MENU
klinika

"Mjekët janë injoruar plotësisht"

Pesë gjëra që na mësoi kjo pandemi në lidhje me planetin

14.05.2020 - 12:54

        Profesori Guido Tonelli, fizikan, por edhe popullarizues shkencor, shpjegon se çfarë mund të mësojmë sot rreth planetit dhe ekuilibrave që e rregullojnë atë. Kur civilizimi goditet nga një katastrofë, qoftë kjo një pandemi, si kjo që po kalojmë, apo një tërësi luftrash, nënkupton se gjithçka po ndodh për shkak të një transformimi rrënjësor. Fizikani dhe popullarizuesi shkencor Guido Tonelli, autori i librit “Zanafillë”, i shpreh qartë idetë e veta. “Ajo që do të lindë, bota që do të dalë jashtë, do të jetë plotësisht e ndryshme nga ajo që lamë pas”./Konica.al

Çdo katastrofë prodhon një ndryshim rrënjësor

Përballë një dukurie katastrofike, siç është rasti i pandemisë që po ia merr frymën botës, fillimisht ndryshojnë rrënjësisht ekuilibrat ekonomikë dhe, më pas, në njëfarë mënyre, edhe ato politike. “Nëse duam të mendojmë për të ardhmen, nëse duam të mendojmë se si të organizojmë një shoqëri të së ardhmes, duhet t’ia nisim nga ndërgjegjësimi. Nga ndërgjegjësimi, se shkatërrimet që do të rrjedhin nga kjo pandemi, do të prodhojnë ndryshime rrënjësore në strukturat shoqërore, mbase edhe në strukturat politike”. Nga kjo katastrofë, profesori Tonelli shpreson, se “mund të lindë diçka e re”. Një bosht tjetër i referencës mbi të cilin mund të ndërtohet një shoqëri e re, e cila i kupton gabimet e veta dhe e vlerëson atë për të ardhmen.

Duhet t’ua vëmë veshin shkencëtarëve

Prej disa vitesh virologët, mjekët, epidemiologët kishin ndezur alarmin, por askush nuk ua vuri veshin. “Janë injoruar plotësisht”, – thotë Guido Tonelli. “Tani ju keni parë që në të gjitha vendet ka një nxitim për të ndërtuar një kujdes intensiv, sepse në vitet e fundit ka pasur një politikë të pakuptimtë për uljen e kostove dhe shpenzimeve. Në fakt, virusi ka vënë në provë edhe sistemet shëndetësore më efikase”.

Le të mësojmë nga gabimet tona

“Pasoja e parë që mendoj se mund të tërheqë, është të mësojmë nga gabimet që ka nxjerrë në pah kjo pandemi e tmerrshme dhe të përpiqemi t’i shmangim ato në të ardhmen”. Por cilat janë mësimet që mund të nxjerrim? Para së gjithash, njohuritë, kërkimi shkencor, shpenzimet mjekësore, nuk mund të sakrifikohen. “Shpeshherë kemi dëgjuar në të kaluarën argumente që kishin prirje t’i konsiderojnë risitë dhe kërkimet si një luks. Një luks që nuk mund t’ia lejonim vetes, përveçse për të zbuluar tani se sa i rëndësishëm është mendimi i ekspertëve dhe shkencëtarëve”./Konica.al

Të mësojmë të respektojmë ekuilibrin e planetit

Një tjetër arsye ka të bëjë me rolin që luajmë ne si specie e këtij planeti. Çfarë vendi zëmë në sistemin kompleks të konfliktit dhe ekuilibrit midis specieve të gjalla? Fakti që sot një formë e vogël virale prodhon një dëm kaq shkatërrimtar, duke vrarë dhjetëra mijëra njerëz, duhet të jetë një mësim për të ardhmen. “Duhet të jemi të vetëdijshëm, se ne jemi një specie që jeton në simbiozë, në konflikt, në aleancë me speciet e tjera të gjalla. Ne që kemi mbizotëruar botën, kemi siguruar një drejtim fuqiplotë të papërshtatshëm. Tashmë e kuptojmë se sa e brishtë është ekzistenca jonë”.

Duhet ta kuptojmë brishtësinë tonë

Nga kjo vetëdije, hapi i parë është të ndryshojmë mënyrën si e shohim vetveten. “Planeti ku jetojmë është jashtëzakonisht i brishtë, është një planet i brishtë nga pikëpamja ekologjike, por është gjithashtu i brishtë edhe nga këndvështrimi biologjik. Ekuilibrat që vendosen midis llojeve të ndryshme të gjalla, janë ekuilibrat që vendosen përmes konflikteve dhe garave që kanë shërbyer miliona vjet për të vendosur marrëdhënie të caktuara”. Ne nuk mund të imagjinojmë të shkatërrojmë këtë sistem të ekuilibrave dhe të pushtojmë të gjitha zgavrat ekologjike të planetit. Dhe të mendosh se format e tjera të jetës nuk mund të konkurrojnë me ne. “Ne kemi populluar planetin me 7 miliardë njerëz dhe ky zgjerim i yni, si një specie mbizotëruese, ka ngjeshur hapësirën për shumë forma të tjera të jetës. Pra, ne duhet të jemi të kujdesshëm për të mos i prishur këto ekuilibra në mënyrë të pakthyeshme, të jemi të gatshëm të marrim parasysh ndryshimet që kemi përhapur”./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Koronavirusi/ Paralajmërimi i FMN-së

“Depresioni më i thellë që nga vitet ’30”

Makth... çlirim!

“Bota nën Covid-19”