Publikohen dokumente të panjohura me shifra dhe fakte, që hedhin dritë mbi Reformën Agrare që realizoi qeveria komuniste e Enver Hoxhës në vitet 1945-1946, me anë të ndihmës së madhe dhe asistencës që dhanë specialistët jugosllavë që ishin si këshilltarë në ministrinë e Bujqësisë dhe Pyjeve që drejtohej nga Dr. Gaqo Tashko e Stavri Manjani, si dhe çdo dikaster tjetër të administratës shqiptare të asaj kohe. Një histori të shkurtër e asaj reforme që nuk u realizua plotësisht nga mbreti Zog në vitet ’30-të dhe pasojat katastrofale të reformës agrare të 1945-ës, e cila shpronësoi pa shpërblim 172.659 ha tokë.
Që me ardhjen e saj në pushtet në fundin e vitit 1944, ndërmjet shumë premtimesh të tjera, qeveria komuniste e kryesuar prej gjeneral-kolonel, Enver Hoxhës, shpalli me të madhe si një nga prioritetet kryesore të saj: Reformën Agrare. Të cilën ajo e kishte propaganduar që në Kongresin e Përmetit në majin e vitit 1944, kur Këshilli Antifashist Nacional-Çlirimtar, mori atributet e një Qeverie Provizore. Në këtë kuadër, më 29 gusht të vitit 1945, qeveria e kryeministrit Enver Hoxhës, shpalli ligjin mbi Rëformën Agrare, i cili u plotësua edhe me një shtojcë tjetër, që u shpall zyrtarisht afo një vit më vonë, në majin e 1946-ës. Ligji mbi Reformën Agrare si dhe të gjitha shtojcat e saj, u hartuan në bazë të sugjerimeve dhe asistencës teknike të specialistëve jugosllavë, të cilët përveç ministrisë së Bujqësisë dhe Pyjeve, asokohe ishin të atashuar edhe në të gjitha ministritë e dikasteret e tjera të shtetit shqiptare. Ndërsa nga pala shqiptare, në grupin e punës për hartimin dhe zbatimin e asaj reforme, u angazhuan dhe punuan deri në fund të saj, vetë ministri i Bujqësisë, Dr. Gaqo Tashko dhe Stavri Marjani, i cili ishte ngarkuar me atributet e Drejtorit të Reformës Agrare. Po si u konsiderua ajo reformë nga propaganda zyrtare e qeverisë komuniste të asaj kohe, çfarë sanksiononte ligji i hartuar për kryerjen e asaj reforme agrare, cila ishte ndihma që dhanë jugosllavët për zbatimin e saj, si do të kryhej shpronësimi i tokave ndaj pronarëve të ligjshëm të cilët regjimi në fuqi i konsideronte si kulakë dhe çifligarë, sa tokë do t’u jepej fshatarëve dhe sa toka do të mbeteshin pronë e shtetit?
Qeveria: “Reforma Agrare, sihariqi më i madh i fshatarëve”
Qeveria komuniste e Enver Hoxhës i bëri një jehonë të madhe shpalljes së Reformës Agrare në vitin 1945, duke i dhënë asaj një hapsirë të madhe në të gjitha mjetet propagandistike që dispononte dhe duke shfrytëzuar Radio-Tiranën dhe të gjithë shtypin (gazeta, revista, buletine etj), që ajo kishte asokohe. Në këtë kuadër, në revistën “Bujku” (Revistë Bujqësore-Ekonomike që botohej nga Ministria e Bujqësisë dhe Pyjeve), të tetorit 1945, nën titullin e madh: “Reforma Agrare, sihariq më i madh i fshatarsisë”, midis të tjerash thuhej: “Më në fund ëndrra e fshatarëve po bëhet e gjallë. Ligja e Reformës Agrare dolli. Marrëdhëniet skllavëronjëse në mes pronarëve latifondistë dhe buqëve mbarojnë njëherë e mirë. Në vëndin tonë në tokën e larë me gjak s’do të ketë më skllav. Ç’është Reforma Agrare për fshatarin shqiptar? Ç’do gjë. Reforma Agrare është baza, është themeli mbi të cilin do të ngrihet krejt e ardhmja e tij ekonomike, shoqërore dhe kulturave. Reforma Agrare i siguron fshatarit një jetë me nder dhe dinjitet, një jetë njerëzore. Fshatari shqiptar i Vurkut dhe i Myzeqesë; i çifliqeve të Vrinonasve, të Vërlacëve dhe Biçakçinjëve me shokë, vetëm sot mund të thotë se është shqiptar dhe njeri. Reforma Agrare i vë kazmën sistemit feudal, zhduk për jetë të jetëve çifliqet e mëdha, shkakëtarët e mjerimit dhe të varfërisë, të sëmundjeve dhe të babëzisë, shkakëtarët e fatkeqësive të krejt popullit. Pa çlirimin ekonomik, pa përmbysjen e feudalizmit, çlirimi politik nuk do të kishte kuptim. Qeveria e Enver Hoxhës i dha fjalën popullit dhe e mbajti. Fshtarë e gëzofshi për jetë tokën, tokën t’uaj, tokën që s’pranon patronë dhe tiranë, vëndas dhe të huaj”.
Ministria e Bujqësisë përgatiti ligjet dhe teknikët për Reformën
Përpara se të fillonte zbatimi i Reformës Agrare, Ministria e Bujqësisë dhe Pyjeve e cila në atë kohë kishte si titullar Dr. Gaqo Tashko (zv/ ministr ishte Haki Toska), përveç kuadrit të nevojshëm ligjor, përgatiti edhe teknikët e specialistët shqiptarë që do të punonin në zyra dhe terren për mbarëvajtjen e asaj reforme. Lidhur me këtë, bën fjalë edhe një shkrim i botuar në revistën “Bujku i Ri” i asaj kohe, ku midis të tjerash thuhet: “Përpara ca kohësh në Ministrinë t’onë u bë një mbledhje e gjerë ku morën pjesë të gjithë teknikët e Dikasterit. Pasi u paraqit puna që është bërë deri më sot për Reformën Agrare, nga ana e qeveris s’onë dhe pasi u theksuan mungesat e hasura, si dhe karakteri urgjent i zbërthimit të këtij problemi jetik për shtresat e gjëra të fshatarësisë shqiptare, të cilat vazhdimisht dhe me insistim, kërkojnë zbatimin e Reformës Agrare; Ministri ftoi të gjithë teknikët që të japin mejtimet dhe të bëjnë sugjerimet e tyre rreth pikave kryesore që propozohen për të bërë Ligjin e Reformës Agrare. Të gjitha pikat kryesore të Ligjit mbi reformën Agrare u diskutuan gjallërisht. U theksua gjithashtu se ç’sasi toke do t’u lirohet pronarëve që do të merren me bujqësi; si do të konsiderohen çifliqet që janë pronë e pandarë “kondomine” e shumë vetëve. Si do të konsiderohen kullotat që nuk do të kthehen në tokë buke, pasi të jenë plotësuar nevojat e bujqve për kullotat; si do të zgjidhet problemi i ullinjve. Ç’qëndrim do të mbahet kundrejt buqëve të Shtetit dhe atyre që kanë qenë të instaluar në kohën e “Reformës Agrare” të kohës së Zogut, por që kanë braktisur tokat. Cilat toka përjashtohen nga çpronësimi; kush përfiton prej ndarjes së tokave; si krahasohen tokat dhe ç’sasi toke buke dhe kullote do t’i jepet çdo fshatari. Ç’do të bëhet për të përballuar shpenzimet e çpronësimit; çfarë kontributi do të japë Shteti në përballimin e këtyre shpenzimeve etj”. Në atë mbledhje e cila u zhvillua për katër ditë me rradhë, (nga data 1 deri më 4 korrik 1945), sipas direktivave të dhëna nga qeveria, u mor angazhim që Reforma Agrare të përfundonte në afatin e caktuar, brenda muajit nëntor të vitit 1946.
Ministri, Tashko dhe Drejtori i Reformës, Marjani, në ceremoninë e organizuar në Lushnje
Pas hartimit të kuadrit të nevojshëm ligjor i cili u miratua nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nac-Çlirimtar (në atë kohë nuk kishte Parlament), i cili ishte një organ legjislativ që në një farë mënyrë zëvëndësonte Parlamentin, qeveria shqiptare deklaroi fillimin e zbatimit të Reformës Agrare duke zhvilluar dhe ceremonitë e rastit pothuaj në të gjitha rrethet e vendit. Një prej këtyre ceremonive ishte dhe ajo që u mbajt më 4 shtator të vitit 1945 në fshatrat e rrethit të Lushnjes, ku merrte pjesë edhe ministri i Bujqësisë dhe Pyjeve, Dr. Gaqo Tashko, i cili shoqërohej edhe nga disa prej drejtuesëve kryesorë të asaj ministrie. Në fjalën e tij përpara qindra fshatarëve myzeqarë dhe autoriteteve partiake e atyre të pushtetit lokal, midis të tjerave, ministri Tashko u shpreh: “Shokë fshatarë dhe shokë teknikë. Po ju përshëndes me sihariqin e madh të Reformës Agrare që po vëmë në zbatim sot. Të gjithë ju kanë gënjyer në të kaluarën, premtimet për reformën agrare në kohën e Zogut s’kanë qenë veçse premtime, dhe s’mund të ndodhte ndryshe. Pushteti ynë demokratik po i përmbush premtimet e tij. Dikush mund të preket prej këtyre ligjeve dhe reformave të mëdha, por edhe ata të paktë duhet të kuptojnë njëherë e mirë se interesi i përbashkët është mbi të gjitha, prandaj dhe ata duhet të sakrifikojnë diçka. Ligji i kanaleve i jep katundarëve në dorë fatin e tokës. Ligji mbi zbritjen e qirave bujqësore u vjen në ndihmë fshatarëve që u dogjnë dhe u poqnë në këtë luftë”. Në reportazhin e revistës “Bujku i Ri”, ku është pasqyruar gjerësisht ajo ceremoni e zhvilluar në periferi të qytetit të Lushnjes, midis të tjerave thuhet: “Dhe kështu shoku Ministër vazhdoi të theksojë rezultatet ekonomike dhe shoqërore të këtyre ligjeve popullore, ndihmën që duhet të japë populli eksaktërisht, dhe përpjekjet që duhet të bëjnë për t’i kuptuar dhe zbatuar këto ligje. Ministri nuk harroi të theksoj nenet që parashikon ligji për sabotatorët, shkelësit e këtyre ligjeve, qofshin këta teknikë apo fshatarë, qofshin bujq apo feudalë. Më së fundi shoku Ministër theksoi dy qëndrimet kryesore që synon zbatimi i Reformës Agrare. 1) Që popullit t’i epet e drejta që ai që e punon tokën t’a ketë të tijnë dhe 2) që me anë të Reformës Agrare, bujqësia jonë të lartësohet në çdo pikëpamje. Dhe kështu z. Gaqo Tashko, përfundoi duke iu kujtuar fshatarëve detyrën që ata kanë për të ndihmuar njëri-tjetrin, sidomos fshatarët e Jugut, që sakrifikuan çdo gjë gjatë kësaj lufte të përgjakëshme. Mbas Z. Tashko e mori fjalën Drejtori i Reformës Agrare z. Stavri Marjani, i cili theksoi disa pika me rëndësi që përmban ligji mbi zbatimin e Reformës Agrare dhe që i prekupojnë kaq shumë fshatarët. 1) Katundarëve iu jepet toka falas. 2) Çdo familje i jepet tokë sa për të siguruar një jetë sa më të mirë dhe më njerëzore. 3) Për mjetet e çfrytëzimit të tokës, pushteti ka parashikuar çdo përkrahje, si vegla, farë, të holla etj. Fjalimin e shokut Marjani e ndoqën një seri pyetjesh që u ngritnë prej katundarëve dhe premtimet e tyre për ndihmën që do të japin në këtë punë. Në fund duartrokitjet dhe brohoritjet buçitni nga të katra anët e sallës, ndërsa hareja dhe gazi, që pasqyrohej në fytyrat e fshatarëve, krijonte një atmosferë gëzimi dhe përzëmërsije të papërshkrueshme. Manifestimi mori fund me këngë e valle, ndërsa në drekën e shtruar për nder të mysafirëve ngriheshin gotat për lumturinë e popullit dhe Pushtetin e tij”.
Komitetet e Fshatarëve të Varfër për zbatimin e Reformës
Në zbatimin e Reformës Agrare që filloi që në vjeshtën e vitit 1945, morën pjesë edhe të ashtuquajturat “Komitete të Fshatërve të Varfër”, të cilat u zyrtarizuan në bazë të një urdhërese (Nr.5. datë 20.V.1945), të nxjerrë nga Ministria e Ekonomisë së asaj kohe. Lidhur me këtë, në një nga shkrimet e revistës “Bujku i Ri” të asaj kohe, midis të tjerash thuhet: “Elementat që do të zgjidhen në këtë Komitet duhen të jenë në rradhë të parë nga më të varfërit e fshatit dhe qint për qint të lidhur me frymën e re të Qeveris s’onë; të jenë të ndershëm dhe të ushqejnë simpathinë e të gjithë fshatarëve të varfër. Në rast se pranë ndonjë Komiteti Ekzekutiv do të mungojnë teknikët e bujqësisë, si të deleguar t’atij seksioni në Komitetet Fshatare munt të marrin pjesë teknikët e Veterinarisë ose Pyjeve. Komitetet do të fillojnë menjëherë nga puna duke plotësuar formularët sipas fletë-instruksioneve të dërguara, duke regjistruar të gjithë çifliqet e Shtetit, çifliqet e konfiskuara të t’arratisurve politikë, të tradhëtarëve ose të pronarëve që u është konfiskuar pasuria për arsye të ndryshme. Komitetet e Fshatarëve të Varfër, përveç pasurive të shtetit dhe pasurive të tradhëtarëve, do të mbledhin informata edhe për pronat e mëdha private duke shënuar sasinë e tokës dhe frymët që e kanë, nëse pronari punon vetë, ose në qoftë se punon me bujq, duke shënuar edhe emrin e bujkut, frymët e sasinë e tokës. Urdhëresa nuk bën fjalë për pronat private, por Komitetet kanë për të vepruar edhe për ato si për çifliqet e Shtetit dhe të tradhëtarëve. Të gjithë teknikët e Zyrave të Bujqësis, Veterinarisë dhe Pyjeve duhen të vihen në dispozicion të këtyre Komiteteve për të kryer veprimet sa më shpejt dhe më saktë. Komitetet duhet të fillojnë nga puna sa më parë, duke filluar më parë atje ku ka toka më shumë për t’u ndarë. Me urgjencë duhet të veprohet edhe në vendet më të dëmtuara nga lufta dhe që dihet me siguri se kanë për t’u bërë shpërngulje parciale si p.sh. Kurvelesh, Skrapar, Opar, Leskovik, Martanesh, Mirditë etj. Duke qenë se sot për sot nuk është e mundur t’u jepet toka gjithë buqjëve të malësive që nuk kanë tokë të mjaftueshme, prandaj në këto vende duhet të jenë shumë të matur dhe të regjistrojnë ata fshatarë që nuk kanë asnjë mudnësi jetese në fshatin e tyre, duke preferuar gjithnjë të dëmtuarit nga lufta. Të gjithë Komitetet Ekzekutive të Këshillave Nacional-Çlirimtare, Komitetet e Fshatarëve të Varfër dhe të gjithë teknikët janë përgjegjës për këtë barrë që po u ngarkohet. Në rast neglizhence ose abuzimesh do t’i drejtohen Gjyqit Ushtarak dhe do të dënohen si sabotatorë”.
Specialistë dhe gjeometër jugosllavë për Reformën
Në zbatimin e Reformës Agrare, përveç shumë e shumë mungesave, qeveria komuniste e Enver Hoxhës u përball edhe me mungesën e madhe të teknikëve gjeometër, të cilët do të duheshin për matjet e tokave në terren. Nisur nga ky fakt, Tirana zyrtare i kërkoi ndihmë qeverisë së Beogradit, e cila solli në Shqipëri një numër të madh specialistësh dhe teknikësh gjeometër. Lidhur me këtë, në një shkrim të botuar në gazetën “Bashkimi” të fillimit të dhjetorit 1945, midis të tjerash thuhet: “Për të bërë që punimet të vazhdonin me një ritëm të shpejtë, Qeverija jonë i kishte paraqitur një kërkesë Qeverisë Demokratike të Jugosllavisë, me anë të së cilës i kërkonte dërgimin e disa gjeometrave. Qeverija Jugosllave përveçse dhjetë gjeometrave që dërgoi më përpara, të cilët vazhdojnë të punojnë në Myzeqe, këto ditë dërgoi edhe 20 të tjerë. Këta mbasi u pajisën me të gjitha mjetet e nevojshme u nisën dje për në Elbasan që të fillojnë menjëherë punimet për zbatimin me të çpejtë dhe të përpiktë të reformës agrare në të gjitha fushat e këtij qarku. Këta do të kenë ndihmesë shumë teknikë shqiptarë, të cilët duke bërë punë praktike do të fitojnë edhe eksperiencën e duhur, për të kryer punëra të ndryshme më vonë nëpër qëndra dhe sektorë me rëndësi të vendit t’onë”.
Enver Hoxha ndan tapitë e para në Gorre të Lushnjes
Ashtu siç ishte parashikuar dhe kishte marrë zotimin, qeveria komuniste e Enver Hoxhës, arriti që të përfundonte në kohë zbatimin e Reformës Agrare, duke e mbaruar atë në shkallë vendi në muajin tetor të vitit 1946. Përfundimi i asaj reforme u parapri me një propagandë të madhe nga e gjithë propaganda zyrtare dhe shtypi i kohës, të cilët e konsideronin atë si një prej sukseseve dhe arritjeve më të mëdha që kishte parë ndonjëherë fshatari shqiptar. Pak muaj përpara se të deklarohej përfundimi i Reformës Agrare, në fillimin e vjeshtës së vitit 1946, kryeministri, gjeneral-kolonel, Enver Hoxha, shkoi vetë në fshatin Gorre të Lushnjes për të ndarë tapitë e para fshatarëve myzeqarë të asaj zone. Në atë vizitë, Enver Hoxha shoqërohej edhe nga pjesa më e madhe e ministrave të kabinetit të tij, si: zv/ kryeministri, gjeneral-kolonel, Myslym Peza, ministri i Byjqësisë, Dr. Gaqo Tashko etj. Përveç autoriteteve të larta partiake dhe shtetërore të asaj kohe, në ceremoninë e ndarjes së tapive për fshatarët e Gorresë së Lushnjes, asistonin edhe disa prej këshilltarëve jugosllavë dhe sovjetikë që ishin atashuar pranë dikastereve kryesore të qeverisë shqiptare të asaj kohe. Ceremonia e dhënies së tapive në atë fshat të Myzeqesë, u pasqyrua gjerësisht në shtypin e asaj kohe, ku përveç fjalës së plotë të kryeministrit Enver Hoxha, u dhanë edhe mjaft reportazhe nga gazetarët dhe korespodentët që e ndoqën nga afër atë eveniment. Nga gazetat që i bënë jehonë më të madhe asaj ngjarje, ishte gazeta “Bashkimi”,(organ i Frontit Demokratik që kryesohej nga Enver Hoxha), me gazetarin e saj, Petro Marko, i cili ishte i ngarkuar posaçërisht për të ndjekur nga afër të gjitha aktivitet dhe veprimtaritë e udhëheqjes së lartë në ndarjen e tapive në Myzeqe.
Reforma e 1945-ës, shpronësoi pa shpërblim 172.659 ha. tokë
Reforma Agrare e vitit 1945, është pasqyruar edhe në Fjalorin Enciklopedik të vitit 1982, ku ndërmjet të tjerash shkruhet: “Reforma Agrare ishte Revolucioni i parë në marrëdhëniet ekonomiko-shoqërore të fshatit që kreu diktatura e proletariatit në Republikën Popullore të Shqipërisë. Ajo shënoi shndërrimin demokratik të marrëdhënieve të pronësisë mbi tokën, zhdukjen përfundimisht të mbeturinave të feudalizmit në ekonomi dhe të klasës së çifligarëve, si dhe kufizimin e thellë të së drejtës së pronës private mbi tokën. Sipas ligjit u shpronësuan dhe u tjetërsuan me detyrim e pa shpërblim tokat pronë e shtetit çifligaro-borgjez, prona e çifligarëve dhe e institucioneve fetare, e gjithë toka private që kalonte madhësinë e parashikuar prej ligjit (mbi 5 ha.) Pjesa më e madhe e tokës së shpronësuar iu shpërnda falas fshatarsisë punonjëse sipas parimit “Toka i përket atij që e punon”. Pjesa tjetër e tokës u shpall tokë shtetërore dhe mbi bazën e saj u krijuan ndërrmarrje shtetërore”. Sipas dokumenteve zyrtare mbi Reformën Agrare të vitit 1945, nga zbatimi i saj u shpronësuan pa asnjë lloj shpërblimi, 172.659 ha. tokë, 474.227 rrënjë ullinj e 5.923 kafshë pune. Lidhur me këtë, në Fjalorin Enciklopedik, midis të tjerash thuhet: “Bashkë me Reformën Agrare u morën masa ligjore që të ndalonin shitblerjen, dhënien me qira, tjetërsimin dhe lënien trashëgim të tokës si dhe përdorimin e saj për qëllime shfrytëzimi. Me këto masa u kufizua shumë shpërbërja e fshatarsisë dhe zhvillimi i lirë i kapitalizmit në bujqësi. Pas Reformës Agrare shumica e ekonomive të fshatarëve të varfër nga pikëpamja e sasisë së tokës u ngrit në nivelin e fshatarëve të mesëm”. Sipas shifrave zyrtare të shpallura publikisht nga regjimi komunist në fillimin e viteve ’80-të, nga tokat që u shpronësuan prej Reformës Agrare të filluar në vitin 1946, përfituan disa kategori familjesh. Kështu: 48.667 familje të varfra dhe 21.544 familje pa tokë, përfituan 155.159 ha. tokë, 238.727 rrënjë ullinj dhe 5.923 kafshë pune. Ndërsa sektori shtetëror, përfitoi: 17.500 ha. tokë dhe 235.500 rrënjë ullinj.
Pasojat e Reformës Agrare të 1946-ës
Ndryshe nga propaganda zyrtare e regjimit komunist të para viteve ’90-të, e cila shprehej se: “Reforma Agrare krijoi kushtet paraprake për shndërrimin socialist të bujqësisë. Pikërisht në këtë periudhë nisi edhe ngritja e kooperativave të para bujqësore në fshat. Reforma Agrare shërbeu për të forcuar aleancën e klasës punëtore me fshatarësisë punonjëse u krye nëpërmjet një lufte të ashpër klasore, me pjesëmarrjen e gjërë dhe aktive të masave e sidomos të komiteteve të fshatarëve të varfër”, në të vërtetë ajo reformë e cila më pas i la vëndin kolektivizimit me dhunë të bujqësisë, i solli mjaft pasoja negative vendit tonë. Madje efektet negative të saj po vazhdojnë të ndjehen edhe sot, ku një pjesë e madhe e tokave dhe pronave që u shpërndanë nga ajo refomë, akoma nuk janë marrë nga pronarët e ligjshëm të tyre.
Në 1928-ën, Zogu emëroi komisionin prej katër vetësh për studimin dhe ideja e Reformës Agrare që në vitin 1924 nga Noli
Sipas një shkrimi të bërë nga ing, Jovan Adhamit, i cili është botuar në vitin 1945 në revistën “Bujku i Ri”, (shkrimi cili nuk është shkëputur dot nga fryma e regjimit komunist dhe indoktrinimi i tejskajshëm i asaj kohe), çifliqet e Perandorisë Osmane në Shqipëri, të cilat më vonë u transkriptuan në emër të listës civile të Sulltanit dhe të Valide Sulltanës, pas Shpalljes së Pavarsisë së Shqipëris më 1912, u shpronësuan dhe u bënë bënë pasuri të shtetit shqiptar. Sipas ing. Adhamit, ideja e Reformës Agrare u zhvillua shumë kohë mbas Luftës së Përë Botërore dhe në Ballkan hyri nga Rusia. Në Shqipëri idenë e Reformës Agrare e hapi seriozisht qeveria e Fan Nolit më 1924, por pasi kjo qeveri nuk pati jetë të gjatë, nuk e zbatoi dot atë. Ahmet Zogu e la për një periudhë prej katër vjetësh këtë ide dhe vetëm më 1928 emëroi një komision prej Mehdi Frashërit, Agjah Libohovës, Maliq Bushatit dhe Dr. Vavakos, për ta studiuar çështjen. Më 1931, u formua Drejtoria e Përgjithshme e Reformës Agrare dhe ajo e vazhdoi punën e saj deri në vitin 1939. Edhe pse veprimet e kësaj drejtorie u shtrinë mbi çpronësimin e disa çifligjeve privatë dhe shtetërorë, reforma përgjithësisht nuk u zbatua deri në fund. Si rezultat, mjaft nga pronarëve të mëdhenj iu lihej përsëri shumë tokë dhe shumë bujqëve i jepej pak tokë. Bujqve iu lihej 5 dynymë tokë për frymë, pa marrë parasysh llojin e tokës bujqësore të cilën ata do të përfitonin. Sipas shkrimit në fjalë të Ing. Adhamit, me gjithëse vetëm 1/9 e sipërfaqes së Shqipërisë është fushë (behet fjalë për vitin 1945, kur është botuar shkrimi i Ing. Adhamit), po të pjesëtohej si duhej kjo sipërfaqe, jo vetëm që do të sigurohej buka e popullit, dhe jo vetëm që Shqipëria nuk do të kishte nevojë të importonte milona fr. ari drithrash në vit, por do të tepronte edhe një sasi e madhe për eksport. Lidhur me këtë në shkrimin e tij, Ing. Jovan Adhami, midis të tjerash shprehet: “Prej pjesëtimit të keq të tokave bujqësore të Myzeqesë, prej braktisjes së çdo punimi racional dhe nga infektimet e fushave prej malaries, në ato fusha tani jetojnë vetëm 40-50 veta për çdo km. katrore, kurse po të ishin konditat e favorshme mund të jetonin 150-200 veta për çdo km. katrore dhe ajo do të bëhej siç thonë disa të huaj: “Hambari i Ballkanit Perëndimor”. Më pas, në mbyllje të shkrimit të tij, duke sugjeruar punën që duhej bërë për fillimin e Reformës Agrare, Ing. Adhami ndërmjet të tjerash shprehet: “Pjestimi i arsyeshëm i tokave bujqësore në çifligjet e shtetit dhe në ato privatet, bonifikimi i këtyre tokave dhe punimi racional, duhet të jenë bazat e një Reforme Agrare ndër ne. Kjo reformë duhet të fillojë sa më parë dhe mbi baza të gjera. Në vëndin tonë kemi 100.000 frymë që s’kanë tokë të mjaftë dhe 200.000 që s’kanë aq tokë sa të bëjnë bukën e vjetit. Me zbatimin e kësaj reforme, çpopullarizimi ndër fshatra pakësohet, bujqvet iu ngjallet dashuria për punën dhe për tokën, emigracioni e varfëria çduken, bujku e ndjen veten më të lirë e indipendent në truallin e tij”.
Fjalori Enciklopedik: Klika zogiste ishte vetë pronare tokash
Ndërsa propaganda e regjimit komunist të Enver Hoxhës e konsideronte Reformën Agrare të saj e cila filloi të zbatohej në vitin 1946, si një nga arritjet më të mëdha të atij regjimi, atë që kishte bërë Mbreti Zog në vitin 1930, e konsideronte një pseudoreformë. Lidhur më këtë, në Fjalorin Enciklopedik të vitit 1982, (fq. 910-911), shkruhet: Reforma Agrare Zogiste (1930). Pseudoreformë e qeverisë së Ahmet Zogut për të zbutur luftën klasore të fshatarsisë dhe për të qetësuar opinionin publik demokratik. Lufta e fshatarsisë kundër shfrytëzimit të egër çifligar dhe detyrimeve e taksave të rënda shtetërore si dhe kërkesat e rretheve përparimtare e të një pjese të borgjezisë shqiptare, për një zhvillim më të shpejtë të vendit, kishin shtruar çështjen e zbatimit të një reforme agrare demokratike. Për të mënjanuar këtë rrugë klasat reaksionare dhe regjimi zogist përgatitën një pseudoreformë agrare që u dekretua me ligj më 3 maj. Sipas këtij ligji, nga sasia e tokës që kishte pronari, i liheshin për familje 40 ha tokë, pjesa tjetër ndahej në 3 pjesë, ndër të cilat 2/3 i liheshin po pronarit për ta shfrytëzuar si dhe më parë dhe vetëm 1/3 u ndahej fshatarëve pa tokë kundrejt pagesës. Familjes fshatare nuk i jepej më tepër se 5 ha tokë sado frymë që të kishte. Por, edhe ky ligj gjysmak, nuk u zbatua sepse klika zogiste e klasat sunduese ishin vetë pronarë tokash. Reforma Agrare e Zogut e shpallur me bujë dështoi. Vetëm në vitet 1934-1935 u prekën fare pak toka moçalishte nga pronarët e shtetit e të bejlerëve çifligarë që iu dhanë disa familjeve të mërguarish politikë kosovarë dhe bujqish pa tokë, të cilët në to gjetën në shumë raste vdekjen. Pas Kryengritjes antizogiste të Fierit, Reforma Agrare e Zogut u la në harresë, kurse konflikti midis fshatarëve dhe çifligarëve u ashpërsua më shumë”./Memorie.al