinë t’ju bëj thirrje të gjithë atyre që nuk kujdesen dhe hedhim mbeturina në lumenj, apo inerte në anë të rrugëve që të ndërgjegjësohen sepse fatura që është për t’u paguar është shumë e lartë.
Gjobat janë ekstremisht të larta. Na vjen shumë keq kur këto gjoba vendosen, por nuk do të ndalohet asnjë çast dora ndaj kujtdo që guxon me vetëdije, apo pa vetëdije të bëjë dëme të parikuperueshme në mjedisin tonë”, tha mes të tjerash Lleshaj.
Fjala e plotë e minsitrit:
Jemi këtu sot për të inspektuar gjithçka që lidhet me lumin Drin, në kuadër të një programi të rëndësishëm që kemi filluar për kontrollin e vijave ujore të vendit.
Konstatoj me keqardhje që vijat ujore, lumenjtë e vendit tonë pak a shumë janë zgjatime të banjove të qyteteve, banjove të familjeve shqiptare dhe banjo të industrive shqiptare gjë që është krejtësisht e palejueshme, krejtësisht e papranueshme.
Do të angazhohemi fort në kuadër të një programi dhe një përpjekje serioze të policisë dhe të IKMT-së, për të ndryshuar rrënjësisht situatën në këtë drejtim.
E thashë edhe njëherë është krejtësisht, nuk na nderon dhe ne nuk mund të pretendojmë të zhvillojmë turizëm, të zhvillojmë ekonominë nëse lumenjtë i shndërrojmë në kanale ujërash të zeza.
Kemi filluar në Tiranë me lumin Erzen, kemi nisur nga burimi deri në derdhjen e tij për të ndërprerë çdo derdhje ujrash të zeza në lumë. Po kështu synojmë që edhe në Lezhë të mendojmë për diçka të tillë.
Sigurisht këtu ka ndotës të mëdhenj, ka shumë ndotës, ndotës industrialë, ndotës urbanë, ndotës individualë, por qëllimi është që t’i ndërpresim të gjithë derdhjet dhe lumenjtë të kryejnë atë funksion për të cilin i ka bërë Zoti, të sjellin ujë të pastër në krah të qyteteve tona. Gjithçka që hedhim në këtë lumë e marrim prapë mbrapsht, ose kur shkojmë në plazh, ose kur hamë perimet.
Kështu që në këtë aspekt jemi shumë të motivuar, ka filluar një goditje e fortë nga IKMT-ja ndaj ndotësve të mëdhenj.
Besoj e keni ndjekur këto ditë në media që janë bërë disa goditje të forta, do të vazhdojë kjo pa ndërprerje. Çdo ndotës i madh do të paguajë shumë, ashtu sikur edhe ndotësit e vegjël do të paguajnë pjesët e tyre.
Me këtë rast gjej mundësinë t’ju bëj thirrje të gjithë atyre që nuk kujdesen dhe hedhim mbeturina në lumenj, apo inerte në anë të rrugëve që të ndërgjegjësohen sepse fatura që është për t’u paguar është shumë e lartë.
Gjobat janë ekstremisht të larta. Na vjen shumë keq kur këto gjoba vendosen, por nuk do të ndalohet asnjë çast dora ndaj kujtdo që guxon me vetëdije, apo pa vetëdije të bëjë dëme të parikuperueshme në mjedisin tonë.
Shqipëria sot mbrohet në këtë front, duke mbrojtur mjedisin ne mbrojmë Shqipërinë. Kush e do atë, kush e do Shqipërinë dhe besoj që 99.9% e shqiptarëve e duan atë, duan që të kontribuojnë në këtë proces, ose duke mos e ndotur vetë, ose duke bashkëpunuar me organet përkatëse për të raportuar dhe për të denoncuar ata që e ndotin me vetëdije, apo pa vetëdije.
Kjo punë nuk mund të vazhdojë dhe motivimi i Policisë dhe IKMT-së, të cilat tashmë punojnë së bashku.
Pra, sot IKMT-ja dhe Policia janë praktikisht një strukturë, dhe në të gjitha rastet, çdo rast të cënimit të mjedisit goditja është në dy plane. Së pari, është goditja administrative përmes gjobave të forta, jo simbolike por të forta dhe e dyta është goditja penale, sepse këto të gjitha janë edhe krime penale të parashikuara nga Kodi Penal.
Në çdo rast IKMT-ja jep gjobë të fortë dhe fillon masat administrative, ndërkohë që Policia fillon automatikisht hetimin penal ndaj gjithkujt që bën këto dëme dhe këto krime ndaj mjedisit, ndaj shtëpisë tonë të përbashkët. Faleminderit!