MENU
klinika

BIRN

“Shkatërrim i historisë, shenjë diktature”…

17.05.2020 - 18:49

        Qindra qytetarë, artistë dhe aktivistë, vazhduan protestën e tyre kundër shembjes së teatrit Kombëtar të dielën, deri në orët e pasdites, duke e cilësuar këtë iniciativë të Bashkisë së Tiranës si të paligjshme dhe vjedhje të pronës publike.

Ata u përplasën në mënyrë të përsëritur me forcat e policisë duke bërë thirrje kundër diktaturës. “Poshtë diktatura! Turp!”, ishin thirrjet e protestuesve të cilët u kërkonin punonjësve të policisë të hiqnin kapelet dhe të bashkoheshin me ta.

“Jemi popull. Unë kam dalë vetëm në protestën e dhjetorit 1990 dhe tani për teatrin”, tha një prej protestuesve, pak minuta pas një tentative për të çarë kordonin e forcave të policisë.

Shkatërrimi i historisë

Paolo Topalli, inxhinier ndërtimi, shprehet se qyteti i Tiranës ka rreth 30 vepra arkitektonike që vlejnë të ruhen. “Ndoshta nuk janë të bukura dhe të krahasueshme me trashëgiminë që ka Europa, por këto janë ato që ka Tirana. Janë ministritë; Muzeu Historik Kombëtar; universiteti; Pallati Kongreseve e Piramida. Këto vepra përbëjnë edhe trashëgimi historike në vetvete, pasi u përkasin periudhave të ndryshme si: arkitekturës së periudhës parafashiste, asaj fashiste dhe disa atij monist”, shpjegon Topalli. Ai shton se Aleanca për Mbrojtjen e teatrit tashmë duhet të kthehej në një lëvizje për mbrojtjen e vendit.

“Jam këtu se po më përdhoset historia e qytetit. Po prishet struktura e folesë së artit. Nuk është vetëm godina, por ka shumë histori aty brenda, se janë bërë edhe gjyqet komuniste aty. Ka histori… . Unë jam ‘qytetari’”, shprehet një prej protestuesve që nuk preferon të identifikohet.

“U prishën kinematë; kinema ‘Republika’ dhe ‘17 Nëntori’, të njëjtin fat pësoi edhe teatri. Mendoja se nuk do binte, por ra”, pohon protestuesi Dritan Gjana.

Frika nga diktatura

Një tjetër protestuese druhet se shembja e teatrit është shenjë e instalimit të diktaturës. “Jemi për të bërë detyrën tonë qytetare. Duhet të jemi këtu se duhet tu bëjmë rezistencë këtyre akteve fashiste. Duhet të dalin sa më shumë si ne, ndryshe do të instalohet një rend diktatorial…, më i keq se i pari, pasi është i veshur me propagandë fine. Teatri ishte grahma e fundit e demokracisë”, pohon protestuesja Arsita Mati.

“Tani jemi për të bërë sehir, se për atë që luftuam dy vjet, u shemb. Tani s’mund të bëjmë asgjë…, mori fund! Këtu është instaluar diktatura. Nuk ka ndodhur në asnjë vend të shembet teatri. Është populli më indiferent. Nuk ishte një kauzë politike. Vazhdimin e shikoj bardh e zi, mos te them se zi. Ka më shumë polica se protestues”, pohon Denis Baxhaku.


Arben Zajmi, 67 vjeçar thotë se nga ajo që përjeton, i ngjan me diktaturën. “Veprojnë si në diktaturë. E prishi historinë. Luftuam për demokraci dhe dolëm në diktaturë. E përdori pandeminë vetëm për të prishur teatrin. Është skandal, nuk di ç’të them”, pohon ai.

Aktivisti i Vetëvendosjes, Emiljano Çela e shikon shembjen e teatrit si pikënisjen e një lëvizje më të madhe. “Kemi qenë gjithmonë kundër prishjes, jo vetëm si godinë, për historinë dhe periudhën që përfaqëson, por edhe si një përfaqësuese e kulturës dhe e artit shqiptar. Kjo na ka bërë që të jemi gjatë gjithë kohës, nga fillimi deri më sot, kur e patëm të pamundur të mbronin shembjen e teatrit, por edhe të një pjese të rëndësishme të memories së kulturës dhe artit shqiptar. Përfundimisht, sot u dëshmua se kushdo që vjen dhe është në pushtet mendon që historinë ta fillojë nga vetja, duke mos marrë parasysh asnjë trashëgimi të historisë së këtij populli. Por me shembjen e teatrit nuk do mbarojë kjo qëndresë. Mendoj se do zhvillohet më fuqishëm se sa kaq. Në qoftë se nuk vazhdojmë të reagojmë, atëherë fati unë është i parashkruar të ulim kokën dhe të durojmë pushtetin që rëndon vertikalisht”, tha Çela.

Artistët dhe aktivistët thirrje për protesta

Artistët dhe aktivistët e Aleancës për Mbrojtën e Teatrit, e quajtën shembjen e Teatrit Kombëtar si një pikënisje të diktaturës dhe u bënë thirrje qytetarëve t’u bashkohen në protesta të tjera.

Regjisori dhe aktori i mirënjohur bëri thirrje për mosbindje civile.

“I kërkojmë qytetarëve të Shqipërisë të bëjmë mosbindje civile. Të thyejnë karantinën, të bashkohen të gjithë në protesta të vazhdueshme. Ne i kërkojmë Presidentit të Republikës të shpërndajë parlamentin ilegjitim. …Ne tashmë jemi kthyer në diktaturë dhe e kuptoni se në ç’ gjendje jemi. Ky ishte akti i fundit, këtu u varros demokracia. Të gjithë së bashku, qytetarët e Shqipërisë, të bashkohemi të gjithë së bashku në mosbindje civile deri në rrëzimin e kësaj qeveriet ë paligjshme. Partitë politike, në daç’ ti bashkohen lëvizjes qytetare, nëse nuk duan në diell të venë. Qytetarët do ta mbrojnë demokracinë në këtë vend. Shembulli i teatrit është një shembull qytetarie që nuk do të vdesë asnjëherë, prandaj të gjithë së bashku të vazhdojmë protestat deri në rrëzimin e qeverisë”, pohoi Budina.

Edhe aktivistë të Aleancës e cilësuan shembjen e Teatrit Kombëtar si pikënisje të diktaturës.

“Sot Edi Rama ka shpallur diktaturën. Atë që ne e kemi folur me kohë, në fakt sot ai është vetëshpallur diktator dhe ka shpallur diktaturën. Por, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, qytetarët dhe artistët, që prej dy vitesh e ca kanë mbrojtur historinë e kulturën, trashëgiminë. Të ndërtojnë një sistem të ri, sistemin aq shumë të munguar, demokracinë”, tha një prej aktivisteve të AMT duke theksuar se kauza e tyre do të zgjerohet më tej në të ardhmen, në Aleancën për Mbrojtjen e Shqipërisë.

Një tjetër aktiviste bëri thirrje për lirimin e artistëve dhe protestuesve të tjerë të ndaluar nga policia mëngjesin e të dielës. “Ata kanë filluar të godasin me fadroma kur në ambientet e teatrit kishte ende njerëz brenda. Kanë filluar të godasin pa ju interesuar fare nëse do vdisnin njerëzit”, – shtoi ajo.

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, policia shqiptare rrethoi zonën e Teatrit Kombëtar në qendër të Tiranës ndërsa fadromat shembën ndërtesat historike, duke shënuar fundin e një beteje që vijoi prej dy vjetësh e gjysmë mes bashkisë e qeverisë nga njëra anë dhe një pjese të artistëve dhe aktivistë të shoqërisë civile nga ana tjetër. Kryeministri Edi Rama mori vetë përgjegjësinë për shembjen duke deklaruar në orët e para të mëngjesit se, kjo po bëhet për t’i hapur rrugë ndërtimit të një teatri të ri ndërsa shau mbrojtësit e trashëgimisë kulturore si njerëz që nuk e duan zhvillimin.

Shembja e kryer në mes të natës është bërë dukshëm pa një vendim të ligjshëm dhe të vlefshëm, duke ngritur pikëpyetje nëse Shqipëria vijon të jetë një vend i sundimin e ligjit. Këshilli Bashkiak i Tiranës raportohet se mori një vendim për shembje të enjten e kaluar, por vendimet e këshilleve bashkiake hyjnë në fuqi dhjetë ditë pas publikimit dhe jo menjëherë.

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, ndërsa objekti historik po rrafshohej, një numër qytetarësh shtynë forcat e shumta policore duke sfiduar rrezikun e koronavirusit.

Policia njoftoi se me kërkesë nga Inspektoriati i Mbrojtjes se Territorit i Bashkisë Tiranë, forca të Policisë së Shtetit mbështetën aksionin e nisur që në orët e para të mëngjesit për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Sipas policisë, gjatë aksionit në terren janë shoqëruar 37 persona, të cilët kundërshtuan me forcë apo tentuan të pengonin autoritetet në zbatimin e vendimit.

“Policia e Shtetit kujton qytetarët dhe drejtuesit politike, se tubimet apo grumbullimet janë në shkelje të Aktit Normativ për parandalimin e pandemisë COVID-19”, citohet në njoftim ku raportohej se gjatë përplasjes janë dëmtuar edhe dy punonjës policie.

Mes të shoqëruarve ishin edhe artistë e gazetarë, aktori Neritan Liçaj, gazetari Alfred Lela dhe artistë të tjerë.

Nëpërmjet një njoftimi të mëvonshëm policia justifikoi shoqërimin e gazetarit Lela, duke u shprehur se shoqërimi nuk ishte kryer kur ai ishte në detyrë.

“Për veprime arbitrare dhe kundërshtim me forcë të forcave të rendit në detyrë janë shoqëruar sipas ligjit dhe u janë marrë deklarime 37 personave, në përputhje të plotë me procedurën përkatëse. Asnjë prej të shoqëruarve, nuk është shoqëruar si gazetar në detyrë. Gazetari A. Lela është shoqëruar pas thyerjes së paligjshme të kordonit të Policisë dhe i është marrë deklarimi si gjithë të tjerëve”, thuhet në njoftim./BIRN

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


The Washington Post: Policia shqiptare përleshet me opozitën dhe artistët...

Shembja e Teatrit Kombëtar është përcjellë edhe nga mediat e huaja

"Harresa" solli mëngjesin e sotëm...

Ardit Gjebrea reagon pas shembjes së Teatrit Kombëtar


“Takim kuqezi me shqiptarët e Britanisë“

Kryeministri Rama mesazh para turit me emigrantët në Londër

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin